Konferenca e socialistëve të Korçës do përfaqësohet nga të besuarit e Pedavinjit dhe Peleshit

77
Rishfaqen kongresmenët 
Historia vonon, por nuk qenka e thënë që të harron. Bëhet fjalë për kongresmenët e famshëm të PS, pikërisht ata, që vite më parë u quajtën si një ndër zbulimet më brilante të “FiKS FARE”. U zbuluan nga truri dhe fantazisti i këtij emisioni, Filip Çakuli pikërisht në korridoret e Pallatit të Kulturës në Tiranë, duke mbajtur në duar birra dhe kofsha pule. Dhe fatkeqësisht kaq ishte vlera, me të cilën këta kongresmenë kishin rënë dakord të këmbenin votën e tyre. E njëjta situatë po përsëritet edhe pas 15 vjetësh dhe kjo tregon më së miri se klasa politike shqiptare ka mbetur po kaq vite pas dhe dyfishin e viteve anash rrugës që do të na bashkonte me europën e qytetëruar. Sot qarku i Korçës do të caktojë kandidatët për kongresin e Partisë Socialiste, i cili do të mbahet më 19 Mars. Me sa duket ofrimi i datës ka rritur dhe ka shtuar ethet e kësaj gare, aq sa organizatorët dhe të importuarit nga partitë e ndryshme po caktojnë delegatët për mbledhjet e socialistëve të rretheve dhe këta të fundit do të caktojnë formacionin ose besnikët e votimeve të 19 Marsit, në Kongresin për Kryesocialistin e ri. Megjithëse listat janë të paracaktuara ato përsëri janë mbajtur sekretë dhe nuk janë publikuar fare, madje edhe vetë anëtarësia nuk di gjë, se cilët do të jenë pjesëtarët që do t’i përfaqësojnë socialistët Korçarë në Kongresin e socialistëve në Tiranë. Sipas rregullit duhej që organizatat bazë të mblidheshin dhe të caktonin delegatët për konferencën e rrethit. Dhe kjo e fundit me votim të përcaktonte numrin dhe emrat e delegatëve në Kongresin e 19 Marsit. Çuditërisht, të pyetur dje në mbrëmje pjesa dërmuese e socialistëve as që kishin dijeni dhe nuk ishin të lajmëruar për takimin e sotëm apo takimet e njësive që duhej të ishin bërë sipas statutit të partisë ditë më parë, madje as në telefon nuk i kishte marrë njeri. Kjo tregoj, se këta persona ishin caktuar në mënyrë ilegale nga një dorë e fortë dhe e sigurtë. Mendohet se pas këtyre delegatëve fshihet emri i deputetit të “Rilindasve socialistë” Ilir Pedavinji. Ky i fundit dhe disa të tjerë pas tij kanë caktuar si kandidatë për delegatë, shumicën e drejtorëve, që punojnë si “sekserë” të tij apo edhe më keq, njerëz të ardhur të gjithë nga PD dhe PBDNJ. Madje disa burime konfidenciale për “Telegraf” bëjnë me dije se janë marrë njerëz nga rruga apo edhe emigrantë. Qyteti i Korçës ka rreth 100 organizata dhe vetëm në një pjesë të tyre janë bërë mbledhje formale, pjesa dërmuese as është mbledhur dhe as ka dijeni për konferencën e sotme të socialistëve korçarë. Shumica e kryetarëve rajonalë janë emëruar privatisht dhe figurat emblamatike të së majtës korçare nuk figurojnë në listat e delegatëve të rrethit, pale të Kongresit as që bëhet fjalë. Pra, me sa kuptohet listat janë pastruar dhe seleksionuar sipas oreksit të deputetit dhe matrapazëve rreth tij dhe në këto lista janë futur kryesisht njerëz të punësuar, të cilët kërcënohen se do largohen apo edhe më keq kur flitet, se në lista janë ata të vjetrit e ish-pushtetit të djathtë, që po qëndrojnë në postë të ndryshme, sepse kanë çuar tek “mon kukaleshi tarifat” prej 2-3 mijë euro apo edhe 4 në arsim, shëndetësi etj. Madje po tregohet si barcaletë fakti, që dikur në kohën e PD-së jepej maksimumi 2 mijë dhe sot shifrat janë dyfishuar. Drejtori i ISKSH, Tollkuci, ai i Arsimit, Hipotekës, Doganës janë që të gjithë nën kontrollin e deputetit, që nuk dihet, se përse u gradua kaq shumë, kur niveli i tij lë shumë për të dëshiruar. Është fatkeqësi për të majtën shqiptare, kur njerëz në nivelin e injorancës po zaptojnë poste dhe pushtete dhe Korça për këtë është shembulli më i mirë! Por për këto dhe të tjera mjafton të jesh shok i Niko Peleshit. Korçarët pyesin? Kush është drejtori që ka tre shtëpi në Korçë dhe dy drejtorët që kanë një vilë të përbashkët në Voskopojë? E pra, sot disa të punësuar “pa dinë e pa iman” nga qarku i Korçës do të miratojnë listën e kongresmenëve, ndërkohë armata e socialistëve të vërtetë, nuk kanë bukë të hanë, dergjen rrugëve të papunë dhe po rinisen drejt kurbetit…