Konferenca e KLSH, Leskaj: Risku më i madh mbetet korrupsioni

504
Është duke u zhvilluar në mjediset e hotel “Tirana International” , konferenca e katërt shkencore me temë “Analiza e Riskut”, që po mbahet në Tiranë organizuar nga KLSH, Në hapje të kësaj konference, kreu i KLSH, Bujar Leskaj tha se raporti i risqeve globale 2015 i Forumit Botëror Ekonomik në Gjenevë rendit si risqe me probabilitet më të madh për të ndodhur në ekonominë botërore dhe që kanë impakt më të lartë dukuri si deflacionin, krizat financiare, goditjet e çmimit të energjisë, dështimin e mekanizmave themelorë financiarë, papunësinë strukturore të lartë, apo të tjera si pabarazia e ndjeshme nga të ardhurat, përmbytjet, paqëndrueshmëritë e thella politike dhe sociale.

    
Sipas tij, mundësia e ndodhjes së pjesës më të madhe të këtyre risqeve përgjatë 2016 edhe në vendin tonë mbetet e lartë. “Risku më i lartë është ai i ngritur në sistemin në administratën shtetërore, risku i shfrytëzimit pa kriter të pasurive natyrore, keqmenaxhimit të kontratave koncesionare, sidomos në marrëveshjet hidrokarbure, mosmenaxhimi i mirë i partneriteteve publik-privat me kosto tejet të rëndë për buxhetin e shtetit etj.
Sipas Leskajt, KLSH ka kërkuar që risku i borxhit të pakësohet duke përdorur 50% të të ardhurave nga privatizimet strategjike për shlyerjen e këtij borxhi dhe të respektohen objektivat në strategjinë për menaxhimin e financave publike 2014-2020 në lidhje me borxhin publik.
Kjo konferencë do të vijojë punimet në datat 20-22 qershor 2016, dhe do të drejtohet nga Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj, si edhe nga Dr. Igor Soltes, Deputet i Parlamentit Europian (ish-President i Gjykatës Sllovene të Auditimit) dhe z. Ëojciech Kutyla, Zv/President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë. Kjo Konferencë ndjek traditën e mirë të KLSH-së në këtë drejtim dhe vjen pas Konferencës së Parë Shkencore të KLSH-së për “Auditimin e Jashtëm Publik”, zhvilluar në dhjetor të vitit 2012; 

Konferencës së Dytë Shkencore që u zhvillua në 12-13 dhjetor 2013 dhe trajtoi temën, “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në Menaxhimin e Përgjegjshëm Publik përballë Sfidave Aktuale” dhe Konferencës së Tretë në 29-30 tetor 2014, me temë kryesore “Auditimi Kombëtar në shërbim të Qeverisjes Kombëtare”. Në Konferencë marrin pjesë rreth 150 përfaqësues nga SAI-t partnere, personalitete të njohura dhe me eksperiencë nga Institucionet Supreme të Auditimit dhe EUROSAI, duke kontribuar në mbledhjen e mendimit të përparuar të profesionistëve të fushës së auditimit dhe më gjerë.


Në Konferencë do të paraqesin punimet e tyre 17 Prof. Dr., 3 Prof. Ass. Dr. dhe 12 doktorë shkencash, si dhe përfaqësues të universiteteve, të Shoqërisë Civile, auditues nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës dhe auditues të KLSH-së. Në këtë Konferencë do të paraqiten 48 punime, që do të fokusojnë debatin shkencor dhe do të analizojnë riskun në fushën e auditimit, të sektorit financiar, bankar, të inxhinierisë, të mjedisit, shoqëror, shëndetësor, të menaxhimit, etj. Në konferencë janë ftuar të marrin pjesë, deputetë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, gazetarë etj. 
Sigal