Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë paralajmëron protesta për infermierët

464

Rreth 4000 infermierë janë prekur së fundmi nga një vendim i Ministrisë së Arsimit për të njohur si “bachelor” dhe jo “master” studimet e tyre 4-vjeçare, që sipas Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë është një “gjobë” skandaloze e ministrisë për infermierët që sjell përfitime te universitetet private.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kritikoi ashpër në një deklaratë për shtyp të enjten vendimin e Ministrisë së Arsimit për të mos njohur diplomat 4-vjeçare të infermierëve të diplomuar në vitet 2002-2006, duke e quajtur atë një “gjobë” skandaloze të ministrisë për infermierët. Konfederata e cilësoi vendimin e ministrisë si tallje me djersën e studentëve dhe me fatin e familjeve të tyre, nga zyrtarë të “marrë peng” të ministrisë së arsimit. “Ky institucion [Ministria e Arsimit] pasi shkatërroi procesin e maturës shtetërore për të favorizuar universitetet private, pasi cenoi rëndë figurën e mësuesit duke e kthyer në një shërbëtor [të] partisë, pasi i ktheu zyrat arsimore në zyra punësimi për militantët ka filluar merret me infermierët, që i detyron të kryejnë masterat në universitetet e lidhura me ministrinë,” thuhet në njoftimin e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. “Diplomat e 4 mijë infermierëve që Ministria e Arsimit kërkon t’i ulë vlerën njihet nga shteti gjerman. Shumë prej infermierëve që kanë kryer studimet 4 vjeçare në vitet 2002-2006 ushtrojnë profesionin fisnik të infermierit në shtetin gjerman, teksa atyre u është kërkuar vetëm një provim i gjuhës gjermane për të punuar si infermierë në spitalet rajonale dhe qendrore të këtij shteti,” thuhet në të. Konfederata gjithashtu kërkoi që Ministria e Shëndetësisë të marrë në mbrojtje infermierët dhe kërkoi nga Fakulteti i Mjekësisë, Urdhri i Infermierit dhe Komisioni i Medias dhe Edukimit të mbajnë një qëndrim lidhur me vendimin e ministrisë së Arsimit. “I bëj thirrje prokurorisë të nisë një hetim për këtë çështje, ndërsa Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë do të nisë protestat në mbrojtje të 4000 infermierëve,” paralajmëroi Konfederata. BIRN raportoi më herët se rreth 4 mijë infermierë, një pjesë e të cilëve me mbi 10 vjet eksperiencë pune, u njoftuan se ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte vendosur në nëntor të vitit 2017, se bazuar në ligjin “Për Arsimin e Lartë” të vitit 2015, shkollimi i tyre universitar për 3 vjet e gjysëm në teori, plus gjysmë viti praktikë do të barazvlerësohej tani me diplomën “bachelor” të “Sistemit të Bolonjës” dhe jo me master siç njihej më parë. Ky vendim është pritur me shqetësim nga infermierët që preken nga ligji, të cilët i thanë BIRN se ishin të frikësuar për vendin e punës ndërsa tani u duhet të riktheheshin në universitet dhe të paguajnë tarifa të kripura për të marrë diplomën e masterit. BIRN mësoi se infermierëve të përfshirë në këtë kategori u janë zbritur nga paga rreth 4500 lekë në muaj, ku rreth gjysma i takon parave që kthehen pas dhe pjesa tjetër uljes së rrogës. Në një përgjigje me shkrim ministria e Arsimit i tha BIRN se vendimi i marrë për të zhvlerësuar diplomën e infermierëve ishte i ligjshëm. “Nuk mund të ekuivalentohen si “Master” diplomat e programeve të studimit që kanë zgjatur më pak se katër vite akademike (8 semestra)”, tha zëdhënësi i ministrisë së Arsimit, Mariglen Mërtiri. Ai shtoi se këto diploma patën të njëjtin ekuivalentim edhe në ligjin e mëparshëm për arsimin e lartë të vitit 2007.