Koncesioni tek Automjetet, sfilit qytetarët dhe u boshatis xhepat

468
Sigal

TIRANË/Specialistët:Zgjidhja është kthimi i shërbimit shtetit, shtimi i pikave të kontrollit!

Radhët pa fund, qëndrimi me orë të tëra pa mbaruar punë në të vetmen pikë të Kontrollit të Shërbimit të Automjeteve që ka Tirana, ka vetëm një emër: Sfilit qytetarët dhe u boshatis xhepat, ndërsa përfitimet janë për ata që kanë në dorë ta frenojnë këtë skandal, por “nuk e shohin” për qëllime dhe interesa konkrete! Këtë e dëgjon hapur nga dhjetëra qytetarët që rrinë në radhë, por dhe nga specialistë e njohës të mirë të kësaj fushe. Është për të ardhur keq që së paku prej 10 ditësh, kur gazeta “Telegraf” e denoncoi këtë fakt e më pas gazeta e televizione të tjera, gjithçka bie në veshë të shurdhër të qeveritarëve. Apeli për ministrin Haxhinasto dhe kryeministrin Rama: ‘Hiqni koncesionet, zgjidhni problemin!’, tashmë nuk duhet neglizhuar, pasi duket se është zgjidhja e vetme.

ARGUMENTET

Interesat e koncesionarit zviceran për këtë shërbim (që ka të ardhura të majme por shpërndarja është e dyshimtë), për ata që e firmosën apo ‘nuk e shohin’, duket në ‘dritë të diellit’. Po ashtu, e pa falshme është dhe neglizhenca për të mos shtuar pikat e kontrollit në Tiranë, kur qytete me popullsi më vogël në vendet europiane, kanë 5 apo më shumë të tilla. “Është skandal me prapavijë fitimesh të mëdha, e pasojat janë të qytetarëve. Për shembull, Bari në Itali ka 6 qendra kontrolli, Budapesti 4, Shkupi 3, Sofia 5, etj… Në Tiranë ka vetëm një. Ka dhe paradokse të tjera që të torturojnë dhe të boshatisin xhepat, për shembull vonesa në kolaudim. Gjobë për kolaudimin po u vonove një ditë, gjobë për taksat(!), etj.. Në fakt, ky është shërbim që kryhet nga private kundrejt vlerës, e gjoba është absurd”,-shtojnë specialistët. Një qytetari nga Kërraba, për një shërbim këtu, i duhet të bëj 80 km vajtje e ardhje, pa llogaritur orë të tëra në radhë. Nuk ndodh kështu në asnjë vend ët botës”,- argumentojnë specialistët.

ZGJIDHJA

Zgjidhja për këtë situatë, kërkohet nga shteti, e rrugët nuk janë ‘të pa shkelura’… Specialistët thonë se ky shërbim, për tu ardhur në ndihmë qytetarëve e për të shtuar të ardhurat në arkën e shtetit, duhet të bëhet nga shteti e të mos i jepet privatëve. Një zgjidhje tjetër, jo e plotë kjo (për të evituar radhët e sfilitjen e qytetarëve), është shtimi i sporteleve. “Ky shërbim duhet t’i kthehet shtetit, në mënyrë që të evitohen paradokset aktuale, tu jepet në kohë qytetarëve kundrejt një pagese transparente, zgjidhje që shton dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit. Ndërsa shtimi i sporteleve nuk kërkon investim, por dikujt i intereson kjo situatë për përfitime”,- argumentojnë specialistët. A do të zgjidhet ky problem! Çfarë kërkojnë tjetër instancat përgjegjëse shtetërore!?