Koncesionet e shëndetësisë në sitën e dy prokurorive

573
Verifikimi i dosjeve voluminoze drejt fundit. Pas dy vitesh hetimi intensiv priten rezultatet
Koncesionet me vlerë dhjetëra milionë euro të Ministrisë së Shëndetësisë prej dy vitesh ndodhen në duart e ekspertëve të task forcës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë e Tiranës. Janë dy institucione hetimore që kanë marrë dosjet voluminoze të praktikave që Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur për dhënien e disa koncesioneve me rëndësi të veçantë. Burime të besueshme nga organi qendror i hetimit thanë për gazetën “Telegraf” se aktualisht çështja është duke u mbyllur,pra verifikimi i të gjithë dokumentacionit është drejt fundit. Por ne u interesuam për të mësuar rezultatin final, për të cilin na u komunikua se do të duhet edhe pak kohë për të dalë me një konkluzion. Kjo për faktin se dosjet ku ndodhet e gjithë procedura e ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë, janë voluminoze. Në dy vite hetimi intensive nuk është bërë vetëm kontrolli i dokumentacionit. Prokurorët e ngarkuar për hetimin e kësaj çështje, kanë marrë në pyetje edhe personat përgjegjës për dhënien e koncesioneve në fjalë. Në sitën e hetimit është përfshirë e gjithë piramida drejtuese e Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk është përjashtuar as ish-ministri Ilir Beqaj, njeriu më i përfolur për mënyrën se si ka operuar për dhënien e koncesioneve si dhe për faktin se nga firma e tij ka kanë përfituar persona të dyshimtë në biznesin e tyre. Po kush janë koncesionet e dhëna që nga viti 2013, kur ish-ministri Beqaj mori drejtimin e shëndetësisë dhe bëri premtimi për një shëndetësi falas? Janë tre të tillë, vlera e secilit është e lartë. Koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe koncesioni i check up-it falas. Për të tre këto raste, hetimi nisi me iniciativën e prokurorisë, kjo pas publikimeve të shumta të lajmeve dhe dyshimeve se pas çdo firme për një konçesion në shëndetësi, fshihej një vjedhje e madhe. Në sitën e personave që po verifikohen për shkelje është përfshirë edhe ish-ministri Beqaj. Çështja është regjistruar me akuzat e shkeljes së barazisë në tenderë dhe shpërdorimit të detyrës. Në fokus janë disa studime që kanë kryer zyrtarë të kësaj ministrie, si dhe vendimmarrja e titullarit Ilir Beqaj, i cili ka miratuar dhënien e këtyre koncesioneve. Burimet thanë se janë shqyrtuar të gjitha lidhjet e mundshme mes ofertuesve dhe zyrtarëve të kësaj ministrie. Ndërsa deri tani janë pyetur rreth 20 zyrtarë të lartë. Në dosjen e prokurorisë është futur dëshmia e ish-zv ministrit Klodjan Rrjepaj si person që ka dijeni për çështjen. Hetimi në Prokurorinë e Tiranës drejtohet nga prokurori Indrit Bimi. Pavarësisht se është quajtur dosja “Beqaj”, akuza ka preferuar që të mos e regjistrojë emrin e ministrit si nën hetim, pasi në këtë rast do të kishte afate hetimore. Megjithatë, nga verifikimet e grupit hetimor ka rezultuar se kontratat e këtyre koncesioneve nuk janë firmosur nga ministri Beqaj, por nga dy zv. ministrat, Milva Ekonomi (tashmë ministre Ekonomie) dhe Klodjan Rrjepaj.

Prokuroria e Tiranës thotë se çështja është ende në fazën fillestare. “Pas sekuestrimit të dokumenteve, hetuesit kanë filluar studimin e materialeve, që nga hapja e procedurave të tenderimit, kriteret e ndjekura e deri te shpallja e fituesit”, pohojnë burimet, ndërsa mësohet se studimi vazhdoi për më shumë se dy muaj, me arsyetimin e prokurorëve se dosja është voluminoze, ndërsa kohët e fundit ka filluar marrja në pyetje e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Njësia Task-Forcë thotë se drejtorë, shefa sektorësh dhe specialistë të thjeshtë, që kanë qenë anëtarët e komisioneve të vlerësimit të ofertave për tri koncesione të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, do të pyeten nga prokuroria. Hetimet me iniciativë, por edhe referimet e fundit të KLSH-së, janë bërë pa emra personash përgjegjës, ndërsa të gjitha indiciet e organit të prokurorisë të çojnë te drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, që dyshohet se kanë favorizuar kompani të caktuara për të marrë shërbimet publike për një afat të caktuar. “Do të pyeten anëtarët komisioneve të vlerësimit të ofertave që kanë dhënë koncesionet dhe anëtarët e komisioneve për tenderët. Në total janë 20 zyrtarë, zv. ministra, drejtorë juridikë, ekonomikë, sekretarë të përgjithshëm apo specialistë të thjeshtë, që janë thirrur për të dhënë dëshmi”, pohojnë burimet nga prokuroria. Hetuesit dyshojnë se procedurat për dhënien e koncesioneve dhe zhvillimet e tenderëve, nuk janë bërë sipas ligjit, urdhrave apo rregulloreve të brendshme.
Kush janë emrat që fituan koncesionet nga Ilir Beqaj
“Evita” shpk e fitoi koncesionin për hemodializën bashkë me Spitalin Amerikan. Më pas rezultoi se Spitali Amerikan do të ketë vetëm 15 % të aksioneve në kompaninë e re, të krijuar për operimin e koncesionit.
Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, me vlerë 100 milionë USD do të hetohet gjithashtu nga Njësia Antikorrupsion e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. kompania modeste e emigrantit shqiptar në Peruxhia të Italisë, Ilir Rrapaj fitoi 40 për qind të kësaj kontrate, si pjesë e konsorciumit italian të udhëhequr nga “Servizi Italia”.
Koncesioni i kontrollit mjekësor falas me vlerë 120 milionë euro, i fituar nga kompania “Marketing& Distribution” me eksperiencë në tregtimin e duhanit dhe alkoolit do të jetë gjithashtu pjesë e këtyre hetimeve.
Sigal