Koncesionari turk “merr” edhe një jetë shqiptari

620
Sigal

Munellë, vdes minatori 48-vjeçar. Pas kontrollit, pak javë më parë, RISHMI: Miniera brenda standardeve

Një tjetër minator ka humbur jetën paraditen e së shtunës, si pasojë e shkëputjes së një masivi dheu në katin e 6-të nëntokësor të minierës së Munellës në Pukë. Bëhet fjalë për 48-vjeçarin Gjovalin Prenga, i cili ishte duke punuar nën 2000 metra thellësi. Ndërsa, janë lënduar dy minatorë të tjerë. Pas afro një orë punë, forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse kanë nxjerrë nga galeria trupin e pajetë të minatorit. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Galeritë e minierës së Munellës shfrytëzohen nga një koncesionar turk, të cilit një vit më parë iu bashkua dhe një kompani kineze e nxjerrjes dhe pasurimit të mineraleve. Vetëm pak javë më parë, me kërkesë të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, një grup specialistësh nga Ministria e Energjetikës inspektuan minierën në fjalë. Ata deklaruan se kushtet e punës dhe të sigurisë në këtë minierë ishin në parametra normalë. Pas vdekjes së minatorit, kanë reaguar sindikalistët. “Pak javë më parë, RISHMI inspektoi minierën, ndërsa u tha se kushtet e punës janë brenda standardeve. Pas raportit të RISHMI-t, minatorët ndaluan protestat që kishin nisur për kushtet e këqija në punë. Vlerësuesit e kushteve të punës duhet të mbajnë përgjegjësi. Do i drejtohemi Prokurorisë”, – tha sindikalisti Gjon Zeka. Në minierën e Munellës punojnë 170 minatorë.

 

Reagon Basha: Tragjedi njerëzore dhe indiferencë qeveritare

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzon qeverinë për indiferencë dhe braktisjen e minatorëve. Duke shprehur ngushëllime për familjen e minatorit 48-vjeçar Gjovalin Ndreca, i cili humbi jetën një ditë më parë në minierën e Munellës, Basha thekson se “në 1 vit e gjysmë ka patur më shumë viktima në minierat shqiptare se asnjëherë më parë”. “Dje vdiq nga shembja e galerisë në Munelle, Gjovalin Mark Ndreca, baba i dy fëmijëve, nga fshati Kimez, i komunës Gjegjan. Familjes Ndreca dua t’i përcjell edhe publikisht ngushëllimet e mia për humbjen dhe dhimbjen e madhe. Asnjë fjalë nga Kryeministri dhe manaret e tij. Heshtje dhe indiferencë që vret. Jetët e minatorëve nuk kanë asnjë vlerë. Deri dje hidhnin lot krokodili për çdo aksident miniere dhe betoheshin se do rrisnin sigurinë, por kur erdhën në pushtet i braktisën edhe minatorët si shumë njerëz të punës. Në 1 vit e gjysmë ka patur më shumë viktima në minierat shqiptare se asnjëherë më parë. Braktisja ndihet kudo. Kryeministri dje jepte shfaqje me keca dhe manare, por nuk gjeti kohë as të ngushëllonte njerëzit që flijoheshin ne minierat e vendit. Kjo qeveri e ka hallin dhe mendjen vetëm tek vetja” – shkruan Basha në rrjetin social “Facebook”.

 

Reagon MEI: Basha nuk priti hetimet, gjen rastin të spekulojë

Ministria e Energjisë dhe Industrisë reagoi pas deklaratës së kreut të opozitës lidhur me vdekjen e minatorit Gjovalin Prenga, duke e akuzuar për spekulime dhe për përdorimin politik të fatkeqësive të qytetarëve. Sipas Ministrisë, “Basha pa pritur hetimet për ngjarjen e ndodhur në minierën e bakrit në Munellë, gjen rastin të spekulojë dhe përdorë politikisht çdo vdekje. Ndryshe nga zoti Basha që preferon të derdhë lot krokodili e të përdorë politikisht vdekjet e minatorëve, qeveria ka bërë realitet uljen e moshës së daljes në pension me 5 vite dhe ka rritur ndjeshëm pensionet për 3840 minatorë. Në vend që të heshtë për katrahurën që qeveria e tij ka lënë trashëgimi në industrinë minerare, kryetari i Partisë Demokratike zgjedh sot të spekulojë për përfitime të pastra politike”, ndërsa theksoi se “shumë shpejt RISHM-i do të publikojë rezultatin e hetimit dhe do të merren masat përkatëse për aksidentin”.