Koncesionari i Rinasit, normë fitimi rekord prej 49% në 2018-n

560
Sigal

Tirana International Airport (TIA), kompania që operon me koncesion aeroportin e vetëm në vend atë të “Nënë Terezës” ka publikuar bilancin vjetor të 2018-n, ku ka raportuar normën më të lartë të fitimit të arritur që nga fillimi i aktivitetit, pothuajse sa gjysma e të ardhurave.
Nga të dhënat në bilanc, të ardhurat e kompanisë për vitin 2018 ishin 6.4 miliardë lekë, ose rreth 51 milionë euro, me një rritje prej 7% në raport me vitin paraardhës. Ky është niveli më i lartë i të ardhurave i raportuar nga TIA.

Rritja e vazhdueshme e trafikut të pasagjerëve, si nga shtetasit shqiptarë ashtu dhe të huajt, që gjithnjë e më shumë po e vizitojnë vendin tonë, ka ndikuar në performancën pozitive të aeroportit. Gjatë 2018-s, trafiku në Aeroportin e Rinasit shënoi nivel rekord prej 2.95 milionë pasagjerësh, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 12%.

Rreth 7% më shumë shqiptarë udhëtuan nga dhe drejt Rinasit në 2018-n, në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas shifrave të INSTAT. Por, lulëzim të vërtetë shënuan të huajt, trafiku i të cilëve në hyrje e dalje u rrit me 27%, pas zgjerimit me 29% të vitit të mëparshëm, duke e bërë periudhën 2017-2018 më të mirën në historinë e pas tranzicionit për ardhjen e turistëve. Fluksi i pasagjerëve me charter u rrit me 64% në 2018-n, ku ndikimin kryesor e dhanë linjat nga Polonia, Norvegjia, Izraeli, Ukraina, Çekia, Suedia.

Performanca e mirë e të ardhurave është reflektuar dhe tek fitimet, të cilët arritën në 3.1 miliardë lekë (rreth 25 milionë euro), para taksave. Teksa shpenzimet janë rritur me ritme më të ulëta se të ardhurat, norma e fitimit ka arritur në 49%, pothuajse gjysmën e të ardhurave, me rritje dy pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm.
Norma e fitimit e raportuar për 2018-n është më e larta që kompania ka arritur ndonjëherë që kur ka nisur aktivitetin në vitin 2004. Në 2015-n, norma bruto e fitimit ishte 41% dhe në 2013-n ishte 35.5%.

Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20-vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë.
Në tetor 2016 u finalizua shitja e kuotave të koncesionit tek kompania REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED, një kompani offshore me seli në Singapor.
Në mars të vitit 2016 qeveria shqiptare njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me kompaninë që menaxhonte aeroportin duke hequr kështu ekskluzivitetin, ngërçin që pengonte hapjen e aeroporteve të tjerë.

Heqja e ekskluzivitetit i dha TIA-s dy vite shtesë nga koncesioni duke çuar afatin e ri në 2027 për përfundimin e kontratës, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit, i cili edhe sot është jo funksional, por së fundmi është miratuar koncesioni për të bërë të mundur vënien në punë të tij. Në prill të këtij viti, Qeveria miratoi kontratën për koncesionin 35-vjeçar të Aeroportit të Kukësit, ku fitues doli bashkimi i përkohshëm i kompanive Global Technical Mechanics sh.p.k. dhe Bami sh.p.k.
Hapja e një aeroporti tjetër pritet të ulë çmimet e biletave, që janë ndër më të lartat në rajon. Qeveria ndërkohë është në negociata me koncesionarin e Rinasit për uljen e tarifave, pasi nga auditimet ka rezultuar se kompania koncesionare ka fituar më shumë të ardhura nga sa ishte parashikuar në skenarin fillestar.

Kompania shpenzoi për tarifën e koncesionit, 761 milionë lekë (rreth 6.1 milionë euro) në 2018-n, me rritje prej 11% në raport me vitin e kaluar.

Burimi: Bilancet e TIA