Koncesionari i Rinasit bllokon aeroportin në Sarandë

654
Sigal

Dështojnë negociatat e qeverisë me monopolistin e fluturimeve ndërkombëtare

Raundi i disatë e negociatave me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit për të lejuar ndërtimin e një Aeroporti tjetër në Jug të vendit ka dështuar. Burimet në Ministrinë e Transporteve bëjnë me dije se, bisedimet kanë rezultuar pa sukses dhe Rinasi do të vijojë të gëzojë të drejtat e monopolit për fluturimet ndërkombëtare që rrjedhin nga kontrata e koncesionit, informon “Monitor”.

Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto që në fillim të vitit 2014 pati njoftuar se, është në bisedime me koncesionarët e Rinasit për të lejuar të paktën angazhimin e një aeroporti të ri për qëllime turistike në Jug. I treguar fillimisht optimist për negociatat, Haxhinasto premtoi zhbllokimin në fund të vitit 2014, por duket se, administratorët e Rinasit nuk kanë lëshuar pe. Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licencohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash. Pra, shteti shqiptar ka lejuar që Rinasi të jetë porta e vetme e hyrjes për fluturimet ndërkombëtare. Një vendim që prej vitesh mban të gjallë një pakënaqësi në rritje, për shkak se, ndër të tjera, Shqipëria e sotme, nuk është më ajo e vitit 2004. Aktualisht, shqiptarët udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen, ndërkohë që shumë të tjerë kanë pasaporta të vendeve të tilla si SHBA, etj., si dhe turizmi dhe udhëtimet e të huajve për biznes janë shtuar shumë. Në vitin 2005, nëpërmjet këtij aeroporti, i vetmi që operon me linjat ndërkombëtare, kaluan 787.864 udhëtarë, kurse në vitin 2013 aty kaluan 1.757.342 udhëtarë. Pra, thuajse një milion udhëtarë më tepër.

Edhe ish-ministri Lulzim Basha tentoi të negociojë lidhur me heqjen dorë nga kjo e drejtë, por pa sukses. Ndërkohë, një aeroport me shumë interes, i ndërtuar nga arabët në Kukës, ka vite që ndryshket, duke qenë se TIA nuk jep lejen për përdorimin e tij.

 TIA, monopoli i fluturimeve të shtrenjta

Nënë Tereza” është rasti tipik i një koncesioni me ndikim të gjithanshëm, si në pozitat monopol ashtu dhe tarifat e larta. Që prej datës 23 prill 2005, Tirana International Airport “Nënë Tereza” menaxhohet dhe operohet nga shoqëria private e quajtur Tirana International Airport SHPK (TIA) më parë në administrim nga shteti. TIA do të drejtojë të gjitha aktivitetet e Aeroportit deri më 2025-n. Pavarësisht zgjerimit edhe me dy porta dhe një terminal të ri, tarifat e larta aeroportuale bëjnë që Shqipëria të ketë çmimet më të larta të biletave në rajon. Sipas bilancit të saj, në vitin 2013, kompania rezultoi me një qarkullim vjetor prej 33 milionë eurosh, me një rritje prej 3.5% me bazë vjetore. Gjithashtu, për shkak të transferimit të monopolit të shërbimeve nuk po aktivizohen Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit dhe të tjera në jug të vendit. Sakaq, qeveria shqiptare nuk ka rishikuar tarifat për më shumë se 7 vjet, ndërkohë që kontrata detyron rishikimin e tyre çdo 3 vjet.

Marrëveshja koncesionare, bllokuese dhe antikombëtare

Në një nga nenet e marrëveshjes koncesionare “Detyrimet e qeverisë shqiptare”, thotë se “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licencohet për fluturime komerciale (kargo apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më poshtë thuhet se do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash. Pra, thuhet qartë se Rinasi do të jetë porta e vetme e hyrjes, për fluturimet ndërkombëtare. Neni i mësipërm ka sanksionuar de facto dhe de jure, një situatë të vazhdueshme monopoli mbi fluksin e udhëtimeve ndërkombëtare, që kryhen nga Shqipëria drejt vendeve të treta dhe anasjelltas. As zhvillimi i turizmit, as heqja e vizave, as rritja e përvitshme e numrit të udhëtarëve dhe volumeve të mallrave, nuk kanë sjellë as më të voglën “ciflosje” të këtij monopoli, që sot mban të kyçur në një situatë aspak normale, qiellin shqiptar.