“Konçesionari” gjerman i portit të Durrësit rezulton të jetë shqiptar

1648
Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim intensiv lidhur me gjithë dosjen që lidhet me dhënien me koncesion të kalatës lindore në Portin Detar një firme me pronar një shtetas gjerman. Kjo për faktin se dhënia me koncesion një firme me një “administrator” gjerman ishte sa e nxituar (vetëm 12 ditë para 23 qershorit 2013), por rezulton edhe aq e dyshuar, pasi hetuesit mendojnë se kanë rënë në gjurmë të pronarit (ose bashkëpronarit) të vërtetë të atij koncesioni, që është një prej drejtuesve kryesore të APD. Realisht privatizimet e mëdha dhe koncesionet e rëndësishme që u dhanë gjatë qeverisjes së kaluar në shumicën e tyre u kryen në favor të kompanive të huaja, që administroheshin nga persona me të kaluar të dyshimtë, që rezultonin të kishin qenë në ndjekje penale, ose të dënuar në disa shtete. Prej disa ditësh firma gjermane e dirigjuar nga koncesionari gjerman (i vërtetë dhe ligjor i saj mendohet ish-drejtuesi kryesor i APD), ka nisur të bëjë shtetrrethim në port, duke mos lejuar as njerëzit dhe as mjetet të futen dhe kalojnë përmes rrethimit të kalatës. Nuk lejohen as administratorët e agjensive spedicionere të kryejnë veprime zyrtare, veç ndonjë rasti të veçantë. 
Dhënia me koncesion e kalatës lindore në portin e Durrësit në prag dhe gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit 2013 nuk mund të bënte përjashtim nga dhëniet e tjera të dyshimta. Mjafton të përmendim faktin se, në shkresës nr. 2091/3 datë 9 maj 2013 të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, Drejtori i Autoritetit Portual Durrës informohet se ka hyrë në fuqi “kontrata koncesionare “Për operimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit nga firma gjermane EMS” dhe mbante firmën e ish-Ministrit Punëve Publike dhe Transportit, Drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës Eduard Ndreu dhe përfaqësuesit të kompanisë koncesionare “EMS Shipping & Trading GMBH” Heiko Luikenga. Por ditët e fundit në Portin Detar të Durrësit ka nisur të shfaqet konflikti i ri, mes autoriteteve shtetërore pra APD dhe gjermanëve që zotërojnë me koncesion kalatën lindore të këtij porti. Kjo pasi gjermanët e “EMS” akuzojnë drejtuesit e portit se “kërkojnë ryshfet për të plotësuar kërkesat e biznesit”, kurse drejtuesit e Autoriteti Portual i Durrësit, pretendojnë se “ne kemi zbuluar shkeljet ligjore, që janë kryer prej kohësh nga kjo kompani private, si ajo për aktivitetet stivadore një shërbim ky të cilin kërkon ta kryejë kompania EMS”. Drejtuesit e APD kërkojnë nxjerrjen e licensës për këtë shërbimim nga kompania “EMS”, ashtu si tre kompanitë e tjera ekzistuese që ofrojnë këtë shërbim”. 
Drejtuesit e APD thonë se “EMS ka kërkuar monopolin e këtij shërbimi, gjë e cila është e paligjshme dhe e padëgjuar ndonjëherë në portet e rajonit”. Por e vërteta është se gjermani i “EMS” ka marrë koncesionin për operimin në kalatën lindore të APD në datë 06.05. 2013 dhe ka filluar aktivitetin e saj me datë 15 korrik 201, dhe kjo kompani mund të ushtrojë aktivitetin e operimit në kalatën lindore. Ndërsa lidhur me aktivitetet stivadore, ajo është përpjekur t’i ushtrojë në mënyrë të paligjshme, duke krijuar konflikte edhe fizike me kompanitë e licensuara, ku sipas neneve të kësaj kontrate koncesionare, kërkohet licensim i posaçëm, pasi “EMS” të plotësojë dokumentacionin e kërkuar – u shpreh një burim nga APD. Pavarësisht konfliktit mes “EMS” dhe APD, dhe lajmit se problemin mund ta zgjidhë vetëm ligji, një tjetër “thashethemnajë” që po qarkullon prej ditësh në port, është fakti se “dirigjuesi” koncesionarit është ish-drejtuesi i lartë i APD dhe ish-zëvëndësi tij, lidhje të cilat ka nisur t’i hetojë organi akuzës. Porti Durrësit mbetet institucioni më i korruptuar, më i keqmenaxhuar dhe më i zhvaturi, që ka bërë milionerë dhe vazhdon të bëjë të tillë, ministra, deputetë, drejtorë e shpurën e tyre, duke krijuar për të mos u zhbiriluar ndoshta kurrë, tunelet e errëta ku fshihen vjedhjet e pasurive të shqiptarëve. Fallcifikimet, blerjet e paligjshme, janë pjesë e dosjes së Prokurorisë e cila ka nisur t’i rikthehet hetimeve për të thelluar zbulimet e padëgjuara ndonjëherë, që lidhen me “koncesionarët e rremë” dhe pronarët e e vërtetë të kalatave.
Sigal