Komuniteti LGBTIQ nuk pranohet nga biznesi

651
Të jesh pjesëtar i komunitetit LGBTIQ në Shqipëri do të thotë të përballesh me diskriminim edhe kur kërkon të gjesh një punë.
Anketimi i 109 kompanive mbi barazinë në punësim për personat homoseksualë, lesbike, biseksual dhe transgjinor tregon se vetëm 7 kompani kanë të punësuar pjesëtarë të LGBTIQ. Më miqësore ndaj komunitetit janë kompanitë ndërkombëtare, kurse ato shqiptare mbeten më pak të hapura. 
“Kemi 58 persona nga komuniteti që janë të punësuar, të deklaruar, të gjitha kompani private të mëdha ndërkombëtare kryesisht kurse kompanitë shqiptare ende janë shumë larg pranimit të punësimit të një personi LGBTIQ”, thotë Elton Ilirjani, kreu i HeadHunter.
4 kompanitë e vetme publike që morën pjesë në anketim nuk kanë të punësuar pjesëtarë të komunitetit. 
“Dua të nënvizoj se komiteti i ministrave të Këshillit të Europës ka shprehur qartë se vendet anëtarë duhet të sigurojnë implementimin e masave që sigurojnë mbrojtje efektive kundër diskriminimit të këtij komuniteti dhe punësim në sektorin publik dhe privat”, thotë Claus Neukirch/ Shef i Zyrës së KE në Shqipëri.
Por pavarësisht rezultateve të anketimi, Komisionerja për Mbrojtjen kundër diskriminimit thotë se ankesat që vijnë nga ky komunitet lidhur me punësimin janë shumë të pakta.
“Kjo nuk do të thotë se s’ka diskriminim por ndoshta komuniteti nuk e di akoma këtë mundësi ose e ka të vështirë të raportojë”, thotë komisionerja Irma Baraku.
Sigal