Komunat Dajç dhe Hajmel me rrugë të reja

172

4 mijë banorë të komunave Hajmel dhe Dajç në zonën e Zadrimës, lidhen me rrugë të asfaltuar në sajë të një financimi të FSHZH

Rruga Kotërr – Manastiri i Karmelitaneve 4.15 km e gjatë, është një tjetër investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe lidh 4 fshatrat e dy komunave jo vetëm me njëra- tjetrën, por dhe me rrugën Lezhë – Vau i Dejës, një tjetër investim i FSHZH në këtë rajon. Kjo rrugë është financuar nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi i OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID).

Gjendja e rrugës ekzistuese ka qenë shumë e keqe, duke u bërë pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave. Rruga ka qenë e paasfaltuar, me gropa dhe tërësisht e pakalueshme nga automjetet e të gjitha llojeve sidomos në sezonin e shirave. Në një pjesë të saj rruga ka qenë vetëm me zhavorr. Rruga e re është e asfaltuar dhe ka një gjerësi asfalti prej 4 m, përfshirë bankina anësore në të dyja anët nga 0.5 m. Ajo është e pajisur me të gjithë elementet nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujërave te bardha, tombino, mure mbajtës etj. Pjesë e këtij projekti ka qenë edhe ndërtimi i një ure të re me gjatësi 10 m. Në zonat e banuara rruga është e pajisur me trotuare për kalimin e këmbësorëve. Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit z. Benet Beci, gjatë ndjekjes së punimeve në fazën përmbyllëse të tyre, në bashkëbisedim me gazetarët e pranishëm ndër të tjera tha se: “Segmenti rrugor që po shohim sot lidh me rrugë të asfaltuar dy komunat fqinje të Hajmelit dhe Dajçit, pjesë e zonës së Zadrimës. Me përfundimin e këtij segmenti rrugor, 4 mijë banorë të 4 fshatrave të kësaj zone do të qarkullojnë në kushte normale transporti, duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore, dhe tregjet. Pas përfundimit të rrugës Lezhë – Vau i Dejës dhe disa investimeve të tjera në infrastrukturën rrugore në këtë zonë, plotësohen më së miri nevojat e saj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Afërsia me rrugën nacionale Lezhë – Shkodër, u krijon mundësi banorëve të zonës të lidhen me Shkodrën dhe Lezhën, duke diversifikuar kështu mundësitë e lidhjeve ekonomike dhe tregtare. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një përfitim real i banorëve të kësaj zone.

Rruga e re kalon pranë Manastirit të Karmelitaneve, një objekt i rëndësishëm kulti në zonë i cili frekuentohet jo vetëm nga besimtarët e zonës por edhe më gjerë”.

Fermerët e kësaj zone janë të njohur për prodhimet bujqësore, vreshtarinë, ullishtat, prodhimin e verës dhe vajit, por edhe mbarështimin e derrave dhe gjelave te detit. Infrastruktura rrugore e përmirësuar po jep rezultate të prekshme për komunitetin e kësaj zone, duke nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe duke ofruar mundësi reale për një zhvillimin social – ekonomik të qëndrueshëm. Ajo sjell lehtësi të mëdha për transportin e prodhimeve drejt tregjeve të Lezhës dhe Shkodrës.

Rikonstruksioni i rrugëve Dajç – Dragushë dhe Kallmet – Ungrej janë dy projekte të reja të cilat do të financohen në këtë zonë nga FSHZH.