Kompesimi i pronave: 5 miliardë lekë për çdo vit

718
Në mes të këtij muaji qeveria shqiptare prezantoi reformën e re të kthimit dhe kompensimit të pronave. Sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama “kjo është çështje me rëndësi historike dhe kombëtare dhe vlen jo vetëm për ata që jetojnë sot por edhe për të gjithë gjeneratat që do të vijnë”. Kreu i qeverisë tha më tej se zgjidhja e problemit të pronës mbetet kyç, sa i takon edhe rrugës së Shqipërisë drejt BE ku që prej vitit 2005 në progres-raportin e KE është përmendur zgjidhja e problemit të pronësisë në Shqipëri. 
Pas Kryeministrit, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço tha se zgjidhja e çështjes së pronave kërkon një pakt kombëtar dhe se qeveria e ka vendosur këtë çështje në rrugën e zgjidhjes përmes reformës në legjislacion që po paraqitet sot. Klasa vendimmarrëse në 25 vite nuk i dha zgjidhje kësaj çështje duke vlerësuar koston financiare që nevojitej, por bënte zgjidhje provizore duke trashëguar problemin. Për hartimin e legjislacionit qeveria është konsultuar me institucione e partnerë ndërkombëtarë si Këshilli i Evropës, Banka Botërore etj. Zgjidhja e çështjes së pronave do të ketë ndikime dhe tek brezat që do të vijnë dhe qeveria ka marrë përsipër të shumëfishojë angazhimin e saj, tha Naço. 
Gjithashtu gjatë këtij prezantimi u dhanë edhe detaje të tjera rreth kthimit dhe kompensimit të pronave. Sipas ligjit të ri kompensimi do të bëhet me para nga buxheti ose me prona të paluajtshme të shtetit. Burimet e financimit të këtyre fondeve do të përcaktohen nga buxheti, shitja në ankand e pronës shtetërore, si dhe nga të ardhurat që mund të krijohen me akte nënligjore apo fonde nga donatorë të huaj. Financimi vjetor mesatar, sipas ligjit të ri llogaritet rreth 5 miliardë lekë për çdo vit, afërsisht 20 herë më shumë nga çfarë është dhënë deri tani. 
Sigal