Kompanitë boshnjake prezantojnë potencialin e tyre energjetik në panairin e “Klik Ekspo Group”

59
Vëmendja e kompanive të Bosnje-Hercegovinës për të investuar në Shqipëri po rritet gjithnjë e më shumë. Kjo shihet edhe nga interesimi i madh i kompanive boshnjake, që do të marrin pjesë në panairin e “Klik Ekspo Group” që do të mbahet në Tiranë në datat 21-25 nëntor.
Ashtu si vitin e shkuar ku Bosnja u përfaqësua në panairin e “Klik Ekspo Group” me 5 kompani edhe këtë vit energjia do të jetë kryefjala e përfaqësimit boshnjak.
Kompania lider boshnjake në këtë sektor “Ergoinvest”, sërish këtë vit do të sjellë në panairin e “Klik Ekspo group” eksperiencën e saj në fushën e energjisë, ku gjithnjë e më shumë po shkohet drejt një liberalizimi të tregut rajonal energjetik.
Për të inkurajuar rritjen e prezencës së investimeve boshnjake në Shqipëri, vitin e shkuar panairin e “Klik Ekspo Group” e vizitoi edhe Ministri i Energjetikës, Minierave dhe Industrisë të Bosnje-Hercegovinës, Erdal Trhulj.
Duke vizituar bizneset boshnjake që merrnin pjesë në këtë panair, Ministri Trhulj, u shpreh se, ka një rritje të interesit të bizneseve boshnjake në Shqipëri dhe kjo vjen si rrjedhojë e klimës së mirë për investime që ekziston në vendin tonë.
Ministri Trhulj vizitoi stendën e njërës prej kompanive kryesore boshnjake që investojnë në Shqipëri në fushën e energjetikës “Ergoinvest”, e cila ka dy projekte në Shqipëri, njërin në jug të vendit në linjën 110 kv Ersekë-Përmet, një investim prej 31 milionë eurosh dhe projektin tjetër në veri të vendit në kufirin me Kosovën një linjë prej 400 kV.
“Vizita në panairin “Klik Ekspo Group” është hera ime e dytë në Shqipëri. Vitin e shkuar erdhëm për të krijuar bashkëpunimin mes biznesmenëve shqiptarë dhe atyre boshnjake dhe hera e shkuar ishte për të prezantuar 15 kompani”, u shpreh gjatë kësaj vizite Ministri Trhulj.
Ministri boshnjak nënvizoi se, “prezenca ime këtu është vazhdim i këtij bashkëpunimi dhe shohim tashmë që mund të bashkëpunojmë në fusha të ndryshme, në sektorë të ndryshëm të industrisë, ndërtimit, infrastrukturës, energjisë. Të gjithë këto aspekte e bëjnë akoma më të frytshëm bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Jam i sigurt që prania e mirë e kompanive boshnjake dhe mirëkuptimi i shqiptarëve do të krijojnë atmosferën e nevojshme që të krijohet klima për vazhdimin e ardhjes së kompanive të tjera boshnjake në Shqipëri dhe që biznesi shqiptar gjithashtu të shtojë prezencën e tij në Bosnje”.
Ministri prezantoi potencialet në sektorët strategjikë dhe u shpreh që të shtohet bashkëpunimi mes dy vendeve.
Ndërsa drejtori i kompanisë “Energoinvest”, Enes Čengić u shpreh se, “Energoinvest” merr pjesë për herë të parë në panairin “Klik Ekspo Group”, në Shqipëri, por kjo nuk është hera e parë që jemi në Shqipëri. Kemi dy vjet që punojmë në Shqipëri për dy projekte të rëndësishme energjetike. Njëri projekt është në jug të vendit, ndërsa projekti tjetër është në veri në kufirin me Kosovën një linjë prej 400 kv.
Drejtori i “Ergoinvest” theksoi se, “planifikojmë të qëndrojmë për shumë vite në Shqipëri, pasi kemi produkte të mira, lidhje të mira dhe çdo projektet po ecën shumë mirë”
Mundësia për rritjen e vëllimit të shkëmbimeve tregtare për prodhimet bujqësore midis Shqipërisë dhe Bosnjës është një ndër prioritetet e politikave të dy qeverive. Në këtë kuadër, respektimi i marrëveshjes CEFTA, nga të dyja vendet do të nxisë shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Bosnjës, veçanërisht në fushën e bujqësisë.