Komiteti i Veteranëve të LANÇ: Greqia të mos luaj me zjarrin

554
Sigal

Populli shqiptar nuk e njeh frikën më kot kërcënoni zoti Kotzias!

Ne veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare
që i kemi të shtrenjta mbrojtjen e interesave kombëtare të vendit tonë, kur u
njohëm me intervistën e ministrit të jashtëm grek Nikos Kotzias, dhënë ditët e
fundit gazetës  “Ethnos”,  ku ka bërë një seri kërcënimesh kundër
Shqipërisë, jo vetëm jemi revoltuar, por e 
përbuzim atë me neveri.

Nuk është hera e parë që qarqe të
caktuara reaksionare dhe qeveritarë greke, hakërrohen kundër vendit tonë. Ata,
për qëllimet e tyre të hershme antishqiptare shoviniste të megalidhesë që
lidhen  me pretendimet absurde e të
ashtuquajturit  Vorioepir,  sajojnë sebepe për t’u hakërruar kundër
vendit tonë. A nuk janë ata që ndërvite kanë vepruar kundër Shqipërisë me
diversion, spiunazh, banda diversantësh e gjer në provokacione e sulme
ushtarakësh kundër vendit tonë, si më  2
gusht 1949 e më vonë, pas ndryshimit të sistemit, kur sulmuan e vranë ushtarët
tanë në postën kufitare të Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës? A nuk janë
sërish ata që dërgojnë emisarët e tyre në zonën e Minoritetit e veçanërisht në
Himarë, duke ndërhyrë në punët tona e duke bërë propagandë kundër vendit
tonë?  A nuk janë pikërisht ata që me ca
pensione që lëshojnë, duan të joshin e të realizojnë qëllimet e tyre të
mbrapshta antishqiptare? E sërish, a nuk janë ata që ndërhyjnë në punët tona të
brendshme gjer aty se cilët duhet të zgjidhen në Kuvendin e Shqipërisë si
deputetë e nënkryetarë të tij?

Qëllimet e tyre armiqësore ndaj
nesh, çuditërisht dhe paradoksalisht, ata nuk i fshehin edhe sot, kur janë
anëtarë të BE dhe anëtarë të NATO-s. Vetëm kështu mund të shpjegohen qëndrimet
e ministrit të jashtëm grek kur na bën karshillëk se vendi i tij qenka më i
fuqishëm në fushën e mbrojtjes, në atë të ekonomisë dhe se, na qënka në gjendje
të na mbyllë edhe portat për të mos hyrë në BE!

Të flasësh sot me këtë gjuhë,
duhet ose të jesh i papërgjegjshme e miop, ose 
një antishqitar i pakorrigjueshëm, qëndrime këto të cila janë të
papranueshme jo vetëm nga bota e qytetëruar, por as nga populli vëlla grek, me
të cilët kemi  patur miqësi e respekt të
ndërsjelltë. Në rrethanat e krijuara aktualisht,  jemi të detyruar t’i kujtojmë këtij zotërie
se ju e keni provuar jo njëherë atë “trimërinë tuaj” ndaj ne shqiptarëve dhe
keni thyer kokën. Madje, mos harroni se kanë qenë ata trima shqiptarë, të cilët
në Revolucionin grek 1821 luftuan në ballë të betejave kundër hordhive turke,
gjersa siguruan pavarësinë e popullit grek.

Problemi i emigrantve shqiptarë
të cilët ndodhen sot në Greqi, dhe që ju na i vini në dukje në intervistën
tuaj, i përngjan masës së emigrantëve fatkeq grekë, të cilët pas luftës
Italo-greke, të detyruar nga kriza e rëndë ekonomike, erdhën me shumicë në
zonat tona të jugut dhe shqiptarët ndanë me ta bukën e gojës, si vëllai me
vëllanë. Edhe këto mos i harroni zoti Kotzias!

Po cili është shkaku i vërtetë i
tanishëm që na u “mërzit” zoti Kotzias sa të fryhet si gjel, të humbasi
qetësinë e për më tepër të na kërcënojë se do të na bëjë “hatanë”?  Janë në të vërtetë disa kërkesa legjitime të
shtetit tonë, ndaj qeverisë greke, që padrejtësisht ajo u shmanget. A nuk është
paradoks qëndrimi i shtetit grek që mban në fuqi akoma ligjin e luftës me
Shqipërinë?! Nga ajo periudhë na ndajnë 71 vite edhe pse pa të drejtë ky ligj u
vendos kundër vendit tonë, ndërkohë që Italia fashiste në atë periudhë, më
përpara pushtoi vendin tonë, e pastaj sulmoi Greqinë?

Le të zbresim te kërkesa tjetër e
problemit të Çamërisë, për të cilën kohët e fundit, me të drejtë është bërë
objekt diskutimi, jo vetëm midis dy qeverive, por dhe nga përfaqësues të BE.
Pse hidhen përpjetë këta zotërinj, kur përmendet problemi çam, që është problem
shqiptar? Vendi ynë asnjëherë nuk ka kërkuar zgjidhjen e këtij problemi me
mjete të tjera, veç me mirëkuptim e dialog dhe, gjithnjë brenda konventave  ndërkombëtare.

A nuk duhet tu njihet e drejta e
pronës atyre qindra e mijëra familjeve të shpërngulura forcërisht dhe përmes
një genocidi të paparë të qarqeve reaksionare greke kundër një populli të pafajshëm?
Akuza që i bëhet popullit shqiptar të krahinës së Çamërisë nga qarqet greke se
gjoja ishin bashkëpunëtorë të nazizmit gjerman, është absolutisht e padrejtë,
një veprim të tillë mund ta kenë kryer elementë të veçantë si kudogjetkë, por
jo i gjithë ai popull që u mbyt në gjak, ata pleq, gra e fëmijë që u dëbuan me
forcë nga shtëpitë e tyre, nga trojet e veta drejt Turqisë e  Shqipërisë. E kjo padrejtësi duhet të
zgjidhet sa më shpejt.

Ne, nuk po ngremë atë padrejtësi
të madhe që iu bë Shqipërisë  në vitin
1913, kur iu hoqën nga trupi i saj territore të tëra përfshi dhe Çamërinë. Kjo
padrejtësi do t’i përkasi të ardhshmes për ta zgjidhur. Ne sot shtrojmë
problemin e njohjes të të drejtës së pronave dhe të kthimit të banorëve të saj
në shtëpitë  dhe trojet e tyre, mbi bazën
e të drejtës ndërkombëtare.

Përsa i përket kërkesës së
Qeverisë greke për ngritjen e varrezave të ushtarëve grek të vrarë në tokën
shqiptare, edhe pse ata e kanë mundësinë t’i tërheqin në vendin e tyre, siç
veproi Italia në rastin e vet, këta zotërinj e kërkojnë këtë, mesa duket për të
vendosur “gozhdën e Nastradinit” këtu në tokën tonë.

Më në fund le të shikojmë
gjithashtu, se çfarë tjetër e ka shqetësuar e revoltuar zotin Kotzias, sa e ka
shtyrë që të na kërcënojë ne?  Është
vendimi i drejtë i Gjykatës tonë Kushtetuese, e cila e rrëzoi atë vendim e
marrëveshje për kufirin detar midis Shqipërisë e Greqisë në jug të vendit, e
cila padrejtësisht i jepte Greqisë sipërfaqe të konsiderueshme ujore nga të
vendit tonë, një marrëveshje kjo e kryer nga forcat e djathta të Shqipërisë për
interesat e tyre kundër vendit tonë.

Këto probleme që kanë shqetësuar
zotin Kotzias, nuk zgjidhen me kërcënime e presione, por me dialog mirëkuptim
dhe konform legjislacionit të vendeve tona dhe atyre ndërkombëtare.

Zotëria, duhet ta kuptojë mirë
dhe njëherë e përgjithmonë se ka ikur koha e kërcënimeve dhe e presioneve.
Populli shqiptar, asnjëherë në historinë 
e vet nuk është frikësuar e tërhequr para presioneve e kërcënimeve nga
kushdo qoftë. Ne kemi qenë  e jemi për
një fqinjësi të mirë e të sinqertë dhe gjithnjë mbi baza barazie dhe
reciproriteti. Kjo është kërkesë e popullit shqiptar, e qeverisë së tij dhe e
jona si veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si pjesëtarë të
Koalicionit të Madh Anglo-Sovjeto-Amerikan.