Komiteti i Helsinkit kritikon ligjet kundër medias: AMA nuk është e pavarur

80

Komiteti u shpreh në një blog mbi projektligjet e shumëdebatuara, të prezantuara nga qeveria si “paketa anti-shpifje”, duke theksuar mungesën e pavarësisë politike të Autoritetit të Medias, institucionit që, sipas projektligjeve, do të marrë funksionet e një gjykate për të gjykuar dhe dënuar mediat në rast të asaj që projektligji i referohet si “cënim të nderit dhe dinjitetit të qytetarit”.

Erinda Skëndaj, juriste te Komitetit të Helsinkit, shkroi: “..propozohet që autoritetit të medias t’i i rriten kompetencat dhe përgjegjësitë në drejtim të mbikëqyrjes dhe sanksionimit të medias, [por] nuk vërehen ndryshime në përbërjen e autoritetit dhe mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të tij”.

Autoriteti i Medias përbëhet aktualisht nga shtatë anëtarë, të cilët zgjidhen nga parlamenti me propozim të partive të ndryshme politike. Projektligji “Rama” për median online parashikon që një këshill me tre anëtarë, i quajtur “Këshilli i Ankesave”, i cili zgjidhet nga bordi i autoritetit, të kryejë rolin e gjykatës, duke vendosur gjoba nga 100 mijë deri në 1 milionë lekë, për mediat online që gjykohet se kanë kryer shkelje, pa marrë parasysh nëse media në fjalë është një media e madhe apo një blog personal.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm ligjor që kërkon një analizë për të vlerësuar nëse rregullimi i të gjithë sektorit të medias duhet ose jo të kalojë në përgjegjësinë e këtij autoriteti si dhe nëse sanksionimi i medias, përfshi këtu edhe ofruesit e shërbimeve të publikimit elektronik duhet të jetë apo jo përgjegjësi e Këshillit Etik të këtij autoriteti,” theksoi Skëndaj.

“…formula e propozimit dhe zgjedhjes së anëtarëve të AMAs çon në një ndarje 4 anëtarë të zgjedhur me mbështetje të mazhorancës parlamentare dhe 3 anëtarë të zgjedhur me mbështetje të opozitës parlamentare. Nëse do e shohim me paralelizëm me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për KQZ-në, kjo formulë ligjore e parashikuar në ligj për AMAn nuk garanton depolitizim të këtij institucioni, pavarësisht nga fakti që sipas ligjit ky institucion është i pavarur,” shkroi Komiteti i Helsinkit.

Kryeministri Edi Rama propozoi dhjetorin e kaluar një numër masash drakoniake kundër medias online, ndërsa deklaroi se sipas opinionit të tij, ka nevojë për “disiplinim” të kësaj mediaje. Masat e propozuara nga Rama fillimisht përfshinin gjoba të forta dhe të ekzekutueshme pa të drejtë apelimi, si dhe urdhër mbylljeje për median në rastet kur Këshilli i Ankesave çmonte se ajo kishte shkelur kodin e etikës më shumë se tre herë.

Propozimet e Ramës u kritikuan ashpër nga organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si një tentativë për sistem cenzurimi të medias online.

Propozimi i miratuar në qeveri javën e kaluar, nuk përfshin më klauzola për mbylljen e medias por vijon të mbajë gjoba të paapelueshme ndërsa Këshilli i Ankesave në AMA zëvendëson në praktikë rolin që deri më sot e kanë luajtur gjykatat.

AMA është një institucion i krijuar fillimisht në vitin 1998 ndërsa drejtuesi i saj ka ndryshuar zakonisht përmes betejave politike, sa herë që ka ndryshuar maxhoranca qeverisëse e vendit. Si me të gjitha institucionet e “pavarura” në vend që nga marrëveshja politike PD-PS e vitit 2003, edhe AMA është në fakt një institucion i ndërvarur, anëtarët e së cilës janë propozime të partive politike të pranishme në parlament.

Kjo është nisma e disatë e kryeministrit Edi Rama kundër lirisë së shprehjes./Reporter.al