Komisioni Vëzhguesve Vendorë: Konsensus për reformën zgjedhore, s’ka kohë

616
Sigal

TIRANË- Lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale, Koalicioni Vëzhgues Vendor dje në një konferencë për shtyp ka theksuar se në bazë të Kodit Zgjedhor, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron më datën 15 shtator 2015, e, atëherë, data e mundshme e Zgjedhjeve të ardhshme Lokale është data 21 ose 28 Qershor 2015. Ja reagimi i KVV: Në Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të miratuar nga Komisioni për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) i Këshillit të Europës, paraqiten parimet bazë të trashëgimisë elektorale europiane si dhe kushtet për zbatimin e këtyre parimeve mbi të cilat ndërtohen dhe vlerësohen standardet e zhvillimit të proceseve zgjedhore. Ku një nga kushtet ka të bëjë me “Nivelet normative dhe qëndrueshmërinë e të drejtës zgjedhore”, dhe pikërisht në pikën b të saj përcaktohet se: “b. Elementët themelorë të së drejtës zgjedhore, dhe, në veçanti, të sistemit zgjedhor, përbërjes së komisioneve elektorale, dhe hartimit të kufijve të zonave zgjedhore, nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit përpara zgjedhjeve, ose duhet të shkruhen në kushtetutë ose në një dokument ligjor të një niveli më të lartë se legjislacioni i zakonshëm”.  Nisur pikërisht nga sa rekomandon Komisioni i Venecias dhe Kodi Zgjedhor, Reforma Zgjedhore dhe ajo për ndarjen Administrativo-territoriale duhet të mbyllen përpara mesit të qershorit 2014. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) vlerëson gatishmërinë e forcave kryesore politike të maxhorancës dhe opozitës për të ndërmarrë këto dy reforma si dhe vullnetin e përbashkët të shprehur në Konferencën Kombëtare  të organizuar nga KVV“Shoqëria civile dhe Demokracia në Shqipëri; Reforma zgjedhore e plotë dhe gjithëpërfshirëse, domosdoshmëri për një sistem zgjedhor më përfaqësues, të drejtë dhe të qëndrueshëm”, më 26 Nëntor 2013. Koalicioni nxit forcat kryesore politike ta çojnë përpara këtë vullnet të shprehur për përmbushjen e këtyre reformave sa më parë dhe në kohë, duke u ngritur mbi interesat e ngushta partiake dhe duke e bërë këtë proces konsensual, sa më gjithëpërfshirës dhe sa më transparent. Në mënyrë që një reformë administrative të jetë e plotë dhe e qëndrueshme kërkon domosdoshmërisht bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë, grupeve të interesit dhe të vetë qytetarëve. Vonesa në nisjen e këtij procesi është e pajustifikueshme nëse pikënisja do të jetë veç interesi madhor i vendit dhe i qytetarëve, madje kjo vonesë afekton drejt për së drejti reformën që duhet ndërmarrë për zgjedhjet e ardhshme vendore. KVV u bën thirrje drejtpërsëdrejti krerëve të partive kryesore të maxhorancës dhe opozitës që të ulen së bashku dhe të gjejnë vullnetin e duhur për të ndërmarrë sa më parë këto reforma si dhe të tjera të domosdoshme për stadin zhvillimor të vendit dhe sfidave më të cilat përballet e ardhmja e tij. Gjithashtu, KVV nxit forcat politike që të nisin paralelisht edhe reformën zgjedhore përpara përfundimit të asaj administrative, si një mënyrë për t’i bërë këto procese më rezultative dhe sa më pak politike.