Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi 6 kandidatë për 5 vendet vakante, opozita lë mbledhjen

555
Sigal

Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi 6 kandidatë për 5 vendet vakante në Autoritetin për Informimin me dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit. Opozita braktisi mbledhjen me argumentin se rrezikon të mbetet e papërfaqësuar në Autoritet, pasi mazhoranca vjen me dy emra të mbështetur.

Pas më shumë se një viti ngërç, Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi 6 emra të cilët i propozohen seancës paralamentare për 5 vendet e  Autoritetit për Informimin me dokumentat e ish -Sigurimit të Shtetit.

Daut Gumeni i mbështetur nga Shoqata e të Përndjekurve Politik, Simon Miraka nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Altin Hoxha i mbështetur nga Lëvizja Socialiste për Integrim,  Maringlen Kasmi i mbështetur nga Partia Socialiste,  Selami Zalli nga Partia Demokratike dhe Gentjana Sulaj e mbështetur nga Këshilli i Ministrave, janë emrat të cilët kanë marrë 28 firma të deputetëve dhe kualifikohen si anëtarë të Autoritetit.

Opozita braktisi mbledhjen, pasi nga tre emra që propozohen nga Parlamenti, mazhoranca ka propozuar dy, duke rrezikuar që opozita të mos përfaqësohet në Autoritetin për Informimin me  dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit.

Halimi: Ose është opozita, ose nuk është në këtë proçes. Këtë gjë besoj se duhet ta ndani.

Bylykbashi: Tërhiqni firmat për një nga të dy kandidaturat, zgjidhni për këtë të doni ju, apo një të tretë, nuk ka rëndësi. Kuvendit ti shkojnë vetëm dy si propozime të Kuvendit, një nga mazhoranca dhe një nga opozita.Përndryshe jemi përpara asaj që argumentuam këtu, nuk doni ti lini vend opozitës.

Xhafaj: Ky Komision shikon vetëm që këta i plotësojnë kriteret apo jo dhe bën një raport. Kaq bën ky Komision.

Emrat e 6 kandidatëve pritet që të votohen në seancën parlamentare të së enjtes, ndërsa kryetar i Autoritetit do të zgjidhet njëri nga 5 anëtarët.