Komisioni i Sigurisë, Lutaj: “Sjellja e Nokës, e shëmtuar, do të merren masa ndaj tij”

431
Sigal

Në një kohë kur ishte parashikuar që sot të mblidhej Komisioni i Sigurisë Kombëtare, ai është shtyrë. Mësohet se shkak për shtyrjen janë bërë debatet e djeshme mes deputetit të PD-së, Flamur Noka, ministrit Saimir Tahiri dhe kreut të Komisionit, Spartak Braho.

Lidhur me këtë fakt ka folur sekretari i Komisionit, Pirro Lutaj, i cili e cilësoi një shfaqje të shëmtuar sjelljen e Nokës dje në komision, ndërsa deklaroi se u propozua marrja e masave ndaj deputetit. “U propozua marrja e masave ndaj Flamur Nokës. Kjo sjellje e deputetit nuk është hera e parë”, tha Lutaj.

Nga ana tjetër Lutaj pohoi se mbledhja e Komisionit të Sigurisë do të mbahet pasi të jepet vendimi i Byrosë e Kuvendit sa i takon gjuhës që deputeti i djathtë përdori dje ndaj të pranishmëve në takim. “Shtyrja e mbledhjes, deri në mbledhjen e Byrosë. Nuk zhvillohet mbledhja pa dhënë Vendim byroja. Nuk do preket rendi i ditës kur të diskutohet për buxhetin”, përfundoi ai.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri pasi foli dje në Komision për miratimin e buxhetit të institucionit që drejton, kërkoi lejen e kryetarit Braho për të shkuar në një tjetër aktivitet. Por kaq mjaftoi që Noka ta quajë “karagjoz” dhe të kërkojë nga Braho që ta ndalonte. Kur e pa që s’kishte mbështetje Noka replikoi edhe me Brahon të cilit iu drejtua me fjalët “Si e lejon Tahirin të largohet nga mbledhja. Të dhj… mu në kryetar që je. Nuk je i aftë të drejtosh një komision”.