Komision për verifikimin e pronave publike që do përdoren për kompensim pronarësh

535
Sigal

Pas 10 muajve, qeveria ka deklaruar se ka vendosur për
ngritjen e komisionit ndërinstitucional, i cili do të merret me bashkërendimin
e punës për identifikimin e pronës shtetërore që mund të kalojë dhe të bëhet
pjesë e fondit për kompensimin e pronave. Sipas vendimit të firmosur në
mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, komisioni ndërinstitucional
kryesohet nga zëvendëskryeministri, me përfaqësim nga Ministria e Drejtësisë,
Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit,
Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë,
Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme
dhe Ministria e Mjedisit. Niveli i përfaqësimit në komision është të paktën në
nivel zëvendësministri. Komisioni ndërinstitucional do të ketë disa përgjegjësi
dhe detyra. Ky komision do t’u kërkojë institucioneve shtetërore vënien në
dispozicion të të gjitha informacioneve për pronat, pjesë e listës së
inventarit të tyre, si dhe për pronat që janë nxjerrë jashtë funksionit; do të
identifikojë pronat që mund të kalojnë në fondin e tokës; do të kërkojë nga
institucionet shtetërore përkatëse verifikimin e pronave shtetërore që mund të
kalojnë në fondin e tokës për kompensim fizik si dhe do t’i propozojë Këshillit
të Ministrave kalimin e pronës shtetërore të identifikuar dhe të verifikuar në
fondin e tokës. Komisioni ndërinstitucional për identifikimin e pronës
shtetërore do të mblidhet një herë në muaj, ose në çdo kohë, me kërkesë të
kryetarit. Komisioni do të mbështetet nga Agjencia e Trajtimit të Pronës
në rolin e sekretariatit teknik.

 

;