Komedia, shoqëria civile “pjell” kandidatin për KLP

674
Shoqëria civile i jep fund shterpësisë, gjenden kandidaturat për KLP-në
Ditën që votohej kryeprokurorja e përkohshme, shoqëria civile zgjodhi 3 kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Një përkim që vërteton kontrollin e procesit nga shumica
Teksa Arta Marku zgjidhej si kryeprokurore e përkohshme dhe betohej përpara Kuvendit, në një seancë të tensionuar, shoqëria civile vendosi t’i japë fund shterpësisë dhe të përzgjedhë 3 kandidatura për vendin që i takon në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Pasi e ka shtyrë dhe bllokuar procesin e ngritjes së KLP-së për rreth 8 muaj, Komisioni ad-hoc i Shoqërisë Civile, i udhëhequr nga drejtuesi i fondacionit “Soros” në Shqipëri, firmosi përcjelljen e kandidaturave për Avokatin e Popullit. “Pas përfundimit të procesit verifikues nga ana e Avokatit të Popullit për përmbushjen e kritereve ligjore të kandidatëve që kanë shprehur interesin për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisioni i Shoqërisë Civile u mblodh sot në datën 18.12.2017 për verifikimin paraprak të këtyre kandidaturave mbi bazën e shqyrtimit të dokumentacionit përkatës. Në cilësinë e kryetarit të Komisionit ad-hoc të Shoqërisë Civile, po ju përcjellë emrat e kandidatëve për KLP, të cilët janë vlerësuar nga Komisioni se kalojnë fazën e parë të verifikimit paraprak, pasi përmbushin kriteret formale ligjore”, thuhet në letrën që mban firmën e Andi Dobrushit dhe i drejtohet sekretarit të përgjithshëm të Avokatit të Popullit, Fatbardh Zenelaj. Letra konfirmon se Komisioni i Shoqërisë Civile është mbledhur pikërisht më 18 dhjetor, ditën e zgjedhjes nga mazhoranca të një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm. Lista e kandidatëve që kanë kaluar filtrin e Komisionit të Shoqërisë Civile përbëhet nga Alfred Balla, Andi Muratej dhe Entela Hoxha. Ata janë thirrur sot në një seancë dëgjimore në ambientet e Avokatit të Popullit dhe brenda 3 ditëve kjo është procedura e tretë që zhvillohet. Gjithashtu, ky institucion ka njoftuar zyrtarisht edhe Kuvendin e Shqipërisë, i cili do të duhet të votojë për përbërjen finale të KLP-së. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të organit të akuzës dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë. Një vend është rezervuar për shoqërinë civile, por prej muajsh ajo nuk ka arritur dot të dërgojë përfaqësuesin e saj në një ndër organet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Pasi të marrin miratimin e Parlamentit dhe të kenë kaluar sitën e vetingut, anëtarët e KLP-së do të mblidhen për t’i dhënë fund mandatit të kryeprokurores së përkohshme. Megjithatë zgjedhja e anëtarëve të KLP-së në Kuvend nuk mendohet të jetë një hap i thjeshtë dhe mund të ende kohë. Prej muajsh, shoqëria civile është kritikuar se është vepron nën ndikimin e kryeministrit Rama, duke sajuar arsye për dështimin e disa raundeve të shqyrtimit të kandidaturave. 

Përbërja e KLP-së
1 – Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë.
2 – Anëtarët prokurorë përzgjidhen nga radhët e prokurorëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të prokurorisë. Anëtarët joprokurorë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. 
3 – Dy anëtarë joprokurorë zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy anëtarë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe një anëtar nga shoqëria civile.
Sigal