Kombi në lot, para reformatorit të epokave

543
Sigal

Orë pas ore mes respektit që i bëri Shqipëria birit të saj të nderuar, deputetit Sokol Olldashi.

Dita e djeshme ka nisur qysh në mëngjes me vizita të mijëra qytetarëve shqiptarë, në shtëpinë e Sokol Olldashit, e cila gjatë gjithë natës ka pasur gjithashtu, plot njerëz. Kjo shtëpi ndodhet pranë Rrugës së Elbasanit në katin e gjashtë, ku të ardhurit derdhën lot të sinqertë për humbjen e njeriut të tyre të afërt. Shqipëria ishte dje, në ditë zie, ndërsa flamujt janë ulur në gjysmështizë në nderim të deputetit dhe ish-ministrit Sokol Olldashi, i cili humbi jetën në një aksident tragjik në aksin Elbasan-Tiranë. Kuvendi i Shqipërisë u mbulua me një vello të zezë. Nën tingujt e muzikës funebre dhe me lule të bardha në duar, të afërm, miq, qytetarë e kolegë, që hera-herës nuk arrinin t’i mbanin lotët, i dhanë lamtumirën e fundit deputetit Sokol Olldashi. Sipas axhendës, kjo duhet të zgjaste deri në orën 11:00 pasi në atë kohë, trupi i Olldashit do të vendosej për homazhe në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë planifikim perfekt të orareve pati vetëm disa minuta vonesë, pasi në shtëpi pritej të mbërrinte vëllai i Sokol Olldashit, i cili jetonte prej shumë kohësh në Gjermani. Më pas arkivoli i deputetit të PD-së u vendos në mjediset e brendshme të Parlamentit shqiptar, i cili atë ditë kishte anuluar një seancë parlamentare, ku thuhej se edhe Sokol Olldashi kishte përgatitur një nga ato fjalimet e tij të përsosura.

Në Kuvend

Në Kuvend ishin edhe familjarët dhe dy djemtë e deputetit të ndjerë, të cilët u përpoqën të tregoheshin të fortë, në vendin ku babai i tyre ka mbrojtur me vendosmëri kauza të rëndësishme, ka patur debate të forta e replika, duke u bërë një zë i fortë i Partisë Demokratike. Në Kuvend u zhvilluan homazhet, ku morën pjesë, e mijëra vetë. Duket se politikanët e Majtë e të Djathtë në ato momente ishin bërë si vëllezër, pa dallime politike e partiake. Sepse Olldashi edhe me vdekjen e tij, bëri një vepër të dobishme duke i bashkuar politikanët pranë njeri-tjetrit. Ndërkaq, Këshilli i Ministrave e shpalli ditën e djeshme si Ditë Zie Kombëtare në nderim të Sokol Olldashi. Sipas vendimit të qeverisë, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar ulet në gjysmë shtizë, ndërsa shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit. Homazhet zgjatën deri në orën 14:00, dhe më pas trupi i pajetë i deputetit u përcoll mes dhimbjes së madhe, për në banesën e fundit.

Personalitetet para Olldashit

Para trupit të Olldashit kanë parakaluar dje me mijëra politikanë dhe njerëz të thjeshtë që nga kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha e deri te ish- lideri demokrat, Sali Berisha. Në orën 13:20, Kryeministri Edi Rama, i sapo ardhur nga Anglia, i është drejtuar Kuvendit, për të kryer homazhe në nderim të deputetit Sokol Olldashi, sapo ka mbërritur nga Londra, ku zhvilloi një vizitë zyrtare. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Kryeministri Rama u përkul përpara trupit të pajetë të deputetit Olldashi, u shprehu ngushëllimet familjarëve të deputetit dhe më pas i pikëlluar la edhe një shënim në librin e kujtimeve. Ndërsa 15 minuta më vonë dhe pikërisht në orën  13:45, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, u përkul me nderim përpara trupit të pajetë të deputetit Sokol Olldashi dhe më pas ngushëlloi dhe u dha kurajo familjarëve të tij. Pas kreut të shtetit, homazhe ka kryer edhe ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu. Në homazhet e djeshme nuk mungoi as ish kreu i PS-së, Fatos Nano.

Në banesën e fundit

Në orën 14:13 kortezhi me trupin e pajetë të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, iu drejtua varrezave të Sharrës për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Kështu, arkivoli me trupin e tij është drejtuar Varrezave të Sharrës, ku ai do të prehet përgjithmonë. Në fjalën  e tij, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se, Sokoli ishte dhe është një luftëtar që do të jetë impuls dhe forcë për të gjithë. “Këtu ku sot jemi mbledhur, për ti dhënë përshëndetjen e fundit Sokol Olldashit, do të donim të mos vinim kurrë. Në këtë humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme, të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe liderin e shumë betejave politike dhe njerëzore, është shumë e vështirë” tha ai. Gjithashtu foli edhe  miku i tij Astrit Patozi i cili tha: “Të dashur familjarë dhe miq të Sokol Olldashit. Çfarë do që të bëjmë dhe çfarëdo që të themi ne sot, në këtë ditë zie, do të ishin të pamjaftueshme për të nderuar dhe respektuar si duhet Sokolin. E unë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, e kam të vështirë të gjej fjalët. Sepse pata fatin e mirë, por edhe të keq, për shkak të kësaj gjëme, të jem një ndër miqtë e tij të afërt, për gati 20 vjet”.

Pas lamtumirës

Në orën 15:50 deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku pas përcjelljes për në banesën e fundit ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet për familjen e të ndjerit. “Familjes do t’i mungojë përjetë njeriu i dashur, studiove televizive debatuesi intimidues, i foltores së Parlamentit oratori karizmatik, Partisë Demokratike do t’i mungojë lideri frymëzues shkroi Jorida Tabaku në rrjetin “Facebook”. Ndërsa në orën 15:10 Kryeministri Edi Rama e vlerësoi maksimalisht figurën e deputetit Sokol Olldashi që u nda jeta tragjikisht dje nga një aksident automobilistik. Me një postim në rrjetin social “Facebook”, Olldashi, Rama e përkufizoi Olldashin si një politikan shpuzë që la një boshllëk në skenën politike. “U prehtë në paqe s’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtpërdrejt si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë e çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë si kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam”, u shpreh Rama.

U prehtë në paqe!

Edi Rama

“S’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtpërdrejtë si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë i çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë si kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam. Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike – ku mesa duket la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë!”.

  

Nga Ilir META

 Dhembja që na bën bashkë

 Vdekja nuk njeh radhë. Vdekja thonë se zgjedh. Kësaj here zgjodhi Sokol Olldashin, babain e fëmijëve, bashkëshortin e një gruaje dhe birin e një nëne. Gazetar dhe politikan, mik e kundërshtar, polemist i lindur, Sokol Olldashi hyri tashmë në heshtjen e tij. Për të tani flet dhembja e atyre që e kanë njohur. E atyre që e kanë parë. E atyre që kanë qenë dëshmitarë të jetës së tij të stuhishme në politikë, dëshmitarë të rrugës së jetës së tij që u ndërpre brutalisht në një natë me shi.  Krejt papritur!  Krejt befasisht!  Me vdekjen që e priste në takim në kthesën e fundme të jetës së tij.  E priste me ngut. Sepse e priste që copën tjetër të rrugës ta bënin bashkë! Është një humbje e padrejtë.  Është një dhembje e pamerituar! Sokoli nxitoi të mos jetë vonë. Dhe iku, iku shumë shpejt! Në këtë ditë të zymtë, jam me shpirt e me lutjet e mia dhe të familjes sime pranë familjes së mikut e kolegut tim, pranë dy fëmijëve të tij të mrekullueshëm, Glaukut dhe Kleitit, bashkëshortes së urtë Enkelejda e nënës së shumëvuajtur Kozeta. Jam me të gjithë miqtë e dashamirësit e tij të panumërt që sot Sokoli i bashkoi të gjithë në zinë për të. Sot, në këtë ditë të trishtë, ka dhembje pa kufi për Sokolin, një dhembje që ka kaluar dhe kufijtë e Shqipërisë e që ka trishtuar edhe në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, kudo ku jetojnë e punojnë bashkëkombësit tanë. Bashkoj dhe unë dhembjen me kolegët e tij në Partinë Demokratike dhe gjithë klasën politike, e cila tek Sokoli gjeti përfaqësuesin e një brezi politikëbërës që lindi në dhjetorin e stuhishëm të vitit ‘90. E një brezi plot vrull, me shumë dëshira e shpresa për ndryshim, që duke ndryshuar vendin, ndryshoi dhe vetveten! Politika ishte pasioni dhe talenti i tij i madh. Politika ishte rruga të cilës ju dha me pasionin që kishte për poezinë. Me pasionin për ta kthyer politikën në mjetin normal që do të sillte ndryshim; për ta bërë edhe vetë Shqipërinë një vend normal. Student i shkëlqyer, Sokoli  hyri në vitet 90’ me peshën e vuajtjes së persekutimit të egër e të padrejtë. Opozitar i lindur, u bë pjesë e opozitës së dikurshme atëherë kur ky ishte vendimi më i vështirë për t’u marrë dhe aktor domethënës i qeverisjes së djeshme dhe sërish faktor plot peshë i opozitës së sotme.  Sokol Olldashi nga heshtja e tij na fton të reflektojmë në heshtje. Shqipëria sot, si Ballkani dje, prodhon më shumë ankth, tension dhe nervozizëm sesa mund të konsumojë. Duhet të jetë kështu? Natyrisht që jo! Ky nuk është fatalitet. Nuk është as e shkruar që të jetë kështu. Me ikjen e tij, Sokoli na jep edhe një shans tjetër për të menduar qetësisht mungesën tonë të qetësisë, shqetësimin tonë të vazhdueshëm për të përkohshmen që na bën të harrojmë të pandryshueshmen: jemi qenie njerëzore përpara se të ndahemi për politikë. Ne shqiptarët, si gjithë ballkanasit, jemi nervozë në dasma dhe jemi seriozë e të menduar në funerale. Sepse dhembja na ndihmon të dëshmojmë pjesën tonë më të mirë. Sokoli iku që ta kujtojmë gjithmonë si një mik të mirë! Iku që të kujtojmë sërish se vetë dhembja na bën të gjithëve më të mirë!

U prehsh në paqe miku im!

Lulzim Basha, Kryetari i PD-së

“Këtu ku sot jemi mbledhur, për ti dhënë përshëndetjen e fundit Sokol Olldashit, do të donim të mos vinim kurrë. Në këtë humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme, të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe liderin e shumë betejave politike dhe njerëzore, është shumë e vështirë. Sepse sot, të gjithë së bashku, jemi duke jetuar një makth të tmerrshëm dhe të pabesueshëm. Na duket sikur nga çasti në çast, do të zgjohemi nga ky makth dhe nga kjo gjëmë e papritur. Nuk na besohet dot të mos e shohim Sokolin gjithnjë në këmbë, gjithnjë në krye, me pamjen e tij të vendosur e të hijshme, me buzëqeshjen e tij të rrallë, ku çiltërsia rinore u kishte rezistuar për mrekulli viteve të moshës së burrërisë dhe pjesëmarrjes së zjarrtë në sa e sa beteja politike. Të dashur familjarë dhe të afërm të Sokolit, të nderuar miq dhe kolegë,Si bashkëpunëtor, si koleg dhe si kryetar i Partisë Demokratike, e kam unë sot këtë barrë kaq të rëndë, që të përcjell bashkë me ju, me lot dhe dhimbje dhe mundësisht edhe me fjalët e duhura, Kolin tonë të dashur. Zoti na është dëshmitar që do të donim me gjithë forcën që njeriu ndryn në shpirt, që kjo e sotmja të mos ish një ditë e vërtetë. Do të donim të mblidheshim sot, kaq shumë sa jemi mbledhur, për të festuar datëlindjen e tij, apo një gëzim tjetër familjar, gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që të mos na nxjerrë goja të themi: Se Sokolin nuk do ta kemi më midis nesh! Sepse Sokoli, ashtu si edhe e ka emrin, ishte dhe është një luftëtar, një Sokol i paepur i shumë betejave, jo vetëm politike, por mbi të gjitha e në radhë të parë i betejave njerëzore. Për një Shqipëri më të mirë dhe për një Shqipëri ndryshe, europianiste, krenare dhe të çliruar nga prapambetja. Sokoli shkëlqeu si gazetar politik e opozitar i paepur, ku për vite të tëra, ndër më të vështirat për Partinë Demokratike, ai çmontonte dhe denonconte intrigat politike që tkurreshin kundër nesh dhe u jepte kurajo radhëve tona. Na jepte kurajo kur ishim në pakicë dhe kur forca të errëta kërkonin me çdo kusht të na zhbënin si forcë politike e të mirës dhe si ndërtimtare të Shqipërisë europiane. Sepse ai e dinte që në moshën 18-vjeçare si bashkënismëtar i lëvizjes së Dhjetorit, se misioni dhe roli i Partisë Demokratike, ishte një mision i madh, i patjetërsueshëm dhe i shenjtë. Sokoli përjetoi një fëmijëri të trazuar për shkak të persekutimit absurd dhe kriminal që Diktatura i bëri familjes së tij. Por jeta e tij shoqërore dhe politike, dëshmoi se ai e kish bërë një betim, një betim që e mbajti të gjithë jetën e tij:Të luftonte për të drejtat demokratike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, që askush më të mos persekutohej dhe të vuante si vuajti ai dhe familja e tij. Dhe ne jemi sot këtu për të premtuar përmes dhimbjes dhe lotëve, se betimi yt Sokol, është edhe betimi ynë! Për aq sa do të kemi frymë dhe jetë!Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim me Partinë Demokratike, në ditë të këqija e në ditë të vështira. Me profilin, kurajën dhe vizionin e veçantë te liderit, me forcën dhe këmbënguljen e një burri me vullnet të madh, por me buzëqeshje të dlirë dhe të pastër rinore. Shqiptarët e përqafuan këtë mirësi dhe forcë që buronte nga shpirti i tij, duke e votuar masivisht katër herë rresht për deputet të Kuvendit të Shqipërisë, si djalin dhe misionarin e tyre. Në këtë dhimbje kaq të rëndë që na hape o miku dhe vëllai ynë, pasionant i poezisë, artit dhe muzikës, mjeshtër i fjalës dhe i debatit, parlamentar i dimensionit të guximit, ministër vullnethekurt, baba, bashkëshort,djalë dhe vëlla i pazëvendësueshëm, na krijove një brengë të pashërueshme. Përulemi thellë në këtë trishtim dhe në këtë zymtësi të papërshkrueshme që vdekja jote na shkaktoi. Në këtë traumë të rëndë që mungesa jote na shkakton deri në kockë. Por je dhe do të jesh gjithmonë për ne, impuls dhe forcë, një zë i dashur dhe një mik i përjetshëm, një deputet i shtrenjtë i popullit tonë, një djalë dhe një baba i pazëvendësueshëm. Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla. U prehsh në paqe!

   Sokolin do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë

 Alexandër Arvizu, ambasador i SHBA-ve

U trishtova shumë kur mora vesh se Sokoli ndërroi jetë. Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës sime në Shqipëri dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend më të mirë, për të gjithë. Kur e takova për drekë disa javë më parë, më tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij. Më tregoi për planet që kishte për të vizituar Shtetet e Bashkuara në pranverë dhe unë i thashë se do e prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut. Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegëve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë kohë të vështirë!

Rruga Tiranë – Elbasan, të marrë emrin “Sokol Olldashi”

Për të nderuar veprën e deputetit Sokol Olldashi, bëhet propozimi që rruga Tiranë – Elbasan të marrë emrin “Sokol Olldashi”. Ky propozim  duket mëse me vend. E para: Olldashi insistoi dhe ishte iniciatori i ndërtimit të kësaj rruge. Si ministër i Transportit, Sokol Olldashi e ndoqi përditë, u përkujdesu gjatë gjithë kohës, për mbarëvajtjen e punimeve. Së dyti: Është respekt për të gjithë ish të internuarit dhe të persekutuarit politikë, pjesë e së cilës ishte vetë Sokoli dhe familja e tij. Së treti, ishte gjimnazisti që në vitet ’90 u angazhua me forumet rinore gjatë kohës së rrëzimit të sistemit monist dhe vendosjes së demokracisë. Megjithatë, fjalën e fundit do e thotë Qeveria shqiptare.