Kombi dhe fetë

963
Prof. Moikom ZEQO
Fjalët “liri” dhe “demokraci” janë metafora të njëra-tjetrës, fjalë të pazëvendësueshme, pothuaj binjake por megjithatë, ato nuk janë sinonime. Demokracia përfaqëson sistemin e ideve, por edhe të praktikave, që bëjnë të mundur institucionalizimin e lirisë. Në diktaturën totalitare etatizohen idetë dhe praktikat, duke e kthyer njeriun në një subjekt jo të vetvetes, por të shtetit. Kjo bie në kundërshtim tragjik me liritë themelore të njeriut, me natyrën e tij të mirëfilltë ekzistenciale, me të “drejtat natyrore”, siç i kanë formuluar Xhon Loku dhe Monteskie shekuj më parë. Liria e ndërgjegjes është kryeparimi, ligji i Njutonit për tërë kushtetutat e vërteta demokratike. Liria e ndërgjegjes është shumë më e gjerë dhe universale, e prej saj buron edhe liria e besimit, si një segment i ideve politike dhe ideve fetare. Sistemi enverian ishte kundër në konceptim e praktikisht me lirinë e besimit, e cila posedon masivitete të mëdha njerëzish, duke imponuar monizmin partiak dhe njëkohësisht ateizmin e detyruar shtetëror, madje duke shkuar deri në absurditet, i dekretoi simbole kushtetuese. Kjo ishte diçka tragjike dhe në thelb paradoksale. Ndalimi i besimit fetar, suprimimi i institucioneve fetare në vitin 1967 është pa precedencë në historinë evropiane dhe botërore, për të mos harruar këtu defetarizmin dhe të kalendarit nga Robespieri, apo dekretin e 1793 të blankistëve, për ndalimin e çdo organizate fetare etj. Po këtu harrohej, se “ natyra non facit saltus”, nëse eksperimenti i ateizmit të detyruar në Francë qe tepër i shkurtër e aksidental, në Shqipëri vazhdoi për 23 vjet. Projektligji për komunitetet e organizatat fetare, që do i paraqitet Parlamentit për aprovim përbën në fakt aktin themelor të institucionalizimit të lirisë fetare e të përcaktimit të saj kushtetues si status, për subjektet e të njëjtës natyrë. Dua të nënvizoj disa ide shtjelluese të vetë projektligjit. 
1. Ndarja e fesë nga shteti që nga Revolucioni Francez e këndej është parimi i shoqërive të lira, kundër çdo teokratizmi mesjetar, apo fundamentalizmi fetar edhe të ditëve të sotme. Kjo siguron, që të mos instrumentalizohet as shteti nga fetë, as fetë nga shteti, njëkohësisht respektimin e ndërsjellë. Për të arritur deri këtu, njerëzimit i janë dashur shekuj. Çështja fetare, duke mos u subjektivizuar nga shteti, objektivizohet si çështje private. Liria e besimit është liria e personit, e pa detyruar ligjërisht. Parimi i ndarjes së shtetit nga feja është parim universal, që nuk lejon të etatizohen interesat fetare, as të fetarizohen interesat shtetërore. Megjithatë përcaktimi me ligj i një mekanizmi ndërmjetës, po jo si ai që ka ekzistuar deri tani i quajtur “drejtoria për çështjet fetare” pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është i domosdoshëm, por mendoj pranë Kryeministrisë. Shteti ndjek rrjedhimet e detyrimet kushtetuese e ligjore për tërë shtetasit, pavarësisht nga bindjet fetare. Në këtë pikëpamje roli i tij është i pranishëm, nga ana tjetër, ligji ndalon imponimin politik të shtetit, e ruan paprekshmërinë doktrinare e teologjike të feve. 
2. Shqipëria nuk është një vend monofetar, por nga vendet e pakta në botë dhe i vetmi vend në Evropë, me një pluralitet fesh të mëdha e sektesh. Kjo thjesht specifikë e saj nuk duhet harruar asnjëherë, përkundrazi, ajo nuk është thjesht specifikë temporale, se sa një specifikë e çuditshme e vetë historisë kombëtare. Mbi paganizmin e fuqishëm ilir u ftillëzua një krishtërim i hershëm, tepër interesant që në gjysmën e parë të shekullit të parë të erës sonë. Shqipëria është nga vendet e para të krishterimit në Evropë të apostoluar nga vetë Shën Pali. Po, megjithatë Shqipëria u bë truall tipik i bashkekzistencës, i degameve fetare i krishterimit lindor e perëndimor, i arianizmit, manikizmit, bogomulimit në Mesjetë etj. Feja e tretë u bë historikisht islamizmi lindor, pa harruar sektet midis tyre bektashizmin, për të cilin Shqipëria qe dhe qendra botërore. Ky pluralizëm fesh, instrumentalizuar nga të huajt ka qenë edhe burim i tmerrshëm përçarjesh e në shekuj përçarja ka qenë Kalorësi i Pestë i Apokalipsit. Kështu “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Mori rolin dhe vlerën e një ligji moral të padiskutueshëm. Edhe sot kjo aksiomë e përcakton kushtetutën shpirtërore të shqiptarëve, pavarësisht nga ana juridike. Këtë të mos harrojmë kurrë. 
3. Ndalimi i fesë dhe institucioneve fetare nga ana e diktaturës, qe veç të tjerave këputje absurde e lidhjeve me botën, sepse lidhjet fetare janë lidhje internacionale. Fetë nuk janë nacional, por internacionale universalizmi i tyre s’ka kufij, për popuj e vende, veprojnë në njerëzimin, si një e tërë. Këtu del në plan ana kulturore e etike e tyre e gërshetuar në tërë historitë e kombeve. Por, ama nuk janë fetë mbi kombet, janë kombet mbi fetë. Kjo e vërtetë historike, sidomos tani, në fund të shekullit XX është për ne, shqiptarët, një ‘causa sui’, që duke qenë komb unik diversiteti i feve nuk mund të bëhet një mohim i kombit, por edhe i traditave kombëtare. Me këtë mesazh qytetërimi dhe atdhetarie të lartë luftoi Budi në shekullin e XVII për kombësinë shqiptare të ipeshkëve ishte kërkesë popullore. Në 1602 shqiptarët i shkruanin Papës: “po shohim se pa dëshirën tonë vijnë nga anët tona ipeshkvij, abatë e të tjerë të huaj nga kombi, të huaj nga gjuha, të huaj në zakone dhe duke e krahasuar ardhjen e tyre me skenën biblike të fundosjes në ferr të engjëjve kryengritës thërrasim me shprehjen e psalmit mjerë ju detra e tokë, sepse po zbret djalli në ju”. Nuk e përmenda këtë fakt historik për të bërë një show, apo për të emocionalizuar me qëllim. Jo. Po dua të argumentoj, se kur para 4 shekujve kjo kërkesë kishte logjikë, pse të mos ketë edhe sot? Për të argumentuar po shtoj më tej edhe këto mendime: 
A. Duhet vënë në ligj që kryetarët e komuniteteve fetare të kenë kombësinë dhe gjuhën shqiptare. Ligji është afatgjatë. Predikimet me përkthim janë të tejkaluara në kohë e grada ekleziaste bëhet formale, jo ndikuese, pa komunikimin e gjuhës amtare dhe harrohet se institucioni fetar është realisht në një truall kombëtar të caktuar. 
B. Mbështes Deklaratën e Kryekishës Ortodokse Shqiptare në SHBA në lidhje me projektligjin për komunitetet dhe organizatat fetare në Shqipëri firmuar nga At Artur Liolin në 4 nëntor 1992. 
C. Autoqefalia e Kishës Ortodoks Shqiptare është një fakt juridik, po edhe historik. Duke respektuar dogmat universale të ortodoksizmit, Statuti i vitit 1929 konsolidoi kishën shqiptare ortodokse si kishë kombëtare. Me 28 mars 1936 nisën bisedimet me At Artur Liolin në Kostandinopojë e më 12-IV. 1937, me dekret të lartë kishtar, nr 609, Patrikana Egumenike e njohu botërisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Fan Noli i pavdekshëm është konceptues dhe një kampion i madh i kësaj vepre kombëtare e historike. Po të mohojmë këtë gjë kemi mohuar veç të tjerash, edhe vetë Fan Nolin. Apeli, që bëri i nderuari at Liolin, pasardhës i denjë i Nolit, është si të fliste vetë shpirti i Nolit me gojën e të sotmes dhe të ardhmes. Ngul këmbë, që kryetarët e komuniteteve fetare të kenë kombësi e gjuhë shqipe, të përcaktuar me ligj, sepse afatgjatësia e ligjit, është në logjikë e shumë shpejt dhe klerikët fetarë do t’i arrijnë gradat eklezistike e në mos s’kemi ndërmend të bëjmë një herë një ligj, kur nuk i kanë edhe një tjetër, kur ata t’i kenë ndërmend të bëjnë këto grada të larta të hierarkisë fetare. 
4. Liria e ndërgjegjes si liri më supreme i jep njeriut të drejtë edhe të jetë fetar, po edhe të jetë ateist, nuk i paragjykon bindjet e njerëzve. 
Sigal