Sigal

Letër e Hapur drejtuar: Ministres së Mbrojtjes -Znj. Olta Xhaçka dhe Shefit të shtabit të përgjithshëm të FA, Gjeneral brigade Z. Bardhyl Kollçaku

Në radhë të parë ju uroj juve, gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe në veçanti komunitetit të ushtarakëve në rezervë në pension dhe atyre aktiv gëzuar festat e fundvitit, vitit 2019 ju sjelltë mbarësi! Të nderuar zotërinj, kam kohë që po ju kërkoj një takim, madje ju kam shkruar dhe disa letra, por deri tani nuk kam marrë asnjë përgjigje. Edhe një ushtar i thjeshtë të kishte qenë do të kishit marrë mundimin të më kthenit përgjigje, e pse jo edhe të më rezervonit një takim prej dhjetë minutash, sepse problemet që unë kam ngritur në vazhdimësi këtij viti që po ikën nëpërmjet edhe shtypit të përditshëm nuk janë personale. Sa për dijeni dhe kujtesë që ju Znj. Ministre në vitin 1992 keni qenë “Pioniere e PS” dhe që sigurisht nuk mund t’ju shkojë ndërmend që unë personalisht së bashku me shumë kolegë të mi në atë kohë kemi qenë militantë shumë aktivë të PS, madje edhe jam dënuar nga regjimi i Berishës. Për këtë mund të pyesësh edhe stafin tënd ku ende kanë mbetur disa kuadro që më njohin shumë mirë.

Me këtë rast të këshilloj që të mos pyesësh kuadro të tipit P. T., të cilin po ta kontrollosh në befasi do t’i gjeni nëpër xhepa disa tesera partie dhe në veçanti atë të PD-së. Sa për dijeni këtij tipi së bashku me ish-drejtorin e tij të dikurshëm për vitin e ardhshëm 2019 do t’ju bëje një “dhuratë” fjala është që do të publikojnë jetëshkrimin e tyre.

Për sa më sipër mua më bën të dyshoj se mos vallë në stafet tuaja Znj. Ministre ka kuadro, të cilët nuk ju informojnë për hallet dhe problemet që ngrenë ushtarakët e dalë në rezervë e pension, të cilat janë bërë publike, jo vetëm nga unë por edhe nga shumë kolegë të tjerë. Është vërtetë e çuditshme që në prag të zgjedhjeve që po afrohen, ndaj komunitetit tonë vazhdohet që nga ana juaj, madje edhe nga vetë Kryeministri mbahet një qëndrim indiferent edhe mospërfillës. Këtë qëndrim nuk do ta mbante as PD-ja, e cila përditë po na bën thirrje që t’i afrohemi, sepse me ardhjen e saj në pushtet do na i zgjidhë gjoja problemet që kemi.

Siç kam theksuar edhe më lart në shkrimin tim të datës 29 Nëntor 2018, në gazetën “Telegraf” kam ringritur disa probleme, të cilat në vite kanë shqetësuar dhe vazhdojnë të shqetësojnë komunitetin tonë, probleme të cilat ua kam bërë prezent edhe juve, por që deri tani asnjë reagim. Edhe në qoftë se letrat e dërguara nga ana ime ua kanë bërë prezent dhe ndoshta mund të keni bërë edhe ndonjë shënim, deri tani me gjithë kërkesat e mia ato nuk po gjenden, pra duhet të kenë ikur në drejtim të paditur. Kjo, mendoj unë është më e rënda, sepse nuk po gjejmë asnjë gjurmë ku kanë përfunduar ato. Është diçka e pabesueshme dhe që nuk mund të ndodhë në asnjë dikaster shtetëror apo privat qoftë, por ja që sot ato ndodhin në Ministrinë e Mbrojtjes. Ju bëj me dije se edhe këtë radhë (ishalla për 2019) po pres reagimin tuaj dhe do të ishte në nderin tënd që të jepnit përgjigje, jo vetëm mua, por të merrnit një takim edhe me masën e madhe të ushtarakëve të dalë në rezervë e në pension. Të jeni të bindur se nga ky takim do të ndiheni mirë dhe do të “ushqeheni” direkt me disa probleme madhore që janë jo vetëm tonat por në tërësi për sigurinë kombëtare. Sigurisht ju Znj. Ministre këtë funksion e keni politik dhe që ne e kuptojmë që për vetë moshën dhe eksperiencën e pamjaftueshme që keni për ushtrinë nuk mund të na kuptoni sa e si duhet. Por ne për asnjë rast nuk mund të pajtohemi me qëndrimet e shefave të shtabeve të përgjithshme të FA, se ata që kanë ikur dhe në veçanti për juve Z. Bardhyl që vazhdoni ta ushtroni këtë funksion. Për vetë karakterin dhe profesionalizmin që keni të takon të reagosh, paçka që dhe me altoparlant të flasësh politika dhe qeveria dhe kjo e sotmja nuk të dëgjojnë .

Këto kohët e fundit ka filluar të shkruajë në media ish- shefi i shtabit të përgjithshëm Z. Karoli. Unë i them Zoti Gjeneral për çfarë po shkruan? Sepse ato probleme që ngre janë bërë publike shumë kohë më parë. Unë siç jua kam thënë edhe herë tjetër, po juta përsëris jo vetëm juve por edhe kolegëve tuaj që do të ishte mirë që të prononcoheshit për probleme të tilla si:

Së pari, si u bë reforma në ushtri, kush e bëri dhe ç’pasoja solli dhe të paktën për modesti nxirr dhe përgjegjësinë tënde.

Së dyti, si ka mundësi që deri tani ju personalisht nuk jeni prononcuar apo të paktën të solidarizoheshit me kritikat që jo vetëm unë por dhe shumë të tjerë kemi bërë dhe vazhdojmë t’i bëjmë qeverive për problemet tona?

Së treti, si janë katandisur sot forcat e armatosura?

Mirë kufijtë detarë e ajrorë që na i monitoron NATO dhe që i kemi shumë të “sigurt” sa në vendin tonë po hyjnë e dalin derra dhe dosa, ndërsa kufijtë tokësorë na i mbrojnë çobanët me bagëtitë e tyre. Pra do të ishte mirë që ju të bënit analizë për këto probleme të tjera dhe jo për ato gjëra, të cilat kanë ikur në “drejtim të paditur”!