Koli ti nuk ishe, por vargjet e tua ishin pranvera e mbrëmjes së 17 dhjetorit

506
Sigal

Në Teatrin e Komedisë “Spahivogli” promovohet libri me poezi i Sokol Olldashit “Unë dhe unë”

Një libër interesant, një promovim tepër i veçantë, një pjesëmarrje e paparashikuar. Nuk ishte organizim partiak, apo institucional, por familjar, që tregoi se sa miq kishte Sokoli. Ishin familjarët, nëna, bashkëshortja, fëmijët, daja i tij që organizuan këtë promovim risi. Në skenë gjigandët e aktrimit Tinka Kurti, Roza Anagnosti, Sokol Angjeli dhe kitaristi Franc Koruni. Një sallë e tejmbushur ku shihje deputetë, ish-ministra, poetë, shkrimtarë, gazetarë, ish kolegë, politikanë, miq dhe të afërm të tij. Salla “Spahivogli” ndoshta ishte hera e parë që shihte një pjesëmarrje të tillë. Recitimet e Tinkës, Rozës, Angjelit nën tingujt magjik të kitaristit Koruni, përcillnin emocione të jashtëzakonshme. Mbrëmë Sokol Olldashi foli me poezinë e tij. Foli me gjuhën e poetit, me gjuhën e Zotit, me gjuhën më të bukur të mirësisë që vetëm poetët e gëzojnë. Ai ishte brenda vargjeve, herë i gëzuar, herë i hidhëruar, herë rebel, herë zemërbutë, herë i trishtuar, herë plot vrull, ishte si hënë, ishte si Diell, ishte si zog, ishte si pulëbardhë, ishte si njeri ishte dhe si Zot, ishte si baba, ishte si politikan, ishte si gazetar, ishte si intelektual. Në gjithë librin, ishte Sokoli i vërtetë, Sokoli që nuk kishim njohur. Sokoli i penës, i vargjeve të bukura, i  vargjeve kushtrim, i vargjeve njerëzorë, i vargjeve për paqe dhe përparim. Ne pamë mbrëmë Sokolin e padukshëm, Sokolin e vërtetë që ai nuk mundi ta shpaloste deri në fund. Iku i ri, pasi Zoti e donte pranë vetes. Poezia e tij ishte një vargëzim jetësor që  të ngjallte ndjesinë e një jetë tjetër, e një bote ideale që mund ta bëjnë njerëzit që vërtetë besojnë në ideale. Askush nuk e njihte Sokolin si mbrëmë. Ai ishte i vërteti, i sinqerti, i pa eksploruari. Poezia është kënga e zotit. Poezia është arti më i arrirë, ku fjala zgjon dëshirën më të madhe për të përjetësuar vërtetësitë kohore pa kompromise. I tillë ishte Sokoli dje. Në poezi ai nuk kishte kompromis. Nuk mbante ngjyra partiake, as vargonj të detyrueshëm për tërheqje dhe mbulesa të vërtetash. Poezia a tij ishte një këngë për veten, miqtë, shokët, familjen por mbi të gjitha, nënën. Poezia e tij kushtuar nënës  është një monument që rrallë poet mund ta përcjellë me ndjeshmëri të tillë. Në çdo varg, në çdo strofë, në çdo poezi, Sokoli ishte vetvetja, ishte intelektuali, ishte politikani, ishte gazetari, juristi, por mbi të gjitha ishte poeti që di të falë dhe di të jap mirësi. Ai iku shpejt, pasi poetët lënë më shumë veprën të flasë. Ai iku kur i duhej më shumë familjes, fëmijëve, nënës, bashkëshortes,  por iku duke lënë dhe një vepër si ajo dje. Një vepër që i kalon kufijtë e një vepre të thjeshtë letrare. Mbrëmë dukej sikur Sokoli fliste me yjet. Ato dy orë duket se qëndronte duke menduar. Zambakë m’ u shfaqen para syve në ato poezi si shoqëruese për lirizmin që mbartnin brenda. Sa herë lexonte Tinka apo Rita, shpirti mbushej me mallin e dritës që krijojnë zambak të bardhë dhe të kuq që të çelin në sy ëndrrën për ti dëgjuar prapë. Ëndrrës së tij me këto vargje Sokoli i jepte dashuri lumturie, për të gjithë.  Ai mbrëmë na dha, një urim të ëmbël për një jetë në paqe pasi poezia e tij përhapte aromë të trëndafiltë. Eh, ja një psherëtimë e përmbajtur më sëmboi në shpirt. Trupi u drithërua mes vargjeve, se ato vargje buisnin mirësi si pikëvesa e mëngjesit. Faleminderit Sokol për këtë dhuratë. Ti përjetësove veten, pasi poetët janë vetë pavdekësia. Atdheut i drejtoheshe: Frymoj për ty, mall, pritje, padurim, këngë, poezi, emocion, portretin tënd kam në gji. Vargjet e tua ishin Pranvera e mbrëmjes së 17 dhjetorit, ishin fjongo gëzimi në nyjën e zemrave tona.

Albert Z. ZHOLI

Durrësi nderon Olldashin

Ish-deputeti demokrat shpallet “Qytetar Nderi”

Ish-deputeti Sokol Olldashi shpallet “Qytetar Nderi” i qytetit të Durrësit pas vdekjes, qytetit ku ai lindi. Në ceremoni ku nuk munguan shokët e fëmijërisë, kolegët politikanë nga të gjitha forcat politike, prindërit e tij, bashkëshortja dhe dy djemtë, të afërm e të tjerë. Në këtë ditëlindje, Këshilli Bashkiak i ka dorëzuar titullin “Nderi i qytetit të Durrësit” pas vdekjes, djalit të tij, Glauk Olldashit. Ish-deputeti ka munguar fizikisht, por nëpërmjet një kolazhi fotografish, sinkronizuar me zërin e tij dhe muzikën e tij të preferuar, ka ardhur i gjallë në skenë. Mësuesit e kanë përkujtuar si djalin e shkëlqyer në mësime, që në moshën 17-vjeçare shpërndante traktet kundër komunizmit e më pas pjesëmarrës aktiv në përmbysjen e sistemit. Në Pallatin e Kulturës të Durrësit, të shumtë ishin qytetarët dhe miqtë e Olldashit; miku i tij Igli Cara solli kujtime dhe tha se ai është sfinksi i politikës shqiptare, që diti të fitojë e të humbasë me nder. Kozeta Mamaqi, nëna e Olldashit, për asnjë moment nuk ka reshtur së lotuari, teksa shumë miq e dashamirës e kanë e përkujtuar atë. Sokol Olldashi lindi më 17 dhjetor 1972 në qytetin e Durrësit dhe vdiq në 20 nëntor 2013 në një aksident të rëndë automobilistik në Krrabë. Ishin të pranishëm edhe shumë deputetë jo vetëm nga  e djathta  por dhe e majta.

 Artur  Ajazi