Kolera troket në familjet e Tiranës dhe tek Burgu i Grave, qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e Bashës

584
Sigal

 Bashibozukët e Ujësjellësit të Sait Dollapit po helmojnë Tiranën.  Autoriteti Shëndetësor Rajonal hesht  për këtë skandal

Ka ditë që banorët e rrugës “Idriz Dollaku” po përjetojnë bashkëjetesën e ujërave të zeza  me atë të pijshëm në çezmat e tyre. Megjithëse janë bërë me dhjetëra ankesa dhe njoftime  për çarjen e tubacioneve pikërisht në pallatin që furnizon Burgun e Grave me pallatin “Domus” askush nga Ujësjellësi i Tiranës nuk ka ndër mënd që të merret me riparimin e defektit.  Banorët e kësaj lagjeje, por edhe  të burgosurit e burgut janë në rrezik potencial nga shpërthimi i kolerës dhe kjo pasi në tubacionet e ujit të pijshëm vjen ujë I ndyrë  dhe me fekale për shkak të thithjes nga tubacionet e çara gjatë kohës që ndërpritet uji.  Në redaksinë e gazetës “Telegraf” ka pasur telefonata të qytetarëve që kërkonin ndihmë për sensibilizimin e kësaj situate pasi disa fëmijë janë bërë objekt i vizitave në qendrat shëndetësore dhe shkak  përzierja e ujërave të zeza më ato të ujit të pijshëm. Të pyetur në lidhje me  njoftimin e ujësjellësit për këtë problem ata deklarojnë se, “kemi ditë që i kemi lajmëruar duke shkuar në vend, pasi me telefon, megjithë përpjekjet është e pamundur një gjë e tillë”. Dhe ne e provuam të përçojmë shqetësimin qytetar tek Ujësjellësi i Tiranës nëpërmjet telefonit. Por çfarë na ndodhi? Morëm numrin e telefonit që është shënuar tek procesverbalet e furnizimit me ujë të Sait Dollapit në numrin ( 0355 4 222 48 54 ) dhe përgjigja është se ky numër nuk ekziston. E tmerrshme dhe paradoks që të vjen sa për të qarë edhe për të qeshur me këtë institucion, i cili është mbërthyer nga klientelizmi dhe krahinizmi.  Pas kësaj, morëm një faturë tatimore të lëshuar nga Ujësjellësi pikërisht për zonën, e cila i përket lagjes, ku është lëshuar kjo faturë dhe konkretisht në numrin ( 04 22 40 978 ). Në këtë numër na del një zonjë, e cila na thotë se duhet të kontaktoni me numrin 04 22 40  972 . Pasi i telefonuam këtij numri dhe i kërkuam për t’i transmetuar shqetësimin e banorëve të rrugës “Idriz Dollaku”  në pallatin “Domus” ngjitur me Burgun e Grave ajo na përgjigjet se, “duhet të merrni më mirë numrin 04 22 66 133”. Dhe kjo ishte më interesantja e mundshme. Pasi i telefonuam këtij numri na del një sekretari me dhjetëra opsione, ku ne duhet të linim mesazhin, por që vetëm për shqetësimin qytetar nuk kishte vend. Pra, sikurse shihet është e pamundur të kontaktosh me telefona me Ujësjellësin e Tiranës për shkak të burokracisë dhe numrave fiktivë që janë vendosur në faturat e vetë ujësjellësit. Është detyrimi Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, zotit Lulzim Basha të ndërhyjë dhe të mos lejojë që individë të caktuar të Ujësjellësit të Tiranës të lakuar për nivelin e lartë të korrupsionit, papërgjegjshmërisë dhe  matrapazëlliqe të ndyjnë emrin e mirë të zotit Basha apo të përfitojnë nga etika dhe edukata qytetare e tij. Është e pafalshme që në faturat e Ujësjellësit të Tiranës shënohen detyrimet për pagesat e ujit të pijshëm dhe ujë i pijshëm nuk vjen, flitet për ankimim pranë “Zyrës së Marrëdhënieve me Konsumatorin” dhe ato nuk ekzistojnë ose janë të mbuluara nga burokracitë . Ndërkohë që, janë marrë me qira me dhjetëra objekte dhe mirë është bërë që janë marrë, por ato duhet të jenë në efiçencë dhe shërbim të qytetarëve dhe jo si në rastin konkretë dhe me dhjetëra qindra të tjera, ku Ujësjellësi shpërfill qytetarët, të cilët në momentin e votimeve do t’i kërkojnë dhe sigurisht do ndëshkojnë Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, të cilët mbajnë nën sqetull një njeri hipokrit si Sait Dollapi në krye të Ujësjellësit. Arsyeja e shqetësimit të sotëm është heshtja dhe indiferenca e Ujësjellësit të Tiranës  për ndërhyrjen e këtij institucioni si detyrim ligjor ndaj popullatës.  Për të eliminuar  epidemitë banorët e Rr. “Idriz Dollaku” pranë Burgut të Grave i kërkojnë  Kryebashkiakut Lulzim Basha të dërgojë inspektorët e vetë për të verifikuar këtë  situatë alarmante dhe vërtetësinë  e shqetësimit që qytetarët kanë  bërë prezent pranë  gazetës si dhe të ushtrojë kompetencat e tij duke detyruar Ujësjellësin të riparojë tubacionin e çarë, e cila po dërgon në çezmat e banorëve ujin e përzierë me fekale. Nga ana tjetër, indiferenca e drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Higjienës  pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal  tregon heshtjen për shkak të  lidhjeve  krahinore midis drejtuesit të saj dhe atij të Ujësjellësit Tiranë. Në numrat e ardhshëm do të bëjmë prezentë edhe rastet skandaloze me foto dhe argumente të vjedhjeve dhe skandaleve të punonjësve të Ujësjellësit  të Tiranës.