Kol. Hajro Limaj: Thaçi midis Kosovës dhe Serbisë

520
Sigal

Thaçi midis Kosovës dhe Serbisë

Nga Kolonel Hajro Limaj

Shteti i Kosovës vitet e fundit jo vetëm që nuk ka pasur përparimet e pritshme në politikën e brendshme dhe të jashtme, po ai në shume drejtime këtë vit e thelloi më shumë krizën. Nga një analizë e qetë, e paanshme dhe me shumë dashamirësi për popullin vëlla të Kosovës rezulton se lidershipi politik i saj, kryesisht president Thaçi, jo vetëm që nuk ka nivelet e nevojshme për të drejtuar dhe konsoliduar shtetin e ri të Kosovës, por krijon në vazhdimësi probleme shumë të mprehta dhe shumë delikate për unitetin e Kosovës dhe të ardhmen e saj territoriale dhe integruese në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ai ka marrë “flamurin” e ideve dhe platformave dhe çfarë thotë një ditë nuk thotë ditën tjetër. E nisi me deklarimin e korrigjimit të kufijve, pastaj me “dhuratën” që do t’i japë Serbia duke i falur Kosovës Luginën e Preshevës, pastaj hodhi bombën tjetër të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën dhe Luginën e Preshevës. Këto deklarime dhe qëndrime të tij janë kundërshtuar ashpër nga kryeministri aktual Z. Haradinaj dhe pjesa dërrmuese e politikanëve dhe analistëve. Bile disa deputetë kërkuan që të kërkohej në Kuvend shkarkimi i tij, ndërsa disa të tjerë ta shtrojnë në spital për ta kuruar mendërisht. Ditët e fundit, nga kundërshtar i rreptë i vendosjes së taksës 100% të mallrave serbe, deklaron se edhe në takimin e Parisit nuk do të pranojmë heqjen e kësaj takse.

Por dihet se Z. Thaçi qe nga çlirimi i Kosovës është personi që ka mbajtur detyrat më të rëndësishme, ministër i jashtëm, kryeministër dhe tani president. Është nga autoret kryesorë të kushtetutës aktuale të Kosovës ku nënvizohen edhe problemet qe ai i ka hedhur ne treg:

Mos ndryshimi i kufijve ekzistues dhe mos bashkimi me asnjë shtet tjetër.

Atëherë nga i ka ardhur ky oreks Z. Thaçi? Është në krizë politike apo në krizë mendore? Është në shërbim të interesave të Kosovës dhe të kombit shqiptar apo të Serbisë?! Hapja e diskutimit për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën i hap rrugën e plotë Serbisë të aneksoje Mitrovicën e Veriut me Trepçen, kur raporti i vlerave të këtyre dy krahinave është shumë i prekshëm. Ai me kushtetutë e ka ndaluar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Është nga aktorët kryesorë që Kosovës i hoqi himnin kombëtar dhe bëri një tjetër që s’ka lidhje fare me atë kombëtar, hoqi flamurin kombëtar me shqiponjën dy krenare dhe ka bërë një flamur që s’ka lidhje fare me kombin tonë.

Dështimet e tija në politikën e jashtme me Amerikën dhe BE-ne kërkon t’ia faturojë të tjerëve me presionet e mësipërme. Kosovarët janë I vetmi popull në Evropë qe nuk po marrin akoma liberalizimin e vizave, kur agresori i tyre, Serbia vazhdon negociatat për anëtarësimin në BE. Shumë procese të tjera të integrimit në NATO dhe në BE janë të prapambetura dhe nuk ecin me ritmet e kërkuara. Detyrimisht. Sepse Thaçi në vend, që të gjithë politikën dhe dialogun ta përqendronte me BE-në veçanërisht me Gjermaninë merrej me Erdoganin e Turqisë që është kthyer problem i gjithë botës demokratike dhe i dorëzoi atij 6 mësues turq të pafajshëm të cilat sot torturohen ne Stamboll. Përgjegjësinë e tij ligjore ia faktoi komisioni parlamentar i ngritur për këtë çështje dhe në vend që të reflektonte përbuzte dhe nuk jepte llogari institucionit kushtetues.

Kosova me Thaçin është ne krize dhe me atë në krye nuk mund të dalë nga kjo krizë.Vitin e kaluar në një emision të RTK, kur foli kolegu im nga Kosova dhe tha se Thaçi është “çlirimtar pushtues” unë heshta. Por me ndjekjen intensive që u bej zhvillimeve në Kosovë dhe kur në kujtesën time kalojnë me shpejtësi; lufta dhe përpjekjet për çlirimin, masakrat, dhunimet dhe vrasjet barbare qe serbët bënë në Kosovë, pyes veten: Kujt i shërben Hashim Thaçi?! Tejkalimi i deklaratave të tij e detyroi edhe ministrin në detyrë të Shqipërisë, Z.Cakaj ta kundërshtojë hapur. Nëse ai këtë pozicion e ka zënë nga dështimet që po pëson Kosova duhet të japë dorëheqjen nga president dhe politika, në të kundërt atë do ta ndëshkojë historia.