Koka:Pyjet shqetësim madhor,do heqim taksën e importit të drurit

593
Sigal

TIRANË – Në kuadër të takimeve të hapura dhe konsultative me ekspertë dhe specialistë të mjedisit, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka zhvilloi takimin me rektorë dhe dekanë të fakulteteve mjedisore dhe të shkencave në vend.

Gjatë këtij takimi  ministri Koka u ndal në problematikat kryesore duke filluar me pyjet, ku bëri të ditur se në mënyrë që të reduktojmë prerjet, i ka propozuar Qeverisë dhe Ministrisë së Financave që të heqim taksën e importit të drurit.

“Pyjet janë një  shqetësim madhor  i trashëguar.  Por jemi përpjekur të ulim dëmin e shkaktuar në vite.  Kemi  ndaluar eksportin e qymyrit të drurit dhe kemi kufizuar në maksimum eksportin e druve të zjarrit.  Të gjendur përballë një fakti ku mbi 200 mijë familje shqiptare ngrohen me dru zjarri kemi propozuar Qeverisë dhe Ministrisë së Financave që të heqim taksën e importit të drurit, në mënyrë që të reduktojmë prerjet për këtë qëllim. Ndërkohë kemi marrë zotimin e vështirë që brenda një mandati qeverisës të mbjellim 10 milionë fidanë nga të cilat vetëm 1 milionë do të mbillen gjatë këtij sezoni”. – tha Ministri Lefter Koka.

“Në këndvështrimin tonë për të ardhmen, – vijoi ministri Koka – është kalimi i plotë i menaxhimit të pyjeve pushtetit lokal.  Ministria e Mjedisit do të zhvillojë politikën ndërsa kontrolli të jetë kompetencë e inspektoratit”.

Ministri Koka u bëri me dije akademikëve se Ministria e Mjedisit po mendon ngritjen e një Agjencie Kombëtare për Zonat e Mbrojtura  në mënyrë që fondet apo projektet e KFË dhe BB të implementohen dhe këto zona të shndërrohen në zona të vizitueshme dhe funksionale nga turistët vendas dhe të huaj.
Gjatë fjalës së tij Ministri i Mjedisit preku edhe problemin e mbetjeve  duke u bërë me dije akademikëve hartimin e  ligjit të krijimit të Depozitës  që  respekton tërësisht parimin “Ndotësi paguan”.  Përsa i përket problematikës së ujërave Ministri Koka theksoi se jemi vendi i dytë për nga burimet ujore, por jemi të fundit për nga menaxhimi i keq. 

Duke përmbyllur përmbledhjen e punës por edhe të shqetësimeve të tij, Ministri Koka theksoi edhe njëherë se është e rëndësishme të ndryshohet mentaliteti sipas të cilit mjedisi është i fundit. “Është në vizionin e qeverisë shqiptare dhe në vizionin tim personal vënia në plan të parë të mjedisit. Buxheti i vitit 2015 tregon se vëmendja e qeverisë është rritur ndjeshëm.  Buxheti i vitit 2015 do fokusohet në një përmirësim të ndjeshëm më fushën e mbrojtjes së mjedisit. Me rëndësi tejet të madhe është Djegësi Termik i Elbasanit, me vlerën prej 20 milion dollarësh, i cili do zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e mbetjeve në këtë qytet, por jo vetëm, ai do mundësojë kthimin e mbetjeve në energji, si edhe do zgjidhë problemin e mbetjeve spitalore të mbarë vendit. Për këtë projekt qeveria shqiptare për vitin e parë do alokojë 5 milion dollarë.

Në mbrojtje të mjedisit, buxheti i vitit 2015 parashikon 500 miliionë lekë financim i brendshëm. Ngritja e Djegësit Termik të Elbasanit, me vlerën prej 20 milion dollarësh, do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e mbetjeve në këtë qytet, por jo vetëm, ai do mundësojë kthimin e mbetjeve në energji. Për këtë projekt qeveria shqiptare për vitin e parë do të alokojë 5 milion dollarë.  Në mbrojtje të mjedisit, buxheti i vitit 2015 parashikon 500 milionë lekë financim të brendshëm.”

I pranishëm në takim Dekani i Fakultetit të Pyjeve, z. Vath Tabaku  falenderoi në emër të pjesmarrësve Ministrin Koka për iniciativën për të përfshirë edhe zërin e akademikëve në konsultime mbi  cështjet mjedisore.   “Kemi ndjekur punën tuaj dhe ju përgëzojmë për vendimet që keni marrë deri tani në fushën e pyjeve.  Përfshirja e akademikëve në problematika si administrata pyjore apo strategjitë për pyjet është një mënyrë e mirë për t’i dhënë fund dishezës së fortë të pyjeve”- tha ndër të tjera Tabaku.

Ardian Maci, Dekan i Fakultetit të Agrikulturës dhe Mjedisit në Universitetin Bujqësor  u shpreh se bashkëpunimi i Ministrisë me strukturat akademike nuk ka ndodhur prej vitesh.  Z. Ligor Nikolla, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mjedisore në Universitetin Politeknik theksoi se stafi akademik ka nevojë për përkrahje dhe përfshirje në zgjidhjen e problemeve, Ne do t’ju mbështesim në cdo drejtim me nismat tuaja”.

Duke iu referuar ekspertëve mjedisorë, Dekani i Inxhinerisë së Gjeologjisë, z.Përparim Hoxha u shpreh se u duhet dhënë më shumë peshë institucioneve kundrejt individit dhe kjo do të sjellë një mendim më të kualifikuar në vendimarrje. Të njëjtën ide në lidhje me afrimin e akademikëve në zgjidhjen e problemeve mjedisore patën edhe z. Sherif Tushaj dekan i Mjedisit dhe Menaxhimit në universitetin Polis si dhe z. Ervin Toromani Shef i departamentit të Pyjeve në Fakultetin e Pyjeve.

Në vijim të pranishmit diskutuan mbi strategjitë në fushën e pyjeve, nevojën e përpilimit të kadastrës pyjore,  rishikimin e mënyrës së dhënies së licensave mjedisore,  krijimin e fondit mjedisor etj, duke miratuar politikën e deritanishme, por edhe duke ofruar sugjerime e duke ndarë përvojat akademike në institucionet tyre.

Duke theksuar sërish rëndësinë e këtij takimi që për herë të parë shtrin bashkëpunimin e Ministrisë së Mjedisit edhe me akademikët më të njohur të vendit, Ministri Koka, kërkoi që për shumë problematika dhe sugjerime, të sillen drafte dhe të propozohen zgjidhje. “Dëshiroj t’ju takoj sërish në një kohë të afërt dhe të kem nga ju propozime konkrete. Bashkëpunimi me ju është një aset i çmuar në punën tonë” – tha Ministri Koka.