Kokainë e prostitucion në lokalin e natës në autostradë, pronari i dënuar për vrasje u gjet në makinë duke fjetur, vajza që punonte si balerinë…

361

Një 50 vjeçar, i cili kishte një lokal nate në autostradën Tiranë – Durrës dhe përshtaste për përdorim e shpërndarje kokaine dhe për prostitucion është vënë në pranga nga policia e Tiranës pasi kjo e fundit u sinjalizua nga qytetarë për atë çfarë ndodhte në këtë lokal.

Siç bën me dije policia, ky person, lindur në Shkodër e banues në Tiranë, ishte i dënuar më parë për vrasje. Në lokalin e tij u gjet një vajzë e cila punonte si balerinë. Policia thotë se ajo u akomodua në një qendër pritëse për viktimat e trafikimit.

NJOFTIMI

Finalizohet operacioni policor i koduar “Mbishkrimi”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në lokale nate dhe përshtatjen e tyre për prostitucion.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në D.V. P. Tiranë në bashkëpunim me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Sekuestrohen doza kokainë, pjatë porcelani me mbetje kokaine, DVR, letër me mbishkrim dhe aparat celular.

Në pranga një shtetas (pronari i lokalit), me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Mbishkrimi”, gjatë të cilit bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– I. P., 50 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim.

Për këtë shtetas dispononohej informacion se në rrugën Industriale, në autostradën Tiranë – Durrës përshtaste lokalin e tij për përdorim e shpërndarje lënde narkotike kokainë dhe për prostitucion.

Nga kontrolli i kryer është konstatuar se 50-vjeçari ishte duke fjetur në automjetin e tij në afërsi të lokalit. Gjithashtu, gjatë kontrollit në lokalin në administrim të tij, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar kokainë, një pjatë porcelani me mbetje të lëndës narkotike, një DVR, një letër me mbishkrim dhe një aparat celular.

Në lokal është gjendur edhe shtetasja R. C., e punësuar si balerinë në këtë ambient, e cila u akomodua në një qendër pritëse për viktimat e trafikimit.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike ”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Shfrytëzim prostitucioni” në ngarkim të shtetasit I. P