Koka: Sfidë, shtimi i gjelbërimit dhe ulja e ndotjes nga automjetet e vjetra

479
Pas kthimit nga konferenca e klimës në Paris, Ministri i Mjedisit Lefter Koka publikoi disa nga detyrimet që ka Shqipëria pas marrëveshjes që u konsiderua historike.
Koka tha se sfida për vendin tonë do të jenë ulja e ndotjes që shkaktohet nga automjetet e vjetra si dhe shtimi i sipërfaqeve të gjelbërta.
Koka: Fatmirësisht, ne sot në Shqipëri kemi një emetim të gazeve serrë prej 1.4 ton për frymë duke e vendosur vendin tonë në një pozicion unik, krahasuar kjo me vende të tjera të zhvilluara që e kanë emetimin nga 2.5 deri ne 3 ton për frymë. Ne kemi vetëm një sfidë: të qëndrojmë në të njëjtat nivele duke pasur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, miqësor me mjedisin, por pa e penguar aspak zhvillimin e vendit.Shqipëria në angazhimin e saj ka prioritetet në këtë kontribut përkatësisht në 3 fusha kryesore: transporti, industria dhe ndërtimi, të përllogaritura me një kosto totale masash 687 milionë Euro. Fusha e transportit është ajo që kërkon dhe vëmendjen e angazhimin më të madh, me problematika kryesisht në cilësinë e lëndës djegëse të përdorura nga automjetet nga njëra anë dhe jetëgjatësia e automjeteve që qarkullojnë në territorin shqiptar. Ministria e Transportit lidhur me këtë çështje sëbashku me Ministrinë e Mjedisit , po merr masa konkrete që Shqipëria të jetë në të njëjtën linjë me kushtet e BE-së, duke ju referuar qarkullimit të automjeteve Euro5.
I pyetur nga gazetarët për koston, kreu i Mjedisit sqaroi se: “Thënë në shifra konsiderohet relativisht kosto jo e vogël, por faktikisht nuk kërkon investime as në buxhetin e shtetit, as tek qytetarët shqiptarë. Kërkon ndërgjegjësim të qytetarëve shqiptarë, kontroll më rigoroz nga insitucionet shtetërore që mbulojnë kontrollin e ndotjes në çdo fushë në territorin shqiptar”.
Sigal