“Koha për të vepruar jo të shohim live vdekjen e vettingut dhe demokracisë”

630
Edi Rama po instalon diktaturën, prokuroria qëndrim dinjitoz përballë kërcënimeve të ekzekutivit dhe legjislativit. Flasin Mesila Doda, Ilir Kduku dhe Basir Çollaku
Politika është futur në një vorbull brenda së cilës duket se po gatuhet një skenar tepër i vështirë për vendin. Aktorët politikë në vend janë në krizë. Ekzekutivi dhe legjislativi tashmë janë në një “luftë” me drejtësinë për të cilën kanë deklaruar se do ta pastrojnë nga njerëzit e korruptuar. Por në këto momente kur në horizont është shfaqur çështja Tahiri, pastrimi i drejtësisë duket i largët. Politika, kryesisht mazhoranca e kryesuar nga kryeministri Edi Rama, prej një jave janë hedhur në sulm kundër organit hetimor, Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Janë në mbrojtje me çdo kusht të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin Habilaj të Vlorës për të trafikuar drogë drejt Italisë. Sinjalet për këtë trafik erdhën fillimisht nga autoritetet Italiane të cilat prej vitit 2013 kishin vënë nën përgjim grupin e trafikantëve të kryesuar nga Moisi Habilaj. Në këtë skemë del emri i Saimir Tahirit. Më tej hetimet u shpërngulën në vendin tonë. Krimet e Rënda e akuzuan Tahirin dhe kërkuan nga Kuvendi heqjen e imunitetit të tij me qëllim lejimin e arrestimit. Por beteja mes prokurorisë dhe mazhorancës është e ashpër. Fillimisht mazhoranca sulmoi ashpër prokurorët duke i konsideruar të paaftë dhe se nuk kanë prova për të arrestuar Tahirin. Kjo u përforcua nga kryeministri Edi Rama mëngjesin e djeshëm. Ky i fundit tha se nuk do të dorëzonte Tahirin tek një drejtësi që pret ta pastrojë. U kundërpërgjigj prokuroria e krimeve të rënda, duke i kujtuar Ramës fatin e kryeministrit të Kroacisë i cili u arrestua për një orë dore. E kështu loja vazhdoi. Analistët, politikanët, një pjesë e madhe e shoqërisë janë kundër qëndrimit që mban Edi Rama në këtë rast. Ata e konsiderojnë Ramën një diktator, i cili në këto momente po e çon vendin drejt greminës. Bëjnë thirrje për të rrëzuar sa më shpejt regjimi ne Ramës, i cili sipas tyre është duke vënë në rrezik Reformën në Drejtësi. Telegraf ka pyetur për qëndrimin e Ramës Mesila Dodën, Ilir Kadukun dhe Basir Çullakun. Qëndrimet e tyre janë në unison. 

A po luan Rama rolin e gjykatës dhe a janë vendimet e tij dhe deklaratat e fundit një kërcënim ndaj Reformës në Drejtësi? Sa rrezikohet vendi nga zhvillimet e tanishme? Opozita e mori hapin e parë, vendosi të mos jetë pjesë e komisioneve. Mendoni se do të kemi zhvillime të mëtejshme? A do të intensifikojë veprimet opozita pas së mërkurës?

Mesila Doda, Sekretare e Përgjithshme PDIU
Rama po luan prokurorin, gjyqtarin, policin dhe trafikantin. Të gjitha rolet njëherësh janë tepër dhe zullumi sa shkon e bëhet më i madh. Kemi një qëndrim dinjitoz të prokurorisë e shenja që është e pa kompleksuar nga kërcënimet që i vijnë nga ekzekutivi e legjislativi. Në këto kushte kemi një tronditje në sistemin demokratik në vend. Dy pushtetet e para, përkatësisht, legjislativi e ekzekutivi kanosin drejtësinë. Është rasti të shohim demokracinë në veprim e të mos shohim vdekjen live të reformës në drejtësi. U punua dhe u sakrifikua aq shumë për të sa nuk ka bandë e trafikant që ta mbaj peng.

Ilir Kaduku, pedagog i Fakultetit Ekonomik
Qëndrimi i mazhorancës në lidhje me situatën alarmante tanimë është i qartë si drita e diellit. Partia Socialiste dhe Edi Rama po mbrojnë krimin shtetëror, po çimentojnë tentakulat e një regjimi banditesk. “Republika e Re” e trumbetuar për “show” nga opozita në ditët e “Çadrës së lirisë”, aktualisht nuk është më “Demokraci” por “Demokraturë”. Partia në pushtet po instalon diktaturën për herë të dytë në historinë tonë. Herën e parë me forcën e hekurt të diktaturës, ndërsa tani me grushtin “lozonjar” të demokracisë. Përfundimisht mazhoranca duke e ditur që përballë ka një opozitë të kamufluar dhe inaktive e shpalli pa frikë qëndrimin e saj të patundur përkrah krimit shtetëror.

Po qëndrimi i opozitës cili është ?
Opozita, e cila nxjerr lot krokodili për “fatin” e popullit, pas kompromisit të turpshëm të 18 Majit më në fund duhet të kuptojë se populli është i dënuar me vdekje! Në vend që të hedhë tullumbace të tilla si “Fronti Antimafia”, lidershipi aktual i PD duhet të bëjë të qartë strategjinë e aksionit kundër kësaj qeverie të krimit. Personalisht mendoj se, nëse opozita e ka seriozisht të fillojë nga sakrifikimi i vetvetes, ta fillojnë nga lëshimi i mandateve që në seancën e ditës së mërkurë! Të bashkohet me popullin e thjeshtë, me një popull, i cili është i lidhur me vargonjtë e krimit! Problemi qëndron, nëse parlamentarët demokratë do ta ndërmarrin një hap të tillë apo jo? Theksoj, parlamentarët demokratë, sepse anëtarët e “Aleancës së Qelbësirave” nuk i kam fare në konsideratë. Në të kundërtën atëherë mund të them me plot gojën që Fronti Opozitar = Aleanca e Qelbësirave Nr 2 ! Për ta bërë një gjë të tillë duhet së pari që minoranca të pastrohet nga të konsumuarit, nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe sidomos nga tradhtarët! Nëse “lideri” karizmatik i PD nuk i është drejtuar demokrateve të sakrificës për listat e deputetëve, të na drejtohet tani! Jemi gati ta ndihmojmë që të mos e përsërisë fajin e rëndë të 25 Qeshorit! Le të na drejtohet për pastrimin e radhëve të deputetëve nga fajdexhinjtë, nga prostitutat politike, nga njerëz që kanë shkuar atje për privilegje dhe për të mbuluar të kaluarën e tyre. Populli demokrat i njeh mjaft mirë. Personalisht mendoj se nëse këto përfaqësues të popullit duan me të vërtetë shpëtimin e kombit, atëherë të bëjnë veprimin final tek tempulli i demokracisë : të dorëzojnë mandatet! Është e vetmja rrugë që mazhoranca kriminale të dalë e zhveshur para popullit dhe faktorit ndërkombëtar. Përndryshe rrezikojmë të kthehemi përsëri në pikën zero, në monizëm! Nëse nuk ndërmerret një vendim i tillë atëherë nuk na mbetet gjë tjetër por të çohemi të shporrim këtë klasë politike! Në mënyrë të vetëdijshme është kuptuar më së fundi se dalja nga kjo situatë katastrofike nuk vjen më nga lufta parlamentare (e cila është false dhe e kompromentuar), por shqiptarët duhet ta kuptojnë se shpëtimi i vendit dhe instalimi i demokracisë reale vjen nga një revolucion i vërtetë demokratik i cili ka si qëllim kryesor : një luftë frontale kundër sistemit antidemokratik të binomit Rama – Basha! Duhet kuptuar se është më humane dhe fisnike të ngrihemi kundër kastës politike aktuale sesa të durojmë denigrimin që na bëjnë këta politikanë, këta hiena që janë dhjamosur me gjakun tonë dhe na kanë kthyer në skllevër, në njerëz pa dinjitet! Ju siguroj se nuk janë aq trima sa duken! Pushtetin e tyre “guinplenat” e kohërave moderne e kanë të bazuar në intriga, presion ekonomik dhe shantazhe kriminale. Nëse çohemi të bashkuar, ata nuk mund të vrasin një popull të tërë që aspiron për demokraci, prosperitet dhe për të ardhmen e fëmijëve! Duhet të ndërgjegjësohemi që fatet e kombit janë në rrezik. Të mos vritemi me njëri-tjetrin për “Pse më sheh?!”, por të biem në unison dhe të marrim vendimin historik “ Të bashkohemi, të ngrihemi dhe të degdisim këtë klasë politike të fëlliqur në koshin e historisë!” Ia vlen t’iu kujtoj aksiomën e të madhit Erich Maria Remarch : “Më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pafund”! 

Basir Çollaku, gazetar
Rama sot ishte në krye të shantazhit dhe kanosjes, duke dëshmuar fundin e shpresës për vetting apo drejtësi. Sulmi politik ndaj prokurorisë ishte një mbivendosje pushteti një cenim i rëndë i Kushtetutës. Bërja e gjyqit në seanca parlamentare dhe komisione parlamentare është një pengim i akuzës për të mundësuar bërjen e drejtësisë. Prokuroria është disi e vonuar dhe sforcuar në reagimin e saj. Ajo duhet të kishte qenë më radikale në zbatimin e ligjit. Duhet t’i kishte dërguar shumë zyrtarë të lartë e politikanë në gjyq për vepra penale e abuzime të shumta. Sot Rama ka shkelur shumë ligje dhe trimëruar shumë njerëz të botës së krimit. Duke mbrojtur hapur Tahirin, duke mos lënë drejtësinë të bëjë punën e saj ai ka dëshmuar, se edhe ai është pjesë e mbrojtjes së këtyre aferave. Seanca e të mërkurës do të jetë një teatër në vazhdim nëse opozita nuk merr masa ekstreme sepse e tillë është situata. Gjendemi nën sundimin e drogës partnerët amerikanë vijnë në fillim të nëntorit në Tiranë. Ata nuk janë njerëz që merren me shaka ndaj Rama ka mundësi të reflektojë mirë në të kundërt do të jetë pre e pasojës që po mbjell.
Sigal