Koha e Ramiz Alisë është rikthyer me nipat e komunistëve në pushtet, acari politik në raportet Shqipëri - Amerikë

INTERVISTA/ Diplomati Topollaj sqaron mbulimin e medias mbi votën antiamerikane të qeverisë për Jerusalemin, lidhjet e trafikantëve me krerët e politikës dhe si u mbrojt Saimir Tahiri nga kolegët e tij 

-Vijon nga numri i kaluar

I ftuar në emisionin “Aktualitet” me Bejdo Malo në Shijak TV, Ambasadori Spartak Topollaj ka hedhur dritë mbi acarin politik të marrëdhënieve të vendit me SHBA pas votës kundër në OKB. Pse drejtësia shqiptare është e paralizuar, mbrojtja e padrejtë që iu bë Saimir Tahirit dhe lidhjet e mafiozëve të drogës me krerët më të lartë të politikës shqiptare. 

-Pashë një ceremoni të Gramoz Ruçit duke u takuar me disa gazetarë dhe doli dhe fjala e Berishës, që vetëm një gazetë e kishte mbuluar lajmin për votën. I gjithë shtypi i shkruar, të 16 gazetat, asnjë fjalë si lajm e, jo më komente apo të merreshin me opozitën. Çfarë po ndodh? 
Të të pyes, po këto gradaçelat kush i ndërton, këto super pallatet e super lejet, super reklamat e privilegjet me fonde shteti që marrin shumë media, përse i marrin? E kam thënë dhe herë tjetër dhe do ta them gjithmonë... ku qëndron enigma? Si mundet, kur e djthata është në opozitë i gjithë shtypi është me të majtën dhe me qeverinë, ndërsa kur e djathta është në qeveri dhe opozitë është e majtë prapë shtypi është me të majtët. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon se ata i kanë futur duart thellë në thasët me para të këtij vendi dhe oligarkëve e komandohen nga ata. Shikoji ti, pse janë naivë shqiptarët? Nuk e kuptojnë sesi ndryshon linja editoriale e Top Channel dhe e Top Klan sa herë kanë interesa? Sa herë duan të godasin x e y apo njërin e tjetrin? Pra kjo është e vërtetë, meqenëse më kujtove gazetën. Po ta them unë, gazetat i japin vend miseve e pseudovipave për këto mbushjet me germa të mëdha në faqe të parë të gazetave dhe votimit antiamerikan të Shqipërisë nja dy gazeta i kushtonin 5 rreshta si shkarkim i Bilbil Klosit nga Sekretar i Presidiumit të Kuvendit në Vlorë në kohën e Enver Hoxhës. 

-Ishin marrë të gjitha a e helmuan ose jo Enver Hoxhën... po ku ta gjenim ta kishin helmuar
A vdiq apo nuk vdiq Nexhmije Hoxha që ka të paktën 27 vjet që ka vdekur. Unë e dija të vdekur si në kohën e Enverit njerëzit dinin të vdekur të madhin Lasgush Poradeci, se e kishte harruar diktatura. Edhe në kohën e demokracisë Nexhmija duhet llogaritur e vdekur. Unë lutem që ajo të rrojë sa më gjatë që ta shohë veten si e poshtëroi populli shqiptar Nexhmijen, të shoqin e Nexhmijes dhe ideologjinë e jetën kriminale të diktatorit shqiptar. Ajo duhet ta përjetojë sa më gjatë poshtërimin dhe kur shohim që shkojnë ca gërxhe te varret që kanë një dhëmb e po e një dhëmb jo si shkollë nate, para varrit të Enver Hoxhës dhe u digjet barku për veprën e komandatit legjendar, aty ajo e ndjen veten të poshtëruar. Ndaj duhet të jetojë sa më gjatë, ta përjetojë këtë situatë. Këtë mendim kam unë. 

-Si mund ta shpjegojë qeveria shqiptare sipas jush që keni qenë nga ambasadorët përfaqësues në këtë rajon dhe një ambasador i rëndësishëm atë votim jo korrekt?
Diplomat do thoja unë, por qeveria shqiptare do të bëjë atë që ka bërë në këto 5 vjet. Me ca kinezërira të çuditshme Edi Rama do gjejë alibi, dhe do të justifikohet si p.sh, ne e votuam, siç është e vërteta,jo po i qëndruam linjës së BE-së... etj etj. Të jesh i sigurtë që të gjitha këto alibi do rrëzohen. Tani duhet të jemi të sinqertë edhe në një pikë tjetër. Çfarë bën ky ambasadori amerikan? Për çfarë shqetësohet ky? 

-Ja e them unë, a do ta takojë Olta Gixhari apo jo?
Atë e kishte ai tjetri, po ky me kë Oltë kërkon të takohet para se të iki, meqenëse është dhe në fund të mandatit, por kjo është pak interesante. Në fund të fundit ai është njeri me të metat dhe të mirat e tij, por do themi: Si ka mundësi që ky ambasador doli 10 minuta pasi mbaroi protesta, për mua rreptësisht paqësore e opozitës para parlamentit ku nuk ndodhi asgjë. Hodhi njëri një shkop plastik mbi policinë dhe nja dy tre provokatorë të futur bënë sikur u shtynë me policitë dhe kjo qe e gjithë protesta që ata po ndjekin penalisht në gjendje të lirë deputetët e opozitës. Koha e Ramiz Alisë është rikthyer, vërtetë pa Ramiz, por me nipat e Spiro Kolekës, me djemtë e Sul Bushatit dhe gjithë anëtarëve të politbyrosë dhe të Komitetit Qendror të Partisë. Prandaj shqiptarët duhet t’i thërrasin mendjes, se në pushtet ata janë rikthyer. 

-Të drejtën ua thotë opozita po nuk e beson ende asnjë shqiptar edhe kur duket që është e vërtetë në dritë të diellit...
Në pushtet janë rikthyer Burbonët e Kuq. Ishim fëmijë kur bënim në histori restaurimin e Burbonëve, tani do themi restaurimi i Burbonëve të Kuq të pajisur me shuma marramëndëse parash, të lidhur me lloj lloj oligarkësh, me miliona euro të depozituara në offshore të botës.

-Kur lexon intervistën e Kryetarit të Antimafias Italiane, i cili edhe deklaronte, që ne e kemi situatën më të vështirë seç kemi patur, sepse gjithçka është e lidhur me krerët më të lartë të politikës.
Shto edhe këtë tjetrën, që thotë me poltikën duhet të merret prokuroria shqiptare, ne merremi me trafikantët e mafiozët; me Habilajt e Balilajt. Me këta Tahirët e kompani duhet të merret drejtësia shqiptare.

-E pe çfarë i kishin bërë asaj intervistës? E kishin botuar copa copa? 
Politika shqiptare e tregoi veten me qëndrimin ndaj Saimir Tahirit. Pra i dhanë mundësinë t’i fshehë milionat, përjashto ato që u kapën te Sota në makinë afër Kurumit, por i fshehu çfarë kishte bizhutë, milionat e xhevahirët e tjerë.

-Po i kthente paratë, po një pjesë, sepse nuk arriti, i kishin italianët...
Një pjesë, se i ka në disa vende, të jesh i sigurt. Ajo që dimë ne është maja e ajsbergut. Dhe këta e mbrojtën. Nuk i heqim imunitetin, sepse akoma nuk është vërtetuar. Kjo është një histori e faktit. Anekdota proverbiale e faktit që vjehrra e kapi nusen dhe i thoshte Kryetarit të Gjykatës kur i biri i saj e la nusen që ne duam fakte. “Epo faktin nuk e pashë unë mor bir, tha ai, e kuptoni vetë se ku ishte fakti”. 

-Përse edhe në vendimet e qeverisë, por edhe në takimet Bushati – Ministri i Jashtëm Grek kemi të njëjtin qëndrim edhe me palën amerikane. Një teori konspiracioni e plotë e MPEJ që nuk ekziston kur ky vete bën spektakle në Komisionin Parlamentar me Genc Pollon. 
Të bëj një krahasim, bota i ka njohur dhe tratativat sekrete. Po marr unë këto shembuj të dekadave të fundit; p.sh tratativat e Kissinger me Kinën e Maos derisa u realizua vizita e Niksonit në Kinë. Tratativat izraelito palestineze në Norvergji, bisedimet e përfaqësuese palestineze, sepse ajo është një ndër personalitet më të njohura në diplomaci, me përfaqësuesit izraelitë në Oslo ku dhe bëheshin takimet apo me Korenë dhe të tjerë. 

-Si është procedura e këtij votimi, kush e merr vendimin, apo është vetë Rama nën efektin e preparateve qetësuese?
Në mbarim të fjalës për Greqinë sepse nuk është pa domethënie. Një artikull i shkëlqyer më pëlqeu që në titull: “Ç’deshën këta ushtarët grekë në Shqipëri?”. Ta fillojmë këtu një herë, ç’deshën këta? Luftuan me italianët, i hodhën përtej kufijve të Greqisë? Po, jam dakort edhe mirë bënë, se pushtues ishin italianët, por kjo s’do të thotë që ti të përzësh pushtuesit italianë dhe të shfaqesh ti si pushtues i Jugut të Shqipërisë? Çështë ky nderim që u bëhet? Për të vdekurit natyrisht duhet të kemi gjithmonë respekt, por e vërteta është kjo ,pse nuk i merr Greqia ata dhe t’i varrosë a s’ka tokë? S’ka ishuj, territore e gadishuj në Greqi? T’i varrosë, t’u bëjë monumente pse duhet ta mbushim ne Shqipërinë me varre greke ku, më fal, po fusin kocka gomerësh? Bisedimet Kotzias –Bushati, të cilin Kotzias e poshtëroi në Tiranë duke mos i ditur dhe emrin i tha Dhimitër e bëri me qëllim dhe ky diplomati ynë i madh s’diti t’i përgjigjet. Mund t’i thoshte një fjalë që në fjalorin tonë është një fjalë banale shumë e ngjashme me Kotzias. Po ju nuk jeni Z.....? E papranueshme, pa transparencë, me hile dhe qëllime të mbrapshta. Për mua është raporti aktual Shqipëri-Greqi, në dëm të kombit shqiptar, në dëm të Shqipërisë. 

-Si është procedura e votimit?
Procedurën e votimit e vendos qeveria, padiskutim, udhëzon Ministrinë e Jashtme dhe ministri urdhëron vartësit, se si do votohet. Kjo është e padiskutueshme. Një ambasadore është përfaqësuese e qeverisë dhe shtetit shqiptar, por ajo është e urdhëruar të votojë ashtu siç ka vendosur qeveria. Do ta mbyll me një thënie të të madhit legjendar të Prusisë, Frederick Barbarossa, i cili sa herë që pushtonte vende e krahina të tjera thoshte: “Pushtoni ju se i gjej unë pastaj uushtarakët, politikanët, diplomatët, juristët që do ta argumentojnë pushtimin.” Edhe Edi Rama thotë, votoni ju kështu si them unë, se i gjej unë pastaj argumentet, alibitë dhe njerëzit që do ta justifikojnë këtë. Kjo është e gjithë e vërteta. Sot Shqipëria është gdhirë në një acar të madh politik. Përveç acarit të kohës iu shtua dhe acari politik në raportet Shqipëri- Amerikë. Jo më kot ambasadorja tha, ne do të mbajmë shënim dhe t’ua mbajmë mend pabesitë atyre që hiqen sikur e duan Amerikën dhe votojnë kundër saj. Dhe këtu ka përgjegjësi të rëndë qeveria, Edi Rama dhe Ditmir Bushati. 

-Faleminderit!