Koha dhe kultivuesit e antishqiptarizmës dhe antikosovarizmit

656
Prof. Dr. Lush SUSAJ
Në këto vite, jam përpjekur që të kuptoj më mirë argumentin e kolegëve të mi kosovarë me të cilët kam diskutuar shpesh në lidhje me një frymë të keqe antikosovare të mbjellë në Shqipëri dhe antishqiptare të mbjellë në Kosovë. Gjithnjë nuk kam dashur ta besoj këtë fenomen, por ekzistenca e një realiteti të tillë është përtej dëshirave dhe mundësive tona. Kolegët e mi nga Kosova, vëzhgues dhe dëshmitarë të kujdesshëm të ngjarjeve dhe zhvillimeve të periudhës 1970-1999, janë të mendimit që në vitet 1988-1994, në Shqipëri janë depërtuar (përmes kufirit tokësor) shumë nga kosovarët e njohur si ish punonjës dhe si ish bashkëpunëtorë të ish ushtrisë, ish policisë dhe ish administratës së vjetër të ish Jugosllavisë, pjesë e të cilës ishte edhe Kosova. 

Këta njerëz që u futën lehtë në Shqipëri, kishin mundësi të mëdha monetare dhe ishin të mirë trajnuar e të vetëdijshëm për situatën kaotike dhe varfërinë e viteve 1991-1995. Ishin njerëz të mirë informuar dhe të mire trajnuar edhe për blerjet që do të bënin, për bizneset dhe për të gjitha trafiqet dhe punët e tjera të pista që do të fillonin në vendin tonë të varfër e të sapo dalë nga izolimi komunist. Këta njerëz, ndryshe nga ajo popullsia dhe njerëzit e mrekullueshëm që ka Kosova, erdhën dhe blenë apo i përvetësuan pothuajse falas banesat, tokat dhe pronat e tjera të njerëzve të varfër të Shqipërisë. Shumë nga këta matrapazë, ndryshe nga pjesa më e madhe e Kosovarëve që kemi njohur dhe do të njohim në Kosovë dhe jashtë saj, nuk patën pikë mëshire, as për pasurinë dhe as për pronat e shqiptarëve. Për më tepër, nuk treguan asnjë pikë respekti për trashëgiminë e konservuar në vite dhe as për vlerat e tjera shoqërore, morale dhe europianiste të shqiptarëve. Me ardhjen e këtyre “atdhetarëve” apo “patriotëve”, në Shqipëri u shfaqen edhe të tjera dukuri diskredituese e të panjohura më parë si, rritja e radikalizmit dhe ndasive fetare, në Shqipërinë e viteve 1990, kjo dukuri nuk njihej fare). Filloj rritja e abuzivizmit me pronat, me hartat, me hipotekat, u rritën me shpejtësi të madhe edhe divorcet dhe trafiku i vajzave dhe grave këtej dhe andej Adriatikut. Nga këta njerëz u ngritën edhe bizneset e para fiktive që në jo pak raste funksionuan si lavatriçe të pastrimit të parave, si dhe u prodhuan ngatërresa të shumta bankare dhe hipotekore, stresante për qytetarët, investitorët dhe shoqërinë. Ndërsa në institucionet e reja dhe të brishta politike dhe në të gjitha nivelet e administratës shtetërore të Shqipërisë, falë edhe frymës dhe këshillave të bashkëpunëtorëve të këtij takëmi njerëzor, u planifikuan dhe u katapultuan njerëz të rastësishëm, servilë, injorantë e lehtësisht të shantazhueshëm e të manipulueshëm. Në këtë mënyrë, politika dhe administrata shtetërore, dalëngadalë dhe si me një magji apo program të padukshëm, rrëshqiti në dorën e njerëzve pa dije, pa vlera, pa meritokraci dhe pa pike dashurie për vendin dhe as për popullin e tyre. Me frymën dhe me aferat e tyre korruptive, këta “patriotë” apo “trima që thyen kufirin”, ushtruan ndikim tepër negativ edhe në orientimin strategjik të politikës dhe të gjithë ekonomisë së vendit. Ndikimi i frymës dhe sjelljes së tyre ka ndikuar jo pak edhe në paraqitjen e Shqipërisë si një vend islamik. Sipas këtyre dritëshkurtërve, vendi dhe populli ynë e kanë të tashmen dhe të ardhmen në angazhimet dhe në projektet jashtë Evropës, në Lidhjen Islamike. Edhe këtë gafë të madhe historike e shoqërore janë përpjekur që ta kamuflojnë me religjionin e shqiptarëve, kur historia jonë e ka provuar me kohë faktin që konfondimi i religjionit me politikën dhe me gjeopolitikën, nuk i ka shërbyer dhe nuk do t’i shërbejë kurrë interesave as çështjes sonë kombëtare. Në këtë periudhë duket se ka marrë udhë edhe privatizimi korruptiv i pasurive shoqërore dhe resurseve tona natyrore. Në këtë kohë të dhunshme ka filluar edhe betonizimi masiv dhe pa mëshirë i tokës bujqësore dhe i bregdetit. Në këtë kohë ka filluar edhe vjedhja dhe shkatërrimi masiv i fabrikave, i punishteve, industrisë minerale, etj. Të gjitha këto pasuri, pasi u shkatërruan dhe u zhvlerësuan, janë përvetësuar nga matrapazët me përvojë që më vonë i shitën dhe i rishitën me 10 dhe 100-fishin e vlerës së tyre fillestare. Shumë nga ngjarjet, devijimet dhe praktikat e shëmtuara të asaj periudhe e kanë origjinën tek paratë dhe tek sjellja e pistë e këtyre matrapazëve që abuzuan me respektin, mikpritjen dhe dashurinë e madhe të shqiptarëve për Kosovën dhe për kosovarët. Në këtë kontekst, edhe kolegët e mi nga Kosova janë të mendimit që edhe shqiptarët që shkuan në Kosovë në vitet 1999-2001, ndikuan për keq në rritjen e veseve dhe të sjelljeve të gabuara politike e shtetërore. Ndryshe nga shqiptarët e ndershëm e që realisht u përballen me eksodin, me mikpritjen dhe me sakrificat e tjera të luftës, këta njerëz që u eksportuan në Kosovë dhe që ishin të mirë financuar dhe të mirë mbështetur nga klanet e pushtetit dhe të administratës së vjetër, duket se kanë kultivuar në Kosovë veset dhe sjelljet më të këqija të shoqërisë shqiptare. Shqiptarët që menjëherë pas luftës u dërguan në Kosovë u fokusuan më shumë në pasurimin dhe në interesat e e tyre personale dhe të klaneve që i propozuan dhe që i dërguan atje. Koha provoi që veprimtaria dhe zgjidhjet e mangëta të tyre, nuk ndikuan për mirë në ekonomi, as në politikë dhe as në pakësimin apo reduktimin e atentateve politike. Këta “intelektualë” dhe “ekspertë” nuk ndikuan as në zgjidhjen dhe as në reduktimin e ngatërresave dhe të plagëve të shkaktuara nga lufta. Koha tregoi se sjellja dhe trashëgimia shtetërore e këtyre emisarëve të politikës klanore dhe konfliktuale shqiptare, ndikoi për keq në rritjen e dozës së injorancës, pandëshkueshmërisë dhe ligësisë administrative dhe politike në Kosovë. Përvoja e këtij takëmi njerëzish të përkëdhelur të politikës post komuniste që shkuan në Kosovë, duket që ka ndikuar për keq edhe në rritjen e hajdutërisë, fiktivitetit dhe abuzivizmit ndaj pronave, ndaj taksave, ndaj investimeve, ndaj donacioneve, projekteve, etj. Me sofizmin, me hipokrizinë dhe me praktikat e tyre korruptive, emisarët që u dërguan në Kosovën e pasluftës, pos të tjerave i kontribuan edhe shkatërrimit të ambientit dhe mjedisit natyror të Kosovës.
Kjo ka ndodhur për shkak se emisarët e politikës konfliktuale dhe abuziviste që shkuan në Kosovën e pasluftës, në vend të punës, mirëbesimit, bashkëpunimit dhe sinqeritetit, aplikuan dhe kultivuan pabesinë, individualizmin, fasadën, nepotizmin dhe modelin e ngopjes me lugën bosh. 
Emisarët që shkuan si ekspertë, si projektues, si këshilltarë, si ndërtues etj, ndikuan për keq edhe në rritjen e kaosit urbanistik dhe arkitektonik. Me sjelljen, me praktikat dhe me frymën e tyre abuziviste goditën rëndë edhe sektorin e ndërtimit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe arkitektonik të Kosovës. Ndërtimet kaotike, jo harmonike, jo integrale në hapësirat publike, si dhe ndërtimet e ndërmarrjeve tregtare, pallateve dhe vilave të banimit mbi tokën bujqësore, janë shembulli dhe modeli më i shëmtuar që u eksportua dhe ndikua jo pak në Kosovën e pasluftës. 
Në këtë mënyrë, ndarjet midis shqiptarëve, përveç konteksteve historike me pushtues dhe diktatura, duket se jenë nxitur dhe zhvilluar edhe nga mbështetja e gabuar dhe e njëanshme e njerëzve të përkëdhelur dhe të privilegjuar nga regjimet dhe nga klanet e njohura nepotike e totalitare që kanë sunduar keq e për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe në Kosovë. 
Kujtesa dhe analiza për të tilla ngjarje dhe fenomene politike e shoqërore, para së gjithash i shërben krijimit të frymës dhe të modeleve të reja të sjelljes dhe të bashkëpunimit të qëndrueshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës që arrihet vetëm përmes institucioneve demokratike e meritokratike të ndërtuara me njerëz që veprojnë mbi bazën e interesave të larta shoqërore e kombëtare.
Sigal