Kodheli: Kufinjtë të paprekshëm të përgatitur për çdo rrezik nga deti

468
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka prezantuar sot gjeneral brigade Ylber Dogjanin si komandantin e ri të Forcës Detare të Republikës së Shqipërisë. Në eventin përkatës ministrja Kodheli tha se territori dhe siguria e kufijve tanë është e paprekshme. “Kufijtë e kaltër shqiptarë janë të paprekshëm, ashtu siç është i paprekshëm territori ynë, siç është e paprekshme siguria jonë. Shqipëria është pjesë e Aleancës NATO dhe si e tillë është pjesë e një mbrojtjeje kolektive që e bën territorin e Republikës së Shqipërisë të tillë, pra të pa prekshëm”, – është shprehur znj. Kodheli. “Por, – nënvizoi ajo, – projeksioni ynë për të ardhmen është çdo ditë dhe më tepër i komplikuar për shkak të komplikacioneve që vijnë dhe rreziqet nga të gjitha anët, qofshin këto edhe nga deti. Ndaj është në detyrimin tim kushtetues, të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, të drejtuesit tashmë të ri të Forcës Detare dhe të gjithëve ju bashkë, që të jemi në një linjë dhe të punojmë me devotshmërinë për të cilën jemi betuar”.
Ajo kërkoi angazhimin e të gjitha forcave për të ushtruar me devotshmëri detyrën dhe misionin për të siguruar qetësinë e çdo qytetari të Shqipërisë. Ndërsa gjeneral brigade Ylber Dogjani në fjalën e tij u shpreh se “… unë vij në këtë pozicion të ri, i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për vendin dhe rolin që ka kjo komandë për sigurimin dhe ruajtjen e sovranitetit të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë, zbatimin e ushtrimit të ligjshmërisë në det, duke bashkëpunuar ngushtësisht me strukturat e tjera të FA, si dhe me institucionet shtetërore me interesa në hapësirën detare”. Ai shpalosi më tej disa nga objektivat dhe synimet e tij për realizimin me sukses të detyrës që sapo ka marrë, si dhe garantoi ministren Kodheli se do ta ushtrojë detyrën e tij konform ligjit.
Sigal