Koçijançiç: CEZ asnjëherë parakusht për kandidaturën e Shqipërisë në BE

564
“Komisioni Europian ka thënë qartazi se progresi mbi një numër çështjesh të sundimit të ligjit ishte parakushti për Shqipërinë që t’i jepej statusi kandidat; çështja CEZ nuk kishte lidhje me këtë parakusht”, nënvizon zëdhënësja Maja Koçijançiç. 
“Posaçërisht mbi CEZ, Komisioni Europian ka mbështetur gjithmonë një marrëveshje miqësore që kënaq të dy palët në ujdinë e përplasjes mes kompanisë energjetike CEZ dhe qeverisë së Shqipërisë mbi licencën e bartjes së veprimeve të CEZ si Operator i Sistemeve të Shpërndarjes në Shqipëri. Marrëveshja e arritur në Qershor 2014 duhet të nxisë më shumë qeverinë shqiptare për të ndjekur reformat tepër të nevojshme për sektorin e elektricitetit, duke synuar garantimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe përputhshmërinë me kriteret e Komunitetit Energjetik”, shtoi Koçijançiç.
Nga ana tjetër, komisioni konsideron se miratimi i ligjit të ashtuquajtur për dekriminalizimin “është një çështje e rëndësishme për t’u zgjidhur, që duhet trajtuar sa më parë. Rregullat e qarta janë të domosdoshme në këtë kuadër”. 
“Ndërkohë që legjislacioni përkatës po përgatitet, është me rëndësi që partitë politike dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për të shtuar besimin e qytetarëve tek institucionet publike,” shprehet për Top Channel zëdhënësja e KE-së, pak ditë përpara publikimit të raportit të progresit për vendin, ku sërish nuk pritet të ketë një rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.
Burime diplomatike rrëfyen për Top Channel se “një pjesë e vendeve anëtare shfaqen hezituese, pavarësisht përpjekjeve të Italisë që shtyn për një rekomandim të tillë”, me qëllim që Shqipëria të jetë në të njëjtin grup me Serbinë në këtë proces. Të njëjtat burime shpjegojnë se vendet e Beneluksit, pra Belgjika, Holanda e Luksemburgu, “kërkojnë për nisjen e negociatave më shumë dëshmi nga Shqipëria në fushën e sundimit të ligjit, siç u vu re në mbledhjen e fundit të përfaqësuesve të vendeve anëtare që merren me Ballkanin”. Përgatiti: Arta Tozaj / Top Channel
Sigal