KLSH zbulohen abuzime të shumta në bordet e “Ujësjellës-Kanalizimeve”

895
Edhe sot, po vazhdojmë publikimin e Vendimit Nr. 137, datë 30. 09. 2015 të KLSH, firmosur nga titullari i këtij institucioni, zoti Bujar Leskaj. Në pjesën e tretë të vendimit, prezantohet pjesa e raportit të auditimit të grupit të punës të KLSH, që bënë fjalë për kontrollin e ushtruar në ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve, të cilat prej disa vitesh ushtrojnë aktivitet shërbimi publik si “Sh.a”, me veprimtari të drejtuar nga bordet e këshillat mbikëqyrëse, struktura këto të ngritura me ligj, por që kryejnë veprimtari vendim-marrëse duke… shkelur ligjin! Pikërisht këtë realitet antiligjor me prova të shumta abuzimi e skandalesh, ka kontrolluar, ka zbuluar dhe raporton KLSH. Nisur prej veprimtarisë drejtuese të bordeve e këshillave mbikëqyrës të ndërmarrjeve “sh.a Ujësjellës-Kanalizime”, kontrolluar imtësisht e profesionalisht prej KLSH, në vendimin e KLSH me Nr. 137, datë 30. 09. 2015, prej kreut të KLSH zoti Bujar Leskaj, konstatohet një fakt statusi i paqartë i këtyre shoqërive, që kërkon përgjigje konkret e të shpejt: Ku klasifikohen entet publike “Ujësjellës sh.a”: Në shoqëri strategjike, jo strategjike, apo jo-strategjike vendore? Kjo pyetje, shtrohet nisur prej shumë provave të dyzuara, manifestuar prej këtyre shoqërive anonime, në qëndrimet e “pavaruara” edhe nga ligji, që auditimi i KLSH zbuloi në “Ujësjellës-Kanalizime”. Sot, po publikojmë pjesën e tretë të vendimit të KLSH. 
VENDIM I KLSH, Nr. 137, datë 30.09.2015 
(Pjesa e Tretë)
“PËR EVADIMIN E MATERIALEVE TË AUDITIMIT TË USHTRUAR PËR ZBATIMIN E KUADRIT RREGULLATOR LIGJOR DHE NËNLIGJOR TË KRIJIMIT, PËRBËRJES DHE SHPËRBLIMIT TË BORDEVE, KËSHILLAVE, KOMISIONEVE APO ORGANEVE TË TJERA KOLEGJIALE TË ADMINISTRATËS SHTËTËRORE DHE ENTEVE PUBLIKE”
6. Mbi përmirësimin e kuadrit rregullator për “Sh.a Ujësjellës Kanalizime” 
Para transferimit të ish-ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizime në pushtetin vendor, veprimtaria e Këshillave Mbikëqyrëse rregullohej bazuar në VKM Nr. 642, datë 11.10.2005 “Për funksionimin e Këshillave Mbikëqyrës”, ndryshuar me VKM Nr. 677, datë 3.10.2007 dhe VKM nr. 215, datë 28.3.2012. Pas daljes së VKM nr. 660, datë 12.09.2007 “Për transferimin e aksioneve të Shoqërive të Ujësjellësve dhe Kanalizimeve Njësive të Qeverisjes Vendore” dhe një sërë vendimesh të tjera të mëvonshme u bë transferimi i aksioneve dhe pronave nga Ministria e Ekonomisë në pushtetin vendor duke ndryshuar edhe statusin juridik nga ish-ndërmarrje shtetërore në shoqëri anonime shtetërore duke bërë edhe regjistrimin në QKR. Në zbatim të VKM nr. 660, datë 12.09.2007 “Për transferimin e aksioneve të Shoqërive të Ujësjellësve dhe Kanalizimeve Njësive të Qeverisjes Vendore”, me propozim të Ministrisë Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, për transferimin e aksioneve të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve në njësitë e qeverisjes vendore, ka dale udhëzimi METE nr. 965, datë 11.12.2007 “Për zbatimin e VKM “Për transferimin e aksioneve të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve në njësitë e qeverisjes vendore”, udhëzim i cili përcakton mënyrën e transferimit të aksioneve dhe organizimi i mbledhjeve të para të asamblesë aksionarëve, zgjedhja e anëtarëve të Këshillave Mbikëqyrëse , mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës etj. Në VKM nr. 271, datë 09.05.1998 “Për Miratimin e statutit tip të shoqërive anonime shtetërore, me ndryshimin e bërë me VKM nr. 678, datë 3.10.2007, është shtuar pika 2/1 ku përcaktohet se për shoqëritë anonime të ujësjellës-kanalizimeve, statuti tip do të jetë sipas tekstit, që i bashkëngjitet këtij vendimi. Po në pikën 2 të, paragrafi dytë të këtij VKM përcaktohet se: Për shoqëritë anonime qe e zhvillojnë veprimtarinë e tyre ekonomike në sektorë me rëndësi te veçante te ekonomisë, Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit ka kompetence ta ndryshoje këtë statut në përputhje me ligjin për shoqërinë tregtare. Sektorët me rëndësi të veçante janë sektorët e përcaktuar në ligjin nr. 7512, date 10.8.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, nismës se lire, të veprimtarive të pavarura private dhe privatizimit”, i ndryshuar me ligjin nr. 8306, datë 14.03.1998 dhe me Ligjin nr. 10 166, datë 15.10.2009 neni 4, i cili parashikon se: Sektorë me rëndësi të veçantë të ekonomisë janë: industria e energjetikës dhe e mineraleve, e naftës dhe gazit, postat telekomunikacionet, pyjet dhe ujërat, rrugët automobilistike e hekurudhore, portet detare, aeroportet, transporti ajror e hekurudhor. Nuk do të konsiderohen pjesë e sektorëve me rëndësi të veçantë ndërmarrjet, shoqëritë tregtare ose pjesë të tyre, të cilat kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike dhe kanë rezultat financiar me humbje për mbi 3 vjet rresht. Këto raste përcaktohen me vendim të Këshillit Ministrave.
Pra, në asnjë nga aktet e mësipërme nuk përcaktohet qartë:
a. – Ku klasifikohen “Ujësjellës sh.a”: Në shoqëri strategjike, jo strategjike, apo jo-strategjike vendore?
b. – Si do të bëhet shpërblimi (pagesa) e Këshillave Mbikëqyrës; mbi bazën e përqindjes së pagës Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë Turizmit dhe Sipërmarrjes, apo meqenëse aksionet janë transferuar në pushtetin vendor do të paguhen në përqindje mbi bazën e pagës së Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës.
c. – Si do të bëhet pagesa dhe masa e shpërblimit te Sekretarit të Këshillit Mbikëqyrës.
Krahas sa më sipër KLSH në vijimësi gjatë veprimtarisë audituese institucionale është fokusuar edhe trajtimin e gjendjes financiare të sh. a Ujësjellës Kanalizimeve. Në Raportin paraqitur në Kuvend “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2013” i ka adresuar Kuvendit një sërë problematikash të konstatuara në Sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve referuar shlyerjes së detyrimeve në marrëveshjet kontraktuale të nën/huave reflektim dhe i performancës së dobët të Këshillave Mbikëqyrës dhe konkretisht: Sektori i Ujësjellës Kanalizimeve, i cili zë një peshe të konsiderueshme të portofolit te nën/huasë, paraqitet me mjaft problematika në shlyerjen e detyrimeve, të cilat kanë si shkak paaftësinë financiare e ndërmarrjeve te UK. Me përjashtim të UK Korçë të gjitha shoqëritë e tjera te UK ose nuk paguajnë fare, ose shlyejnë pjesërisht detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e nën/huazimit të fondeve me Ministrinë e Financave. Nga auditimi ka rezultuar se në fund të vitit 2013 për ndërmarrjet e ujësjellësve rezultonin detyrimet të papaguara për projektet, në shumën prej 2,037,169 mijë lekë ose në rreth 14 milionë euro. 
Sa më sipër, rekomandoj: 
Në funksion të unifikimit të mënyrës së pagesës së anëtarëve dhe sekretarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellës-Kanalizime sh.a, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes,në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore dhe Ministrinë e Financave, që të ndërmarrin nismën ligjore dhe të paraqesin në Këshillin e Ministrave, projekt-vendim mbi mënyrën dhe masën e pagesës së anëtarëve dhe sekretarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellës-Kanalizime sh.a, kryesisht në rregullimin e problemeve të mëposhtme:
– Shoqëritë e Ujësjellësve sh.a, aksionet e të cilëve janë transferuar në pushtetin vendor të mos klasifikohen si Shoqëri Strategjike, por si Shoqëri jo strategjike vendore, pasi nuk mund të konsiderohet shoqëri strategjike një Ujësjellës me 10 punonjës.
– Pagesa e Këshillave Mbikëqyrës të mos kushtëzohet nga paga e Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës, por nga tregues të tjerë, si numri i punonjësve, xhiroja apo volumi i shitjeve të ujit, etj.
– Pagesa e sekretarit të Këshillit Mbikëqyrës të vendoset për pjesëmarrjen në çdo mbledhje të zhvilluar dhe jo pagë fikse mujore dhe njëkohësisht të jetë punonjës i Shoqërisë.
– Në këtë kuadër të bëhet edhe rregullimi i sistemit të pagave të Shoqërive të Ujësjellës Kanalizimeve sh.a, duke vendosur kufij maksimalë për pagat e punonjësve dhe veçanërisht unifikimin e pagave të administratës dhe drejtorit të shoqërisë në vendosjen raporteve të drejta me pagat e punonjësve. Kjo pasi u konstatuan raste të caktimit të pagës së drejtorit të shoqërisë nga ana e Këshillit Mbikëqyrës në nivele mjaft të larta; përmendim rastin e Ujësjellësit sh.a Puke-Fshat ku paga e Drejtorit ishte caktuar 90 000 lekë/muaj,ndërkohë që shoqëria kishte gjithsej 10 punonjës. 
– Të rishikohet numri i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, me synim reduktimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, pasi si shoqëritë me 10 punonjës dhe ato me mbi 600 punonjës kanë të njëjtin numër prej 6 anëtarësh. (Menjëherë)
B-MASA ORGANIZATIVE 
1- Gjetje nga auditimi: U konstatua se Ministri i MZHETTS, në 21 raste ka emëruar anëtarë të Këshillave Mbikqyrës të shoqërive anonime, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në Udhëzimin e MZHETTS nr. 318, datë 08.04.2009, pika 3 në të cilin përcaktohet që: 
Kandidati për anëtar në Këshillin mbikëqyrës duhet të plotësojë, kriteret si më poshtë: 
– Të jetë punonjës i institucioneve shtetërore qendrore, që kanë administrim të drejtpërdrejtë me sektorin ku bën pjesë shoqëria, kur legjislacioni nuk pengon pjesëmarrjen e tyre në funksione të tjera, apo që të jetë specialist i institucioneve kërkimore shkencore, pedagog i universiteteve Shtetërore, me vjetërsi në punë jo më pak se 5 vjet, si dhe persona që gëzojnë autoritet profesional në fusha të caktuara” dhe konkretisht: 
U konstatua se nga 21 rastet e evidentuara nga KLSH si emërime në kundërshtim me kuadrin rregullator sipas shkresës nr, 6506, datë 21.08.2015 të MZHETTS drejtuar KLSH-së, nga ana e Ministrit, rezulton se janë nxjerrë Urdhrat e lirimit nga Këshilli Mbikëqyrës për 11 anëtarë në përbërje të këshillave mbikëqyrës të shoqërive anonime si vijon: Në sh.a. “Albbakër Tiranë; “NPV Ushtarake” Tiranë ( 2 anëtarë) ; sh.a. “Porti Detar” Sarandë (dy anëtarë); sh.a “Trajtimi i studenteve” Vlorë; sh.a “Tipografia Ushtarake”Tiranë; sh.a “Rezidenca Universitare nr. 1” Tiranë; sh.a “Tregu i shitjes me shumicë fruta perime” Shkodër; sh.a “Trajtimi i studentëve nr. 3” Tiranë; dhe sh.a “Hekurudha Shqiptare” Durrës. Nga 21 raste të evidentuara nga KLSH si emërime në kundërshtim me kuadrin rregullator, nga ana e Ministrit të MZHETTS nuk janë nxjerrë Urdhra lirimi për 10 raste të tjera. (Sa trajtuar hollësish, në faqet 13-27 të Raportit Përfundimtar të Auditimit). 
Sa më sipër rekomandoj :
Nga Ministri i MZHETTS të shqyrtohet dhe analizohet përbërja e Këshillave Mbikëqyrës dhe të nxirren urdhrat e lirimit si anëtar të Këshillave Mbikëqyrës për të gjitha emërimet e evidentuara në kundërshtim me kërkesat e kuadrit rregullator në shoqëritë anonime si vijon: 
Në sh.a “Porti Detar”, Vlorë; sh.a “Korporata Elektroenergjitik Shqiptare; sh.a “Aeroporti Nënë Tereza”, Tiranë (2 raste); sh.a “Albbakër” Tiranë; sh.a “Porti Detar” Shëngjin (2 raste); sh.a “Alba Film Studio”Tiranë ; sh.a. Trajtimi i Studentëve nr. 2 Tiranë; dhe sh.a “Qendra e Regjistrimit te Aksioneve” Tiranë. (Menjëherë)
2- Gjetje nga Auditimi: U konstatua se nga Ministri i Financave dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës në 12 raste janë propozuar Ministrit të MZHETTS, si kandidatura për anëtarë në këshilla mbikëqyrës, individë të cilët nuk kanë qenë pjesë e stafit të Ministrive. (Sa trajtuar hollësisht në faqet 23-27 të Raportit Përfundimtar të Auditimit) 
Sa më sipër rekomandoj:
Nga ana e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Turizimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes t’i kërkohet Ministrit të Financave dhe Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, analizimi dhe shqyrtimi i përfaqësuesve të Ministrive si anëtar të Këshillave Mbikëqyrës të shoqërive anonime të linjës administrative. Më pas të procedohetme propozimin e kandidaturave të reja të cilët domosdoshmërisht duhet të jenë pjesë e stafit të Ministrive respektive dhe të plotësojnë kërkesat e kuadrit rregullator me objektiv mundësimin e ofrimit të ekspertizës teknike profesionale te fushës. Në veçanti të shqyrtohet përbërja e anëtarëve të Këshillave Mbikëqyrës të evidentuar nga KLSH në kundërshtim me kërkesat e kuadrit rregullator, në shoqëritë anonime si vijon:
Në sh.a “Trajtimi i Studentëve nr. 3” Tiranë; sh.a “Anta” Tiranë, sh.a “Tregtimi i Librit Artistik dhe Shkencor”; Tiranë; “ASD” Tiranë; sh.a “Prodhim Mobilje” Tiranë; sh.a “Alba film studio “Tiranë”; “Bordi Artistik të Teatrit Kombëtar”; sh.a “Hekurudha Shqiptare” Durrës, sh.a “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”; sh.a “Trajtimi i Studentave” Shkodër e sh.a “Albkrom” Tiranë; sh.a “Agjencia Detare Taulantia”, sh.a “Regjistri Detar Durrës”; sh.a “Porti Detar Shëngjin”. (Menjëherë).
3. Për “Ujësjellës Kanalizime sh.a” 
Gjetje nga Auditimi:
a. – Bazuar ne evidencat e paraqitura në KLSH rezulton se nga 56 Ujësjellës sh.a në shkallë vendi 50 prej tyre pagesat e Këshillit Mbikëqyrës i kanë kryer bazuar në pagën e Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës në masën 90,000 lekë ose nga 18,000-27,000 lekë /muaj, duke u pajisur me vërtetim nga Prefekturat përkatëse. Këto pagesa janë bazuar në Udhëzimin e Ministrisë Ekonomisë dhe Tregtisë nr. 29,datë 13.01.2006 ”Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e Këshillit Mbikëqyrës në shoqëritë anonime” udhëzim i cili përcakton se: Shoqëritë që kanë kaluar në pronësi të pushtetit vendor dhe të tjera që me VKM të veçantë, do të kalojnë gradualisht, do të shpërblehen 30% për kryetarin dhe 20% për anëtarët, me pagën e Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës. Por ky udhëzim është shfuqizuar me Udhëzimin e METE nr. 318, datë 08.04.2009 “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e Këshillit Mbikëqyrës në Shoqëritë Anonime Shtetërore, dhe në fuqi ka qenë kriteri i përcaktuar me VKM 642 datë 11.10.2005 që referuese duhej te ishte paga e Sekretarit të Përgjithshëm të MZHETTS-it. Nga auditimi rezultoi se pavarësisht shfuqizimit të Udhëzimit nr. 29, datë 13.01.2006 në 50 Ujësjellës sh.a nga 56 gjithsej, pagesa e anëtarëve të Këshillave Mbikëqyrës ka vazhduar mbi bazën e pagës Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës.
b.- Nga 56 Ujësjellës sh.a, në shkallë vendi 44 Ujësjellës sh.a i kanë paguar sekretarët e Këshillit Mbikëqyrës në masën 5,000 lekë/muaj, ndërsa 9 Ujësjellës sh.a i kanë paguar më tepër respektivisht: Mirditë 46,000 lekë/muaj, Ura Vajgurore 18,000 lekë/muaj, Ujësjellës sh.a Elbasan-Qytet 15,000 lekë/muaj, Patos 22.320 lekë/muaj duke e paguar njësoj me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, në Ujësjellsat Korçë Fshat, Tepelenë, Pogradec dhe Sarandë nga 12,000 lekë/muaj dhe Elbasan Fshat 6,000/muaj. 
Sa më sipër rekomandoj: 
Deri në daljen e akteve përkatëse, për shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe sekretarit të Këshillit Mbikëqyrës nga ana e Ujësjellës Kanalizime sh.a të zbatohen plotësisht dispozitat nënligjore, dhe konkretisht:
VKM nr. 642, datë 11.10.2005 “Për Këshillat Mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore” pika 6, përcakton se: Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës përfitojnë shpërblim për pjesëmarrje në Këshillat Mbikqyrës si më poshtë vijon; 
a)- Në shoqëritë anonime shtetërore jostrategjike vendore, për kryetarin, në masën 30 përqind të pagës mujore të sekretarit të përgjithshëm të prefekturës dhe për anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, 20 përqind të kësaj page.
b)- Udhëzimi i METE nr. 318, datë 08.04.2009 “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e Këshillit Mbikëqyrës në Shoqëritë Anonime Shtetërore”, pika 5 ku përcaktohet se: Me propozim të Ministrit të METE-s (të autorizuarit e tij), Këshilli Mbikëqyrës, në mbledhjen e tij të parë zgjedh me shumicë votash kryetarin dhe nënkryetarin. Këshilli Mbikëqyrës mund të caktojë gjithashtu edhe një sekretar, me një shpërblim mujor deri në 15 000 lekë për shoqëritë strategjike dhe deri 5000 lekë për ato jostrategjike. Sekretari i Këshillit Mbikëqyrës do të jetë përfaqësues i shoqërisë apo përfaqësues i METE-s.
c)- Në se për personat e cituar në pasqyrën bashkëlidhur Raportit Përfundimtar të Auditimit janë kryer pagesa edhe pas datës 30.06.2015, të kryejnë ndalesat përkatëse edhe për periudhën në vijim. (Menjëherë).
4- Gjetje nga auditimi: Nga auditimi i kryer në Ujësjellës Divjakë sh.a, rezultoi se një anëtare e Këshillit Mbikëqyrës nuk ka marre pjesë në asnjë nga 8 mbledhjet të Këshillit Mbikëqyrës, respektivisht 3 për vitin 2013, 3 për vitin 2014 dhe 2 mbledhje për vitin 2015, ndërkohë nga Këshilli Mbikëqyrës nuk i është bërë prezent Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me qëllim që ta zëvendësonin, duke vepruar në kundërshtim me Udhëzimin e METE, Nr.318, datë 08. 04. 2009 “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e Këshillit Mbikëqyrës në Shoqëritë Anonime Shtetërore”, pikën 9 ku përcaktohet se: Në se një anëtar i Këshillit Mbikëqyrës nuk merë pjesë në 3 mbledhje radhazi, atëherë Ministri i Ekonomisë,Tregtisë dhe Energjetikës merr vendimin për lirimin e tij nga detyra”. (Sa trajtuar në faqen 162 të Raportit Përfundimtar të Auditimit) 
Sa më sipër rekomandoj: 
Këshilli Mbikëqyrës i Ujësjellësit sh.a Divjakë, të shqyrtojë e analizojë pjesëmarrjen në mbledhje të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës për periudhën 2013-Maj 2015 dhe t’í propozojë Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, largimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të cilët rezultojnë që nuk kanë marrë pjesë në 3 mbledhje radhazi. (Menjëherë).
5- Gjetje nga auditimi: Nga ana e Këshillit Mbikëqyrës i Ujësjellësit sh.a Divjakë që nga krijimi i tij, sipas Urdhrit të Ministrit të Energjetikës nr. 579, datë 18.06.2013, për periudhën dy-vjeçare që funksionon ky këshill, për veprimtarinë ekonomiko-financiare të shoqërisë asnjëherë nuk i është raportuar Ministrit të MZHETTS, në cilësinë e përfaqësuesit të pronës shtetërore, në kundërshtim me VKM nr. 642, datë 11.10.2005 “Për funksionimin e Këshillave Mbikëqyrës”, ndryshuar me VKM nr. 677, datë 3.10.2007 dhe VKM nr. 215, datë 28.3.2012, pikën 8 ku përcaktohet se: Këshilli Mbikëqyrës mblidhet jo më pak se katër herë në vit dhe i raporton, për veprimtarinë ekonomike e financiare të shoqërisë, ministrit të linjës dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me cilësinë e përfaqësuesit të pronës shtetërore, jo më pak se 4 herë në vit. (Sa trajtuar në faqet 161-170 të Raportit Përfundimtar të Auditimit). 
Sa më sipër rekomandoj: 
Këshilli Mbikëqyrës i Ujësjellësit sh.a Divjakë dhe Drejtoria e Shoqërisë ti dërgojë Ministrit Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë,Turizmit dhe Sipërmarrjes, programin ekonomik-financiar dhe raportin për veprimtarinë ekonomiko-financiare të shoqërisë Ujësjellës sh.a Divjakë. (Menjëherë).
(Vijon nesër)
Sigal