KLSH zbardh skandalin me ujin e pijshëm në Lushnje: Në 2016 nuk u kontrollua dhe as u klorinua

1211
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar sot një skandal me ujin e pijshëm në Lushnje, një skandal me pasoja në shëndetin e popullatës, përveç dëmit ekonomik për Buxhetin e Shtetit që arrin në vlerën totale prej 334,854 euro.

Gjatë një kontrolli që KLSH ka ushtruar në Ujësjellës-Kanalizime në Lushnje nga 1 shtatori 2015 deri në 31 dhjetor 2016, rezultoi se: “prodhimi dhe furnizimi me ujë i popullatës, biznesit, institucioneve dhe industrisë, nuk është kryer në zbatim të standardeve shtetërore, pasi nuk janë kryer analizat e përbërjes fiziko-kimike të ujit të pijshëm dhe për periudhën e auditimit nuk është kryer klorinimi i ujit të pijshëm.” 

KLSH ka bërë kallëzim penal për të gjitha shkeljet ndaj Adminsitratorit të kësaj shoqërie me inicialet A.D. pranë Prokurisë së Rrethit Gjyqësor, Lushnje.

DOKUMENTI I PUBLIKUAR SOT NGA KLSH:
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 23/1, datë 09.01.2017, ka ushtruar auditim në Ujësjellës Kanalizime sh.a. Lushnjë, për periudhën 01.09.2015 deri më 31.12.2016. Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me nr. 48, datë 30.04.2017, të cilat janë përcjellë në subjekt me shkresën Nr. 23/12, datë 02.05.2017.

Nga auditimi i dokumentacionit të vënë dispozicion në lidhje me aktivitetin e shoqërisë Ujësjellës Kanalizime sh.a. Lushnjë, u konstatuan një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret janë:

1. Shoqëria “Ujësjellës Kanalizime” sh.a Lushnjë, përfaqësuar nga Administratori, ka lidhur kontratë kredie (për lëshim letër garancie bankare), me një bankë të nivelit të dytë në vlerën 1,070,000 euro. Lidhja e kontratës për lëshimin e letër garancisë nga Administratori i Shoqërisë UK Lushnjë, është bërë pa testuar tregun financiar për normën mesatare të interesit të kredisë. Nga Administratori është pranuar apriori norma e interesit 12% nga banka e nivelit të dytë, ose rreth 5% interes në vit më shumë se tregu bankar, duke shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 192,691 euro.

2. Nuk janë instaluar 500 matës elektronikë wireless, duke i lënë në ruajtje, në kundërshtim me kontratën e nënshkruar me kontraktorin, duke shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 60,000 Euro.

3. Nuk janë arkëtuar 11,092,000 lekë (82,163 Euro), si detyrim financiar i subjekteve pronarë të pallateve apo apartamenteve të reja, për lidhjen me ujin e pijshëm.

4. Me qëllim uljen e humbjeve, janë vendosur nga ana e Administratorit norma amortizimi menaxheriale shumë të vogla, pa miratim të Këshillit Mbikëqyrës dhe të Asamblesë së Aksionarëve, duke krijuar një efekt negativ financiar në vlerën 220,827 mijë lekë (1,635,760 Euro).

5. Nga kjo shoqëri nuk janë llogaritur kamatë vonesat për mos likuidimin e faturave të ujit, duke shkaktuar të ardhura të munguara për shoqërinë në vlerën 23,650,348 lekë (175,188 Euro).

6. UK Lushnjë ka faturuar nga familjarët, biznesi dhe institucionet publike, 3562466 m3 ujë të ndotur me vlerë 53,462,911 lekë, e cila nuk është investuar për grumbullimin dhe largimin e ujërave të ndotur edhe pse është paguar nga qytetarët dhe biznesi, duke vënë në rrezik shëndetin e popullatës.

7. Prodhimi dhe furnizimi me ujë i popullatës, biznesit, institucioneve dhe industrisë, nuk është kryer në zbatim të standardeve shtetërore, pasi nuk janë kryer analizat e përbërjes fiziko-kimike të ujit të pijshëm dhe për periudhën e auditimit nuk është kryer klorinimi i ujit të pijshëm.

Duke marrë në konsideratë të gjitha shkeljet e konstatuara rezulton dëm ekonomik për Shoqërinë dhe Buxhetin e Shtetit në vlerën totale prej 334,854 Euro, për shkak të lidhjes në kushte të disfavorshme për shoqërinë të një kontratë kredie, për mos arkëtimin e detyrimeve financiare nga lidhja e banesave të reja me ujin e pijshëm dhe moszbatimit të kontratës për vendosjen e matësve të ujit. Efekti negativ financiar shkaktuar shoqërisë Ujësjellës Kanalizime sh.a. Lushnjë është në vlerën 1,810,943 Euro (244 milion lekë), për shkak të vendosjes së normave të ulëta të amortizimit dhe mos llogaritjes së kamatë-vonesave për mos likuidimin e faturave të ujit.

KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga A.D., në cilësinë e Administratorit të Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Lushnjë si veprime apo mosveprime me pasoja për interesat e shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale si dhe nenit 15 germa “gj” të ligjit nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” ka bërë kallëzim penal për A.D., pranë Prokurisë së Rrethit Gjyqësor, Lushnje. 
Sigal