KLSH: Vazhdon skandali, Ministria e Mbrojtjes nuk disponon dokumentacion vërtetues për kryerjen e shpenzimeve

717
Vijon nga numri i kaluar
Ministria e Mbrojtjes, të marrë masat e nevojshme që në të ardhmen të pasqyrojë në evidencën kontabile të gjitha detyrimet, sipas parimit të të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara
Në vijim të raportit përfundimtar të KLSH mbi auditimin e ushtruar në Ministrinë e Mbrojtjes me objekt “Mbi auditimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare”, ku zbardhet blerja e helikopterëve, pajisjeve ushtarake dhe armatimet, vijon me mosdisponimin e dokumentacioneve justifikuese nga Ministria e Mbrojtjes për shpenzimet e kryera si; kontratë, faturë, akt marrje në dorëzim etj
Mbi detyrimet ndaj të tretëve 
Referuar Raportit të kompanisë së auditimit “D…..”, konstatohet se për Ministrinë e Mbrojtjes janë raportuar detyrime me vlerë 575,901,330 lekë, të cilat përbëjnë 2.34 për qind të borxhit gjithsej të qeverisë, ndërsa ministria në oponencë të këtij raporti ka paraqitur një borxh me vlerë 1,515,513,396 lekë gati tre herë më të lartë deri më 31.12.2013. Kjo shumë ka ardhur duke u rritur deri në raportimin përfundimtar në janar 2015, ku vlera e raportuar e borxhit ka arritur në shumën 1,929,019,878 lekë, të cilat 243,840,093 lekë janë përballuar nga fondet e veta dhe 1,580,417,197 lekë janë çelur nga Fondi i Kontigjencës, nga të cilat janë ekzekutuar 1,357,499,197 lekë. Nga raportimet e Ministrisë së Mbrojtjes konstatohet se janë evidentuar si detyrime të prapambetura gjendje më 31.12.2013, për “furnitorë për punë dhe mallra” në vlerën 1,929,019,878 lekë gjithsej, nga të cilat 671,594,209 lekë, ose 35% e totalit të detyrimeve të raportuara si “borxh” i korrespondon detyrimeve, për të cilat fatura është lëshuar nga data 1-31.12.2013. Nga auditimi rezultoi se në pasqyrat financiare të vitit 2013 nuk janë paraqitur të gjitha detyrimet e krijuara, kryesisht për efekt të mos derdhjes të detyrimeve ndaj sigurimeve shoqërore dhe tatimeve, për pjesën që kontribuon punëmarrësi. Nga auditimi i veprimeve të çeljes së fondeve dhe likuidimit të detyrimeve konstatohet se në Ministrinë e Mbrojtjes, nga Drejtoria e Financës, nuk disponohet dokumentacioni justifikues/vërtetues i kryerjes së shpenzimit si kontratë, faturë, akt marrje në dorëzim, etj, por këto dokumente janë në secilën nga njësitë e varësisë, në kundërshtim me pikën 21 të UMF nr. 5, datë 27.02.2014 “Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura”, në të cilën është përcaktuar se … Nëpunësit Autorizues të njësive qendrore e vendore sigurohen që të gjitha urdhrat e pagesës të paraqitura në degën e thesarit respektiv, të jenë të shoqëruar me dokumentacionin e plotë justifikues, si dhe pikën 26 të UMF nr. 29, datë 24.12.2013 “Për procedurat e mbylljes së llogarive vjetore të buxhetit për vitin 2013”, dhe përcaktimet e VKM nr. 50, datë 05.2.2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”. 

Për këtë është rekomanduar: 
Ministria e Mbrojtjes, të marrë masat e nevojshme që në të ardhmen të pasqyrojë në evidencën kontabile të gjitha detyrimet, sipas parimit të të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara. Të plotësojë dokumentacionin e duhur për likuidimin e detyrimeve të prapambetura, konform kërkesave të strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të Udhëzimit të Ministrit të Financave për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. 

Në vijimësi 
Llogaritë e Klasës IV “Kërkesa arkëtimi mbi debitorët” pasqyrohen në fund të dy periudhave ushtrimore me pasaktësi: – Në aktivin e pasqyrës financiare të vitit 2014 janë shtuar në llogarinë 468 “Debitorë të ndryshëm”, detyrime në shumën 335,342,515 lekë, të cilat janë detyrime nga dëmtimet e vitit 1997 në Komandën e Forcës Tokësore. Këto detyrime nuk janë pasqyruar bilancin e vitit 2013, pavarësisht se janë detyrime të trashëguara deri në vitin 2012. – Në aktivin e bilancit të vitit 2014, llogaria 49 “Shuma të parashikuara për zhvlerësim” është pasqyruar me gjendje, si në mbyllje të viteve ushtrimore 2013 dhe 2014, konkretisht në shumën 588,861,147 lekë dhe 196,950,948 lekë, të cilat rezultojnë të jenë detyrime për dëmtimet e vitit 1997, por nga njësitë e varësisë janë pasqyruar gabimisht në këtë llogari. Të dhënat e formatit nr. 5 “Pasqyrë e lëvizjes së fondeve në CASH” për të dy vitet nuk rakordojnë me të dhënat e fondeve buxhetore, si për planin me ndryshimet, ashtu dhe për shpenzimet faktike, krahasuar këto me të dhënat e sistemit të thesarit për të dy vitet. Të dhënat e formatit nr. 6 “Gjendja dhe ndryshimet e Aktiveve të Qëndrueshme” të pasqyrës financiare të vitit 2014, kanë pasaktësi dhe nuk paraqesin me vërtetësi ndryshimet e aktiveve gjatë vitit ushtrimor. Në kolonën 7, “Shitje” paraqitet në total shuma 164,520,061 lekë, ndërsa nga auditimi rezulton se në fakt kjo shumë përbëhet kryesisht nga transferimet e aktiveve ndërmjet njësive. Nga auditimi i pasqyrave financiare të Komandës Mbështetëse dhe shpjegimeve të kësaj njësie, konstatohet se janë paraqitur në këtë kolonë shumën 4,312,830 lekë, por që realisht shitjet janë në vlerën 75.600 lekë, ndërsa diferenca për vlerën 4,237,230 lekë është kalim kapital një objekti. Nga auditimi i pasqyrës financiare të njësisë ASNI, konstatohet se në këtë kolonë ka paraqitur shumën 160,207,231 lekë, të cilat në fakt janë lëvizje dhe sistemime të brendshme. Në kolonën 8, “Nxjerrje jashtë përdorimit” pasqyrohen në shumën 4,927,728,754 lekë, por edhe në këtë kolonë janë përfshirë veprime të lëvizjes brenda aktiveve, konkretisht nga auditimi i pasqyrave financiare të Komandës së Forcës Tokësore rezulton se në bilanc ka pasqyruar shumën 334,910,883 lekë si nxjerrje jashtë përdorimit, ndërsa në fakt janë nxjerrë realisht jashtë përdorimit asete në shumën 11,153,735 lekë, ose me një diferencë të theksuar prej 323,757,148 lekë. Nga të dhënat e pasqyrave financiare vërehet se vlera e armatimit, helikopterëve dhe automjeteve të blinduara, të blerë me fonde të buxhetit të shtetit, nuk pasqyrohen në evidencën kontabile të njësive dhe as në bilancin përmbledhës të Ministrisë. Këto aktive, pasi janë bërë hyrje nga njësitë përkatëse, i janë bërë dalje specialistit të armatimit, i cili mban llogarinë e armatim-municionit, si një llogari e veçantë nga shërbimet e tjera. Veprimet kryhen, duke ju referuar Rregullores së shërbimit të armatim-municionit, botim i vitit 1990, ku regjistrimi dhe mbajtja e armatim-municionit është klasifikuar sekret. Sipas informacioneve rezulton se, armatimi i vjetër mbahet vetëm në sasi, por jo në vlerë, duke mos pasur një vlerë reale të armatimit në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin”, i ndryshuar, VKM nr. 248, datë 10.04.1998 i ndryshuar, UMF nr. 14, datë 28.12.2006 “Për përgatitjen dhe raportimin e pasqyrave financiare vjetore të vitit 2006 për institucionet qendrore, organet e pushtetit vendor dhe njësive që varen prej tyre si dhe njësive të menaxhimit/zbatimit të projekteve e marrëveshjeve me donatorë të huaj” i ndryshuar etj. 

Për këtë është rekomanduar: 
-Ministria e Mbrojtjes, të marrë masat e nevojshme që në të ardhmen të pasqyrojë në evidencën kontabile të gjitha detyrimet, sipas parimit të të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara. 

-Ministria e Mbrojtjes, të marrë masat e nevojshme që të plotësojë dokumentacionin e duhur për likuidimin e detyrimeve të prapambetura, konform kërkesave të strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura sipas Udhëzimit të Ministrit të Financave për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Nga auditimi mbi inventarizimin e pronës shtetërore dhe regjistrimit në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u konstatua se: – Lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes nuk është azhurnuar me pronat, truallin dhe objektet, si dhe me të dhënat tekniko-ligjore të tyre, megjithëse ato kanë ndryshuar përgjegjësinë e administrimit, brenda dhe jashtë sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ka prona të pa përfshira në inventarët kontabël të njësive; ka prona të cilat nuk pasqyrohen me vlerë, disa prona edhe pse janë të regjistruara në ZRPP dhe janë përfshirë në evidencën kontabile, në këtë të fundit nuk pasqyrohet me vlerën reale sipas zonave kadastrale, konstatohet se ka mbivendosje të pronave, por ka dhe prona që janë në inventarë të dy njësive. – Sipas regjistrit të pronave të dy njësive (Forca Tokësore dhe Forca Ajrore), ka të dhëna të ndryshme të pronave, për sa i përket sipërfaqeve të tyre, duke krahasuar të dhënat sipas VKM nr. 515, datë 18.07.2003, i ndryshuar, matjeve të kryera nga Instituti i Gjeografisë Ushtarake, por dhe referuar certifikatës së pronësisë. Njësia publike, deri në këto momente të auditimit nuk ka një regjistër të aseteve në tërësi, si dhe regjistër të pronave, edhe pse në këtë institucion ka funksionuar projekti CUBIC, nëpërmjet të cilit duhet të evidentoheshin të gjitha pronat në administrim të MM, më të gjithë komponentët e tyre, veprime këto në kundërshtim me Udhëzimin nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”, i ndryshuar. 

Për këtë është rekomanduar: 
Ministria e Mbrojtjes, të marrë masat e nevojshme që në të ardhmen të pasqyrojë në evidencën kontabile të gjitha asetet në administrim të institucionit, si dhe të bëjë regjistrimin e tyre në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, konform kërkesave të legjislacionit për kontabilitetin, atë të regjistrimit të pronave, si dhe menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik. 

B. MASA SHPËRBLIM DËMI 
I. Mbështetur në ligjin nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” neni 15, pika b, ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurës administrative” pjesa V, Kreu IV, nenet 105-109 dhe UMF nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”, Kapitulli IV “Sistemet e kontrollit periodik të aktiveve” pika 93, nga ana e titullarit të njësisë publike (Nëpunësi Autorizues), të nxirren aktet administrative, me qëllim shpërblimin e dëmit, në vlerën 859,794 euro si më poshtë: 

1. Për Kompaninë “E……” në vlerën 639,794 euro për shkak se gjatë zbatimit të kontratës së tenderit me objekt “Furnizimi me 5 helikopterë të mesëm shumërolësh” e ndryshuar, kompanisë fituese i janë likuiduar katër kite me vlerë 3,458,142 euro, ndërkohë që vlera e katër kiteve sipas dokumentacionit të bërë hyrje është në 2,764,348 euro, ose 639,794 euro më pak. 

2. Për Z. Ë. Ç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme së Standardeve të NATO-s dhe Modernizimit, z. A. Sh, me detyrë Shef i Sektorit të Hartimit të Projekteve, në cilësinë e kryetarit të grupit të punës për hartimin e projektit teknik dhe anëtarët e grupit të punës z. N.G z. E. D, z. M. K, z. B. D dhe z. B. B në vlerën 220,000 Euro, ose nga 31,429 

euro/secili, për shkak se në procedurën e tenderit me objekt “Blerje mjete të blinduara për policinë ushtarake” me fituese kompaninë “I….” s.p.a I…., kanë rritur në mënyrë të pajustifikuar, padrejtësisht, fondin limit nga 1,200,000 Euro të parashikuar në projektin fillestar të propozuar nga Komanda e Policisë Ushtarake, në 1,420,000 Euro. 

II. Mbështetur në ligjin nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” neni 15, pika b, ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurës administrative” pjesa V, Kreu IV, nenet 105-109 dhe UMF nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”, Kapitulli IV “Sistemet e kontrollit periodik të aktiveve” pika 93, nga ana e titullarit të njësisë publike (Nëpunësi Autorizues), të nxirren aktet administrative, me qëllim shpërblimin e dëmit, në vlerën 11,491,593 lekë si më poshtë: 

1. Për operatorin “I… T..” sh.p.k. në vlerën 2,482,217 lekë, për shkak se në tenderin me objekt “Blerje furnizim, instalim, vënia në punë e SIVHD …” “Kontrata fillestare” me fond limit 63,019,515 lekë, ka vonuar zbatimin/dorëzimin e punimeve në kundërshtim me: 

– Seksionin II.3.1, të DST, në të cilën afati për kryerjen e punimeve për “Pjesën e parë” me fond limit 48,541,515 lekë, është përcaktuar 45 ditë kalendarike. 
– pikën 1.5. “Kohëzgjatja e marrëveshjes kuadër” të “Marrëveshje kuadër” nr. 540/2, datë 18.12.2013 pjesa e parë, në të cilën afati i përfundimit të kontratës është përcaktuar 45 ditë kalendarike nga dita e lidhjes së marrëveshjes kuadër. 

– nenin 10 “Kushtet e dorëzimit” të kontratës nr. 382/4 datë 30.12.2013 lidhur midis palëve, në të cilin është përcaktuar se … furnizuesi do të fillojë furnizimin … menjëherë pas nënshkrimit të kësaj kontrate dhe do të përfundojë brenda 45 ditëve kalendarike. 

2. Për komisionin e pritjes së mallit të përbërë nga Major A. Z, kryetar, R. R, Kapiten K. T, Kapter H. B dhe F. Ç përgjegjës materiali, në cilësinë e anëtarëve, të Repartit Ushtarak nr. 2002 dhe njësisë së prokurimit të përbërë nga G. J, E. F, R. R në vlerën 2,079,096 lekë, e cila përfaqëson diferencën midis ofertës së OE “A… Co” sh.p.k. të shpallur fitues dhe “B…” sh.p.k. të skualifikuar në tenderin me objekt “Blerje materiale për flotën luftarake”, për shkak se Komisioni i pritjes së mallit ka pranuar dhe marrë në dorëzim pjesët e ndërrimit objekt tenderi, të pa shoqëruar me certifikatë origjine, cilësie dhe fletë garancie. Artikujt e furnizuar nuk janë në përputhje me të dhënat e kërkuara në katalogët dhe skedën teknike, që OE fitues ka paraqitur në ofertë, në kundërshtim me: 

-paragrafin e tretë nga fundi i KVK të miratuar me DST, në të cilin është përcaktuar se … OE që kualifikohen në këtë procedurë duhet të paraqesin një deklaratë ku të deklarojnë se në momentin e dorëzimit të mallit do ta shoqërojnë atë me certifikatën e cilësisë, certifikatën e origjinës së mallit dhe fletën e garancisë për mallrat e kërkuara. -pikën 2.3.3. germa b dhe c të KVK, në të cilat është përcaktuar se … Produkti me specifikimet të dhëna nga AK në DST duhet të jetë i përfshirë në përmbajtje të katalogëve ose prospekteve teknike të mësipërm. Për çdo ofertues është e domosdoshme të plotësohet skeda teknike e materialeve. Mos paraqitja e katalogëve ose prospekteve nën autoritetin e prodhuesit …. si dhe mosparaqitja e të dhënave të kërkuara në katalogët dhe në skedën teknike është kusht kualifikues. OE “A… Co” sh.p.k. nuk i ka shoqëruar artikujt e furnizuar me dokumentacionin e kërkuar. Njësia e prokurimit është bashkë përgjegjëse për parregullsitë e konstatuara pasi, në dokumentacionin e dërguar Repartit Ushtarak nr. 2002 në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, nuk i ka dërguar KVK me qëllim që “Komisioni i pritjes së mallit …” të bënte krahasimin me sa është përcaktuar në KVK. Për operatorin “I… T..” sh.p.k. në vlerën 1,704,258 lekë, për shkak se në tenderin me objekt “Blerje furnizim, instalim, vënia në punë e SIVHD …” “Kontrata shtesë” ka rritur çmimet e tre artikujve të furnizuar/instaluar, në kundërshtim me pikën 3 të nenit 35/1 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 i ndryshuar, e cila përcakton se … Kur lidhen kontrata, të bazuara në një marrëveshje kuadër, palët nuk munden, në asnjë rrethanë, të bëjnë ndryshime thelbësore të kushteve të parashtruara në marrëveshjen kuadër … dhe vet “Marrëveshjen kuadër” nr. 540/2, datë 18.12.2013 lidhur midis MM dhe dy OE “I… T..” sh.p.k. dhe “A… comunication” sh.p.k. Për punonjësit, N/kolonel I. D me detyrë specialist infrastrukture dhe N/kolonel H.G me detyrë shef i Degës së Logjistikës në Repartin Ushtarak nr. 4010, në cilësinë e hartuesve të preventivit dhe fondit limit, në vlerën 1,304,000 lekë, ose nga 652,000 lekë secili, për shkak se në tenderin me objekt “Mirëmbajtje kazermash” në preventivin e llogaritjes së fondit limit, disa nga çmimet e vendosura janë në kundërshtim me “Listën e materialeve … për mirëmbajtje kazermash” të unifikuar (manual) nga Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes (ISPMb). Për anëtarët e KVO të përbërë nga M. R, M. O dhe E. T në vlerën 1,113,918 lekë, ose nga 371,306 lekë secili, e cila përfaqëson diferencën midis ofertës të OE “S…. Co” sh.p.k. të skualifikuar padrejtësisht dhe “Sh….” sh.p.k. të shpallur fitues, në tenderin me objekt “blerje artikuj ushqimorë” loti V “blerje fruta perime”, në kundërshtim me pikën 3/b të Kreu-t të III të VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar, KVK e miratuar me DST, Udhëzimin e APP, i cili përcakton se para lidhjes së kontratës OE duhet të paraqesë dokumentacionin administrativo ligjor në formë të shkruar të paraqitur në tender, origjinal ose fotokopje e noterizuar, i cili verifikohet nga KVO dhe bëhet pjesë e dosjes së tenderit, si dhe përcaktimet e parashikuara në nenin 1, “Objekti dhe qëllimi”, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar. Për BOE “R..” sh.p.k. dhe “I…… c…..” sh.p.k. në vlerën 940,520 lekë, e cila përfaqëson TVSH-në e përfituar në tenderin me objekt “Rikonstruksion i pjesshëm … në godinën e Ministrisë së Mbrojtjes”,dhe Për BOE “B….” sh.p.k. dhe “A…” sh.p.k. në vlerën 235,200 lekë, e cila përfaqëson TVSH-në e përfituar në tenderin me objekt “Rikonstruksioni i infrastrukturës së rrjetit për MM”, në kundërshtim me germën A/7 paragrafi i fundit i UKM nr. 2, datë 8.5.2003 “Për klasifikimin dhe strukturën e kostos së punimeve të ndërtimit”, e cila përcakton se në të gjitha rastet përjashtohen pajisjet dhe aparaturat. Për operatorin “S… –A.” sh.p.k., në vlerën 539 840 lekë, Për operatorin “K..” sh.p.k., në vlerën 387,264 lekë, Për operatorin “H…… A…..” sh.p.k. në vlerën 352,640 lekë, Për operatorin “G…. T…..” sh.p.k. në vlerën 352,640 lekë, cila përfaqëson sipërfaqen shtesë të shfrytëzuar por të pa paguar nga OE, në kundërshtim me sa përcakton kontrata e qirasë…. 
– Vijon –
Sigal