KLSH – USAID, një partneritet për transparencën në shëndetësi

950
Nga Dorel BALLIU
Auditues në KLSh
Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe USAID për “Transparencën në Sistemin Shëndetësor”, në datat 30-31 Tetor, 2 dhe 6 Nëntor KLSH mori pjesë në trajnimin dhe seminaret me temë “Korrupsioni në Sistemin Shëndetësor” dhe “Auditimi i Performancës në Sektorin Shëndetësor”. Trajnimi u organizua nga USAID e në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve si KLSH, ILDKPKI, Avokati i Popullit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe nga shoqëria civile. Trajnimi u zhvillua me një frymë pozitive të shkëmbimit të ideve nga përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse, debatit konstruktiv dhe identifikimit të problemeve kryesore e zgjidhjeve të mundshme. Pjesëmarrësit u ndanë disa herë ne grupe të vogla të përbëra nga eksponentë të secilit institucion, nga ku spikatën audituesit e KLSH-së me prezantimet e tyre. Gjatë dy ditëve të para u trajtuan disa koncepte bazë si korrupsioni, përgjegjshmëria dhe transparenca në shëndetësi, u identifikuan risqet që favorizojnë korrupsionin, si dhe u morën në shqyrtim modele për zgjedhje racionale dhe ndërhyrje për të ulur korrupsionin. Trajnimi u përqendrua gjithashtu në korrupsionin në sistemin farmaceutik dhe strategjitë për parandalim. Znj. Taryn Vian, trajnuese, bëri një prezantim të shkurtër mbi dobësitë e këtij të fundit sa i përket prodhimit, regjistrimit, përzgjedhjes, prokurimit, si dhe shpërndarjes së barnave. Pa vëmendje nuk mbeti as çështja e pagesave joformale, mjaft e përhapur kjo edhe në shoqërinë shqiptare e veçanërisht në sistemin shëndetësor. Këto tema u shoqëruan me diskutime të frytshme nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme pjesëmarrëse dhe punë në grup.
Seminari i datës 2 Nëntor u pasua nga pjesëmarrja e audituesve të departamentit të performancës në KLSH. Lajtmotiv i këtij trajnimi ishte pikërisht “Auditimi i Performancës në Sistemin Shëndetësor”, ku u përshkruan me kujdes gurët e themelit të këtij lloji auditimi: qëllimi, qasjet, objektivat, kriteret, evidencat, gjetjet, fazat, afati kohor, si dhe auditime të mëparshme në sistemin e shëndetësisë. Si materiale pune ishin përzgjedhur edhe dy raporte auditimi performance, “Ruajtja e Ekosistemit të Parkut Kombëtar të Prespës” dhe “Performanca e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore”. Pjesëmarrësit u ndanë përsëri në grupe dhe audituesit e KLSH-së prezantuan duke kontekstualizuar pikat e mësipërme me raportet e vëna në dispozicion.
Dita e fundit përkoi me një vështrim të përgjithshëm të kuadrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sistemet shëndetësore. Trajnimi u fokusua gjithashtu në sektorin dhe institucionet përgjegjëse shëndetësore shqiptare, mekanizmat e ankesës dhe mbledhjes së reagimeve dhe në një ushtrim në grup. Gjatë këtyre seminareve, KLSH u përfaqësua nga z. Ermal Yzeiraj, Drejtor i Departamentit Juridik dhe Kontrollit të Zbatimit të Standardeve, kryeaudituesi z. Aulent Guri, audituesit znj. Aulona Jonuzi, znj. Xhuljeta Çelaj, z. Bashkim Harizaj, z. Alfred Zylfi, znj. Elfrida Agolli, z. Alfred Leskaj, znj. Eva Leka, znj. Erieta Këlliçi, znj. Miranda Berdo, z. Dorel Balliu, z. Krisi Anastas, z. Gert Hekurani, si dhe z. Flavjo Xhuveli, jurist. USAID e ka identifikuar KLSH-në një partner të rëndësishëm e të besuar në luftën kundër korrupsionit në shëndetësi dhe një katalizator në bashkëpunimin konkret ndërinstitucional për këtë çështje. Këto trajnime do të kulmojnë me përzgjedhjen e një teme të përbashkët mes KLSH dhe USAID për një auditim performance në fushën e shëndetësisë. Qëllimi është ai i përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, rritja e transparencës dhe llogaridhënies nga ana institucioneve përgjegjëse, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me median e shoqërinë civile, si dhe e fundit në radhë, por jo në rëndësi, lufta ndaj korrupsionit në këtë sektor delikat.
Sigal