KLSH/ “Ujësjellësi i Elbasanit i mbushur me shkelje e abuzime”

622
Duket se Ujësjellësi i Elbasanit, nuk i ka shpëtuar akuzave dhe denoncimeve jo vetëm nga KLSH por edhe punonjësit e tij për shkelje ligjore, shpërdorime me detyrën nga drejtuesit dhe abuzime. Në raportin e fundit të KLSH, jepen në 18 faqe të tij, veç rasteve të panumërta të shkeljeve dhe abuzimeve ligjore e financiare nga ish-drejtuesit dhe drejtuesit aktualë, edhe rekomandimet e institucionit më të lartë të shtetit, mbi shkarkimet, largimet, apo edhe penalizimet ndaj tyre. Duke u ndalur në disa prej denoncimeve të adresuara në “Telegraf” një punonjës i kësaj ndërmarje tha se “mendoj se shkeljet kanë nisur vite më parë dhe janë dokumentuar, por dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, me abuzime dhe shpërdorime, tenderime etj. Mjafton që pas atyre që ka konstatuar KLSH, të përmendë disa prej shkeljeve që ndodhin me ne punëtorët dhe stafin, ku në ditët e pushimeve drejtoria nxjerr punëtorët në punë me orare të zgjatura dhe pa u paguar, sepse nga invenstimi i ri kanë ngelur shumë familje pa ujë, nga paaftësia për llogaritjen më efikase që duhej bërë. Apo fakti se njëra nga makinat “FORD TORNEO”. që ditën që ka ardhur deri me sot, përdoret për nevoja personale të drejtuesve, familjarëve dhe bizneseve të tyre, duke punësuar për shoferë punëtorë të ndërmarrjes dhe të afërm të tyre”. Burimet nga ky Ujësjellës i thanë “Telegraf” se “ka shumë punëtorë që e marrin pagën kot, ndërkohë që në ndërmarje punën e bën vetëm një pakicë e punëtoreve, të cilët paguhen njësoj si ata të rinjtë, kurse përsa i përket, karburantit, të gjitha makinat kanë një limit të caktuar, të cilin as këtë nuk e marrin, sepse paria e ndërmarjes e ruan për vete për ta përdorur në fushatë”. Të njëjtat burime thanë se “ pas raportit të KLSH, u hap lajmi se, drejtori aktual “ka dhënë dorëheqjen nga ” ELBER”, dhe është drejtor i ri i UK, kur të gjitha shkeljet bashkë me tendera kërkojnë largimin e të gjithë stafit. Realisht në Ujësjellësin e Elbasanit, nuk janë dhënë lejet e zakonshme, derisa u kaloi afati dhe u dogjën, kurse punonjësit e rinj sapo fillojnë punën e marrin pagën njëlloj me të vjetrit”. Muajt e fundit, Bashkia e Elbasanit, e cila njihet edhe si institucioni epror i Ujësjellësit, ka kërkuar rifreskimin e stafit drejtues, gjë e cila pritet të ndodhë pas 21 qershorit. KLSH, në rekomandimet e fundit, kërkon jo vetëm shkarkimin e stafit drejtues, por edhe zhdëmtimin financiar të kryer nga çdo ish-zyrtar apo zyrtar aktual, në rast të kundër do të ndiqet penalisht. Fakti është se, pavarësisht raporteve nga KLSH, në historinë 24 vjeçare të Ujësjellësit të Elbasanit, pavarësisht abuzimeve dhe shkeljeve financiare , askush nuk ka vajtur dhe nuk është ndjekur deri në fund penalisht, por gjërat janë mbyllur dhe ujdisur ashtu siç bëhen pazaret me dosjet e korrupsionit në organet tona të drejtësisë.
Sigal