KLSH sqaron rreth një shkrimi të pavërtetë: “Kemi kërkuar tatim progresiv, mbi të ardhurat e deputetëve të Kuvendit”

(Koment lidhur me shkrimin e botuar në një gazetë të përditshme të datës 14.05.2017, me titullin: “Zbulohet raporti i KLSH: Deputetëve iu bë një padrejtësi. A do t’u kthehen lekët?, si dhe shkrimet në disa portale”

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një njoftim zyrtar për media ka hedhur dritë mbi pavërtetësinë e një shkrimi të botuar në një të përditshme shqiptare të datës 14.05.2017 . Duke e cilësuar shkrimin si analizë personale, institucioni më i lartë auditues në Shqipëri vazhdon duke thënë, se artikulli bën një shpjegim të gabuar të asaj çfarë KLSH ka theksuar në analizën origjinale. Në të vërtetë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar tatimin më të lartë për pjesëmarrje në komisione të deputetëve, 23% dhe jo 15% siç veprohej deri tani. 

Komenti i plotë
E vërteta e rekomandimit të KLSH për tatimin e deputetëve, tatimi për pjesëmarrje në komisione duhet 23% dhe jo me 15 % si deri tani. Saktësojmë, se KLSH ka kërkuar tatimin progresiv mbi të ardhurat e deputetëve të Kuvendit. Sipas këtij artikulli, “Deputetët e Kuvendit janë taksuar padrejtësisht për vitet 2015 dhe 2016. Pagesat e deputetëve për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve parlamentare janë tatuar në masën 15 për qind, por kjo sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit është në kundërshtim me ligjin. Kontrolli i Lartë i Shtetit në kontrollin që ushtroi për veprimtarinë financiare të Kuvendit së Shqipërisë për periudhën 2015-2016 ka konstatuar se pagesat e deputetëve për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve janë tatuar 15 për qind në kundërshtim me ligjin për tatimin e të ardhurave. Kontrolli i Kuvendit përfundoi në fund të muajit prill dhe rekomandimet e lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit bëhen publike në raporti “Mbi zbatimin e rregullueshmërisë financiare në Kuvendin e Shqipërisë”. Në këto kushte Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandon Byrosë së Kuvendit të shfuqizojë vendimin për tatimin për pagesat e deputetëve në komisione”.

Shkrimi, pasi citon gjetjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, vijon me analizë personale, duke dhënë një shpjegim të gabuar të asaj çfarë KLSH ka theksuar në analizën e tij, duke mos theksuar faktin që KLSH kërkon tatimin më të lartë për pjesëmarrje në komisione të deputetëve, 23% dhe jo 15% siç veprohej deri tani. Shpjegojmë se Kontrolli i Lartë i Shtetit, në Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe Vendimin e Kryetarit me nr. 33 datë 27.04.2017, ka konstatuar se “…për pagesën e të ardhurave për pjesëmarrje në komisionet parlamentare të deputetëve është mbajtur tatim në burim, në masën 15% e shumës së përfituar, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, si edhe me kërkesat e Udhëzimit nr. 5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi te ardhurat i ndryshuar, në pikën 2.3.1. Administrata e Kuvendit ka zbatuar pikën 5, germa “c” të Vendimit të Kuvendit Nr. 114/2014 datë 24.12.2014, “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, ku parashikohet se: “Tatimi i shpërblimeve për pjesëmarrje në komisione do të konsiderohet si tatim në burim”. Ky përcaktim bie në kundërshtim me sa parashikohet në nenin 9 pika 1/a e ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998.

“Pagat dhe shpërblimet, në lidhje me marrëdhëniet e punës aktuale, do të tatohen sipas tarifave si vijon:
1. Nga 0-30,000 lekë, 0%.
2. Nga 30,001-130,000 lekë, 13% e shumës mbi 30,000 lekë. 
3. Mbi 130,000 lekë, 13,000 lekë+23% e shumës mbi 130,000 lekë.
Po kështu, në Udhëzimin nr. 5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi te ardhurat” i ndryshuar, në pikën 2.3.1 parashikohet se, “në grupin shpërblime të tjera përfshihen gjithashtu të ardhura që realizohen nga pjesëmarrja e individit në komisioni (…) nga ku në pikën (b) parashikohet se, në rastet kur shpërblimi i përfituar për pjesëmarrje në komisione, komitete, këshilla, borde drejtuese, këshilla mbikëqyrëse etj., paguhet në qendrën efektive të punës së individit, këto të ardhura do të tatohen duke u bashkuar me pagën e muajit përkatës. 
Pra, bazuar ne bazën ligjore sa më sipër del qartazi, se tatimi i deputetëve duhet të jetë në masën 23% si Për tatimin mbi të ardhurat dhe jo 15% si tatim në burim, sikurse është vepruar deri tani.
Për sa më sipër, bazuar në Vendimin e Kryetarit të KLSH nr. 33 datë 27.04.2017 është lënë rekomandim që Institucioni i Kuvendit të Shqipërisë, t’i kërkojë Byrosë së Kuvendit shfuqizimin e pikës 5, germa “c” e Vendimit nr. 114/2014 datë 24.12.2014, “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”. 
(Për më tepër, lexoni në web e KLSH, Vendimin e Kryetarit, Nr. 33 datë 27.04.2017).