KLSH rekomandon përgjegjshmërinë institucionale si parakusht për mirëqeverisjen

537
Nga Manjola Naço-
Drejtore e Përgjithshme, KLSH

Sa herë flasim për mirëqeverisjen duhet të kuptojmë se ajo është e lidhur me përgjegjshmërinë drejtuese nga e cila sigurohet ajo që kërkohet në realizimin e objektivave strategjik të institucionit “vlera e parasë së shpenzuar”. Nga ana tjetër strukturat që garantojnë se është arritur efektivitetit dhe eficenca e fondeve në realizimin e objektivave janë audituesit publik. Përgjegjshmëria në drejtim lidhet me mënyrën se si përdoret autoriteti në arritjen e objektivave përmes një sistemi të përshtatshëm të kontrollit të brendshëm që nënkupton një mjedis kontrolli të kujdesshëm, një vlerësim objektiv të risqeve në realizimin e objektivave, në realizimin e kontrolleve të përshtatshme të proceseve, monitorim dhe ajo që është me rëndësi për të gjithë stakeholders raportimi i rezultateve, pra informimi dhe komunikimi i realizimit të objektivave të vendosur në nivel programi apo sistemi. Përgjegjësia e drejtimit është e lidhur me dizenjimin dhe vënien në funksionim të sistemit të kontrollit të brendshëm ndërkohë që drejtimi ka autoritetin e vetëm për të bërë të mundur që sistemet e kontrollit funksionojnë dhe janë efektive. KLSH, në rolin e audituesit të jashtëm publik ka detyrimin që të vlerësojë sa mirë funksionon kontrolli i brendshëm në entitetet publike, duke kërkuar të sigurojë në se 

Aktivitetet e lidhur me objektivat janë realizuar në ekonomicitet, eficence dhe efektivitet
Raportimi financiar është i besueshëm
Aktivet janë menaxhuar me kujdes
Veprohet në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi

Së fundmi, KLSH është duke u fokusuar në dhënien e një sigurie të arsyeshme mbi pasqyrat financiare të përgatitura nga entet publike, ligjshmërinë dhe rregullshmërinë e transaksioneve të përfshira në to, duke mos lënë mënjanë edhe misione të lidhura me vlerësimin e performancës për të gjykuar lidhur me vlerën e parasë në arritjen e objektivave kryesorë institucional. Për KLSH, auditimi i pasqyrave financiare, është vërtetë një sfidë jo për teknikën e ndryshme të vlerësimit të riskut dhe metodologjinë e re në dhënien e opinionit të auditimit, por kryesisht për shkak të mjedisit jo plotësisht të rregulluar të raportimit financiar në sektorin publik në Shqipëri. Jemi një vend që rrugën drejt Evropës e pa fillimisht duke shkatërruar të gjithë praktikën e vlerësueshme të kontabilitetit dhe të raportimit të trashëguar nga një shkollë kontinentale me rregullim strikt dhe të detajuar dhe më pas duke bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të mos përgatitur pasqyra financiare të konsoliduar jo vetëm si shtet por edhe si institucione qendrore. Është e pakuptueshme që në vitin 2016, institucione të rëndësishme si Ministria e Mirëqenies Sociale apo Ministria e Mjedisit të mos kenë pasqyra financiare të konsoliduar për njësitë e varësisë dhe nga ana tjetër Ministria e Financave të mos kërkojë një detyrim të tillë. Informacioni kontabël është gjuha e komunikimit për të adresuar një vendimmarrje që do të ishte më afër asaj që quhet mirëqeverisje. Besueshmëria dhe saktësia e pasqyrave financiare reflekton nivelin e kontrolleve të brendshme. Sa më të qëndrueshme, efektive të jenë sistemet e kontrollit të brendshëm aq më i ulët është risku mbi të cilin jepet siguria e auditimit. Në këtë kontekst, nëse sistemet e kontrollit do të operonin në mënyrën e duhur dhe nëse audituesit e brendshëm do të siguronin apo jepnin garanci mbi këto sisteme atëherë edhe misioni i auditimit të KLSH do të fokusohej në aspekte të lidhura më shumë me performancën në arritjen e objektivave se sa të qëndronim në rregullshmërinë e transaksioneve financiare. Ajo që konstatohet është kultura e pakët menaxheriale lidhur me nevojën për sisteme efektive kontrolli, për një ndarje të drejtë të përgjegjësive në realizimin e detyra funksionale dhe një kontrolli të vijueshëm në mënyrë që asnjë person të mund ta shikojë veten si një ushtrues pushteti nga i cili mund vetëm të përfitosh për veten. KLSH ka punuar që të sensibilizojmë jo vetëm institucionet të cilat në të shumtën e rasteve nuk reagojnë dhe nuk e kuptojnë se si një sistem efektiv kontrolli ndikon në mënyrë direkt në realizimin e objektivave institucional, por edhe strukturat e auditit të brendshëm për të rritur rolin e tyre në forcimin e sisteme të brendshme përmes këshillimit dhe rregullimit të hapësirave që lënë vend për devijime nga objektivat primarë dhe rritin risqet operacionale. Kuptohet që problematika shfaqet më shumë në administrimin e pushtetit lokal por dhe kjo e lidhur me historinë institucionale, por nuk mbeten pas edhe institucione qendrore të nivelit të lartë. Mos harrojmë rastin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë që në fund të fundit tregoi se gjithë sistemi i kontrollit i dizenjuar mbi bazë të modeleve më të mira evropiane dështoj për shkak të mos implementimit të duhur dhe mungesës së vëmendjes nga drejtimi. Pa sisteme kontrolli efektiv nuk mund të arrihet përgjegjshmëria institucionale dhe aq më pak mirëqeverisja. Ajo që trumbetohet me fjalë të mëdha janë sfidat për qeverisje më të mirë, por KLSH rekomandon që përmirësimi fillon me përmirësim të sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe luftën ndaj të abuzuarit me pushtetin që të jep funksioni, aspekt që përveç integritetit personal dhe Profesional kërkon edhe përgjegjshmëri. Vetëm duke kuptuar këtë ekuacion të thjeshtë mund të adresojmë strategji të mira për mirëqeverisjen e Shqipërisë dhe rrugën e saj drejt Evropës.
Sigal