KLSH padit ish-administratorin e CEZ: Shkaktoi dëmin prej 32 milionë euro

525
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur penalisht në prokurori ish-administratorin e CEZ, Arben Seferi, si dhe dy ish-drejtues të tjerë të kësaj kompanie, për akuzat e shpërdorimit të detyrës me pasojë dëm ekonomik ndaj interesave të shtetit. Sipas materialit të referuar nga KLSH, Seferi dhe dy ish-drejtuesit e departamentit të shitjeve dhe ai i shërbimeve mbështetëse, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kane shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit të CEZ Shpërndarje dhe për rrjedhojë edhe buxhetit të shtetit, që arrin në vlerën 32 milionë euro dhe të ardhurat e munguara që arrijnë në vlerën 5 milionë eurove. 

 Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dëmi i lartpërmendur ekonomik ka ardhur si pasojë, blerjes e pajisjeve dhe materialeve elektrike emergjente për nevojat e shoqërisë, në vitin 2014,duke paguar 50-70 për qind më shumë se vlera e kontratës me prokurim të drejtpërdrejtë. Tjetër shkelje sipas KLSH është moszbatimi i kuadrit rregullator për blerjet e energjisë elektrike, duke e blerë atë me çmime më të larta se ato të tregut, si dhe uljen artificiale të humbjeve teknike, nëpërmjet mbifaturimit të konsumatorëve. Për të gjitha këto shkelje dhe dëmet ekonomike të shkaktuara interesave të shtetit, KLSH, ka identifikuar si persona përgjegjës, ish-administratorin e CEZ, Arben Seferi, si dhe dy drejtuesit e departamentit të shitjeve dhe atë të shërbimeve mbështetëse, për të cilët i kërkon prokurorisë të fillojë hetimet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. 
Sigal