KLSH, padi për prokurorët, gjyqtarët dhe kryetarët e bashkive

561
Sigal

KLSH,  institucioni i kontrollit ekonomik e financiar shpërfillet nga mediokriteti i disa drejtorëve dhe kryebashkiakëve hajdutë       

 Përfundimi i zgjedhjeve dhe  krijimi i qeverisë së re ka bërë që edhe KLSH të dalë nga “ngërçi” i këtyre muajve të fushatës elektorale. Themi ngërçi, për vetë faktin se, ky institucion ruajti ekuilibrat për kontrollet e ushtruara në institucionet qendrore  të administruara nga e Djathta dhe një pjesë e së Majtës së sotme si dhe pushtetin lokal, ku shumica drejtohen nga e Majta. Gjithsesi, raporti i fundit për institucionet, bankat dhe pushtetin lokal tregon se, babëzia dhe grabitjet janë marramendëse dhe se hajdutët nuk kanë as ngjyrë as parti dhe as bindje. Janë me dhjetëra  institucione që nga doganat, tatimet, minierat, AKBN, aeroportet dhe portet, që janë zhytur në llumin e babëzisë dhe i kanë shkaktuar shtetit miliona euro dëme. Miliona euro vjedhje dhe abuzime janë bërë në energjetikë dhe në kontratat e koncesioneve.  Është e pafalshme që akciza e karburanteve kalon nga dogana në tatime dhe gjobat prej miliona eurosh mbeten të fshehura edhe me bekimin dhe mbështetjen e gjykatave  dhe kryesisht drejtuesve politik të këtyre gjykatave.

Objekti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka në themel veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë, shtetëror; përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor; veprimtarinë ekonomike të personave juridike, në të cilët shteti ka më shumë se, gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huatë, kreditë dhe detyrimet e tjera garantohen nga shteti. Një gjë e tillë është  sanksionuar me ligj dhe detyrim për organin më të lartë të kontrollit në Republikën e Shqipërisë (neni 163). Janë me dhjetëra dhe qindra raste që këto kontrolle janë shoqëruar edhe me masa disiplinore sipas shkallës dhe përgjegjësisë. Ato kanë filluar nga vërejtjet, gjobat, shkarkimet nga puna deri tek paditë në organet e Prokurorisë. Sipas ligjit, “KLSH ka të drejtë të kërkojë nga subjektet e kontrolluara dhe autoritetet e larta shtetërore, marrjen e masave disiplinore dhe të zhdëmtimit, në përputhje me ligjet, kur konstaton dëme direkte ose indirekte dhe të bëjë padi në gjyq kur e çmon të nevojshme. Autoritetet shtetërore detyrohet të përgjigjen brenda 20-ditëve për zbatimin ose jo të këtyre rekomandimeve”. Ajo që bie në sy dhe që është bërë shqetësim për organin më të lartë të kontrollit të shtetit është fakti që shumë ministra dhe drejtorë kanë përçmuar dhe nuk kanë zbatuar rekomandimet për zhdëmtimin e dëmit apo shkarkimin e punonjësve dhe drejtuesve të korruptuar. Kjo përbënë një goditje për këtë institucion, por nga ana tjetër ua bënë më të lehtë ministrave të rinj që me propozime të gatshme mbi tavolinë të largojnë të korruptuarit e miliona eurove. Të dhënat konfidenciale bëjnë me dije se, janë falsifikuar aktet e kontrollit  dhe janë fshirë me dhjetëra emra nga listat. Por shqetësimi më i madh mbetet mbyllja e çështjeve nga prokurorë dhe  gjyqtarë të veçantë, të cilët të joshur nga hajdutët e dërguar pranë drejtësisë  i mbyllin çështjet. Është e pafalshme që 4 apo 5 ekspertë zbulojnë vjedhjet, abuzimet dhe shpërdorimet e parave dhe individëve të korruptuar në drejtësi mbyllin çështjet. Kjo gjë do jetë me problem dhe një goditje e madhe edhe për qeverinë e Edi Ramës. Ndaj në këto kushte KLSH po përgatitë listën e të gjitha çështjeve të mbyllura në gjykata dhe prokurori për t’ja dërguar për rivlerësim organit më të lartë të drejtësisë shqiptare (KLD). Problemi i shkeljeve tek pronat është një tjetër çështje, të cilën së shpejti do e pasqyrojmë në një dosje tejet voluminoze dhe me fakte dhe faksimile. Përveç denoncimit në KLD, organi i kontrollit të shtetit po përgatitë kontrollet në bashkitë  më të mëdha të vendit si: Durrës,Vlorë, Lezhë, Berat, Shkodër. Kjo në lidhje me keqadministrimin e ardhurave si dhe me korrigjimet e procesverbaleve të KRT dhe regjistrave të lejeve të ndërtimit. Është organi i prokurorisë në rrethe që ka filluar paralelisht kontrollin dhe sapo të përfundojë prokuroria do fillojmë ne kontrollin u shpreh për “Telegraf”, një nga nëpunësit e administratës së KLSH.

Transparenca me publikun:

KLSH duhet të botojë në buletine periodike dhe vjetore, raportet e kontrollit, konkluzionet e një rëndësie të veçantë, rregullat dhe procedurat e kontrollit dhe llogaritë vjetore të buxhetit të vet. Kjo gjë është përcaktuar në nenin 8. Por ka kohë që një shkresë e Komisionerit  për mbrojtjen e të dhënave e ka detyruar që të mos publikojë emra, por vetëm iniciale. Kjo përbën një skandal sepse iniciale mund të përmendësh vetëm për të mitur, të sëmurë mendorë apo ato që janë përcaktuar me vendime të posaçme për qëllime hetimi. Në rastin konkret hajdutët e ministrive apo institucioneve të ngjashme si dhe bashkive janë të përgjegjshëm dhe duhet të identifikohen në zyrë, duke afishuar emrat tek dera, duke pasur kartën e varur  dhe për rrjedhojë edhe emri nuk ka pse fshihet. Ndaj kërkesa e zonjës Pogaçe është e padrejtë dhe duhet të respektojë detyrimin për transparencë ndaj taksapaguesve dhe qytetarëve shqiptarë.