KLSH kërkon t’i jepet fund pandëshkueshmërisë

480
Çështja e korrupsionit në vend dhe lufta kundër tij, është një nga problemet më të mëdha që ka pushtuar administratën publike shqiptare dhe që ka bërë që të mos shihet fundi i tranzicionit postkomunist në Shqipëri. Një nga fushat ku korrupsioni po gërryen ekzistencën e shtetit, është fusha e prokurimeve. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të detyrimeve të tij kushtetuese, po jep një kontribut të madh në luftën ndaj këtij korrupsioni, duke zbuluar çdo vit e më shumë dëme të konsiderueshme ekonomike në këtë fushë dhe duke kërkuar çdëmtimin e tyre. Fakti që në vitin 2015, nga 51 kallëzime penale për 159 zyrtarë, 13 kallëzime për 30 zyrtarë janë bërë vetëm për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, tregon se sa rëndësi i ka dhënë institucioni i KLSH-së luftës pa kompromis kundër korrupsionit në prokurimet publike. Megjithëse cilësia e kuadrit ligjor ka shënuar një nivel të mirë, sistemi i prokurimit publik nuk i ka shërbyer qëllimit për përdorimin me efikasitet të fondeve publike. Rastet e korrupsionit në këtë fushë janë shumë të ndërlikuara, prandaj janë të nevojshme njohuri specifike teknike në mënyrë që të sigurohet një procedurë auditimi efektive dhe e drejtë.

 Si një proces i ndërlikuar konkurrimi, akti përfundimtar i të cilit është nënshkrimi i kontratës për qëllime publike, prokurimi publik mbart në vetvete rrezikun për korrupsion në disa drejtime: – Manipulimi i tenderëve me anë të rritjes fiktive të fondit limit, është një nga mënyrat që sot po përdoret më shpesh. Autoritetet kontraktore, të cilat kryejnë procedura shërbimesh apo blerje mallrash (për të cilat nuk ekzistojnë manuale), përdorin vetëm metodën absurde të testimit të tregut me tre oferta, metodë kjo që edhe pse vazhdon të jetë “ligjore”, shtrembëron në mënyrë drastike përllogaritjen e fondit limit real. – Përdorimi pa shkaqe ligjore i procedurës me negocim pa shpallje, pa publikim paraprak, i cili duhet të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme. Por edhe pse është e përcaktuar në ligj se cilat janë rastet kur përdoret kjo procedurë, subjektivizmi i zyrtarëve ka bërë që numri i tyre të jetë ende i lartë dhe të zërë një volum të konsiderueshëm në përqindjen e fondeve të prokuruara. – Subjektivizmi dhe përdorimi i standardeve të dyfishta nga zyrtarët publikë, ndonjëherë edhe të nivelit të lartë, në fazën e vlerësimit të ofertave. – caktimi i punonjësve që do të jenë pjesë e njësive të prokurimit apo komisioneve të vlerësimit të ofertave (punonjës të cilëve u mungojnë njohuritë apo eksperienca e duhur administrative dhe profesionale, punonjës të cilët kanë lidhje apo njohje të ngushta miqësore me drejtuesit e institucionit, militant partiak, punonjës të konstatuar me shkelje dhe që ndaj tyre ende nuk është marrë një masë disiplinore). Por faktori kryesor që ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e korrupsionit në prokurimin publik, që mbizotëron në vendin tonë, është pandëshkueshmëria e funksionarëve të përfshirë në praktika të tilla, gjë e cila stimulohet nga numri i ulët i ndjekjeve penale dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë për dënime për korrupsionin në prokurime publike.

 Niveli i ndëshkueshmërisë së zyrtarëve që kanë shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet është i ulët, edhe pse Ligji “Për prokurimin publik” parashikon një numër të madh kundërvajtjesh administrative, të cilat dënohen me gjobë ose me dhënien e masave disiplinore. Agjencia e Prokurimit Publik është autoriteti që merr vendimet për ndëshkimin me gjobë, apo që u kërkon autoriteteve kontraktore të zbatojnë masat disiplinore ndaj shkelësve. Procedimi administrativ fillon me nismën e Komisionit të Prokurimit Publik, pas shqyrtimit të ankesave të operatorëve, me rekomandimet e bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë auditimeve të kryera si dhe me nismën e Agjencisë së Prokurimit Publik pas një hetimi administrativ nga kjo e fundit. Komisioni i Prokurimit Publik është një prej organeve kryesorë, që kanë mundësinë në praktikë dhe kapacitetin institucional të konstatojë, si dhe detyrimin ligjor të kallëzojë kundërvajtjet administrative dhe veprat penale në fushën e prokurimeve publike, koncesioneve dhe ankandeve publike. Është pikërisht trinomi KLSH – KPP – APP, që ka në dorë instrumentet e duhura për të filluar luftën kundër kulturës së pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të përfshirë në prokurimet publike. 


Dhe, për hir të fakteve, ndërsa KLSH-ja e ka kryer detyrën e saj më së miri, APP dhe KPP nuk kanë qenë gjithmonë me hapin e saj. Sot është bërë i domosdoshëm gjithashtu Ligji “Për përgjegjësinë materiale të zyrtarëve të lartë publikë”, të cilin KLSH-ja e ka rekomanduar që në vitin 2013 (dhe rirekomanduar edhe publikisht në aktivitetet e saj periodike), në të cilin të trajtohet përgjegjësia financiare e punonjësve të njësive publike (zyrtarët e lartë dhe punonjësit e të gjithë niveleve), për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca, gjatë ose në lidhje me procesin e ekzekutimit të detyrave zyrtare. Por për të përfunduar me sukses kjo luftë duhet angazhimi dhe objektiviteti i administratës së lartë shtetërore dhe i sistemit gjyqësor. Sot, fatkeqësisht, kemi arritur në atë pikë, ku mund të themi me gojën plot, se institucionet e zbatimit të ligjit, qeveria, prokuroria dhe gjykatat e kanë minuar luftën ndaj korrupsionit. Për rekomandimet që ka bërë KLSH për shkeljet e rënda në prokurimet publike, nga qeveria nuk ka patur reagimet e duhura për largimin e zyrtarëve të korruptuar nga detyrat publike, ndërsa kallëzimet penale kanë mbetur në sirtaret e sistemit të drejtësisë. Vlen për tu theksuar se nga ana e KLSH-së i është dërguar organeve të larta të ekzekutivit lista me 18 zyrtarë të lartë dhe të mesëm, për të cilët është bërë kallëzim penal në prokurori dhe që nuk është marrë asnjë masë për largimin e tyre nga detyra. Nëse nuk do të ketë një bashkëpunim të integruar ndërmjet tri degëve të pushtetit, legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, atëherë pandëshkueshmëria ndaj zyrtarëve të korruptuar do të vazhdojë dhe shqiptarët do të humbasin përjetësisht besimin në shtetin e tyre, duke prerë biletën “vetëm vajtje” drejt Perëndimit.
Alush Zaçe, Drejtor Departamenti 
Sigal