KLSh kallëzon për shkelje të barazisë në tendera 3 nëpunës të ish-komunës Gryk-Çajë

544
Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në prokurori 3 nëpunës të ish-komunës Gryk-Çajë në qarkun e Kukësit me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Më konkretisht nga auditimi rezultoi që:
1.Në një rast, në prokurimin me objekt “Rehabilitimi i rrugës Çaj-Fshat-Buzmadhe 11.6 km, në Komunën Gryk-Çajë”, me fond limit prej 7,135,166 lekë pa TVSH, u konstatuan një sërë veprimesh të kryera, në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, pasi operatori ekonomik i shpallur fitues, kishte mangësi në dokumentacionin kualifikues, për shlyer detyrimet fiskale, kontrata e bashkëpunimit nuk ishte sipas kërkesave dhe ndarjes në përqindje të punimeve të zbatimit, si dhe mungonte dokumentimi i punimeve të ngjashme, që të vërtetojë realizimin e punëve në përqindjet e ndarjes, kritere këto skualifikuese.
2. Në një rast, në prokurimin me objekt “Blerje karburanti për nevojat e Komunës Gryk-Çajë”, u konstatua se nuk ishte llogaritur saktë fondi limit për nevojat për karburant, mbi bazën e mjeteve në dispozicion, volumin e punës që do të kryejnë ato dhe normativa e harxhimit të karburantit për secilin mjet, mungonin specialistët e fushës për kryerjen e prokurimit, Përcaktimi i çmimit nuk ishte bërë sipas kërkesave të pikës 3 të Kreut III, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, si dhe operatorët ekonomik pjesëmarrës në tender kishin mungesa në plotësimin e kërkesave kualifikuese të dokumentave standarde të tenderit në lidhje me numrin e punonjësve të siguruar, pasqyrat financiare (bilanci), etj.
3. Nuk është administruar dhe vepruar sipas kërkesave ligjore për dhënien me qera me procedurën e ankandit, të sipërfaqes pyjore të përfituar, pasi e gjithë sipërfaqja u është lënë në përdorim banorëve pa kundërshpërblim.Nga moskryerja e procedurave ligjore për shfrytëzimin e resurseve pyjore, kullosore dhe bimë mjekësore(boronicë)nuk janë arkëtuar asnjë lekë të ardhura, por kanë lejuar e përdorimin e resurseve komunale në mënyrë të kundraligjshme në një sipërfaqe prej 370 ha, nga e cila 259 ha janë të shfrytëzueshme me kapacitet prodhimi 130 kv boronicë e të ardhura të munguara në vlerën 29.9 milion lekë. Nuk janë administruar kullotat me sipërfaqe 103 ha, duke krijuar të ardhura të munguar në vlerën 3.1 milion lekë.
Për rrjedhojë, KLSH i ka rekomanduar Kryetarit të Bashkisë Kukës fillimin e procedurave administrative për dhënien e masës disiplinore, nga “Vërejtje” deri “Ndërprerje të marrëdhënie të punës”, sipas shkallës së përgjegjësisë, për 6 nëpunës të kësaj komune.
Sigal