KLSH kallëzon në Prokurori kryetaren e Bashkisë Patos dhe 3 punonjës të tjerë

640
– Dëmi ekonomik mbi 8.3 milionë lekë ose rreth 60 mijë euro dhe Të Ardhura të Munguara në Buxhetin e Shtetit mbi 25.8 milionë lekë ose mbi 180 mijë euro
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 31/1, datë 16.01.2015 dhe programit të riauditimit nr. 31/5, datë 01.06.2015, ka audituar Bashkinë Patos, për periudhën nga Janari 2013 deri më 31 Dhjetor 2014. Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe masat për përmirësimin e gjendjes janë miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH nr. 108, datë 03.09.2015 dhe janë përcjellë në subjekt me shkresën nr. 31/11, datë 07.09.2015.
Nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore në fushën e prokurimeve, ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, 
Ndër shkeljet kryesore përmendim:
1. Mospërdorimi i aseteve dhe mosarkëtimi i taksave vendore, kryesisht nga taksa e pastrimit, gjelbërimit, ndriçimit dhe taksa e tokës bujqësore, ka sjellë një dëm ekonomik në vlerën 8,310,700 lekë dhe të ardhura të munguara në Buxhetin e Shtetit në vlerën 25,819,000 lekë. 
2. Në 9 raste të prokurimit publik, me vlerë kontrate 78,585,845 lekë (pa TVSH), nuk janë respektuar rregullat në procedurat e prokurimit, duke sjellë mospërdorim me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të fondeve publike të vëna në dispozicion, me një diferencë negative në fondet buxhetore në vlerën 15,626,332 lekë, veprime në kundërshtim me nenin 1, 2 dhe 24, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar, dhe kreu V, pika 1/a dhe pika 4/h, të VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar.
3. Në 7 raste të prokurimit publik, në vlerën 5,879,000 lekë, Bashkia ka realizuar procedura të prokurimit publik në formën “Procedurë me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, ku në përzgjedhjen e procedurave ka paraqitur argumentin se janë në kushtet e emergjencës, argument i cili nuk qëndron dhe është në kundërshtim me nenin 33, të Ligjit “Për Prokurimin Publik” dhe pikën 5, Kreu IV, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007. 
4. Në 7 raste të tjera të prokurimit publik, në vlerën 64,821,924 lekë, përcaktimi i fituesit është kryer pa u zbatuar procedurat ligjore, duke cënuar parimet e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike në bazë të mosdiskriminimit dhe të transparencës, me pasojë favorizimin e një operatori ekonomik të caktuar, të zgjedhur në kundërshtim me nenet 1, 2, 4 dhe 29, të Ligjit “Për Prokurimin Publik”.
5. Në po 7 rastet e mësipërme, në vlerën 64,821,924 lekë, procedurat e prokurimit janë kryer dhe janë nënshkruar kontratat për realizimin dhe zbatimin e prokurimit publik, në mungesë të fondeve, në kundërshtim me pikën 4/c Kreut V, të VKM nr. 1, datë 10. 01.2007 dhe nenin 50, të ligjit 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”.
Kriteret e përdorura për vlerësimin e ofertave nuk janë specifikuar në mënyrë të saktë nga ana e autoritetit kontraktor, për rrjedhojë kanë lejuar Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, t’i interpretojë ato në mënyra të ndryshme në procedura të ndryshme, duke sjellë për pasojë impakt financiar, në dëm të autoritetit kontraktor në vlerën prej 15,6 milion lekë.
6. Në 2 raste, në procedurën e prokurimit “Rikonstruksioni i Shkollës së mesme “Zhani Ciko”, në kundërshtim me nenin 20 të Ligjit “Për Prokurimin Publik”, Autoriteti Kontraktor ka vendosur kriter vlerësues jashtë objektit të këtij prokurimi dhe “Ndërtim Lulishte Parafabrikatet” në kundërshtim me nenin 1 dhe 2 të Ligjit “Mbi Prokurimin Publik”, ka vendosur kriter diskriminues, pasojë e të cilit është skualifikimi i padrejtë i operatorëve ekonomikë me vlerë më të ulët të ofertës, me një efekt financiar në dëm të Buxhetit të Shtetit në vlerën 3, 903,000 lekë.
7. Nuk janë zbatuar rekomandimet e KLSH nga auditimi i mëparshëm, për zhdëmtim dëmi në vlerën 22,018,000 lekë, rekomandime këto të pranuara nga Bashkia Patos gjatë auditimit. 
Për shkeljet e mësipërme, KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Patos, për R.B, Kryetare e Bashkisë, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, për V.ZH, Kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, L.S, Jurist i Njësisë së Prokurimit dhe D.K, Jurist i Njësisë së Prokurimit, të cilët, në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Për të gjitha vlerat e përcaktuara si dëm ekonomik, KLSH ka kërkuar fillimin e procedurave administrative e ligjore, për zhdëmtimin e tyre nga personat dhe subjektet që kanë përfituar padrejtësisht.
Sigal