KLSH kallëzon në prokurori ish-drejtorin e njësisë së zbatimit në KESH

50
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 106/1 prot., datë 13.02.2015 ka ushtruar auditim në KESH sha, për projektin “Fuqizimi i programit të sigurisë së digave” në përfundim të të cilit, KLSH me shkresën nr. 106/9, datë 08.06.2015, ka përcjellë në KESH sha, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të Vendimit nr. 71, datë 08.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së.
Projekti “Fuqizimi i programit të sigurisë së digave”, synonte përmirësimin e efiçencës operative të digave për HEC-et e Fierzës, Komanit, Vau-Dejës, Ulzës dhe Shkopetit, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë në furnizimin me energji në tregun rajonal. Ky projekt i iniciuar që në vitin 2006 është bërë efektiv në shkurt të vitit 2008 si një bashkëfinancim i Qeverisë Shqiptare, Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) dhe Këshillit Federal Zviceran (SECO).
Nga auditimi i KLSH-së, u konstatuan një sërë problematikash dhe shkeljesh të kryera nga ana e Njësisë së Zbatimit të Projektit në KESH sha, si më poshtë:
Në Mars 2013 (gjatë periudhës së implementimit të projektit), HEC-et e Ulzë-s dhe Shkopet-it të ndërtuara në lumin Mat, u privatizuan, duke i kaluar një kompanie private 100% të aksioneve të cilat më parë zotëroheshin nga METE.
Nga auditimi i rregullshmërisë dhe ligjshmërisë së pagesave të bëra nga fondet e donatorëve, rezultoi se nga ana e NJZP-së, deri më datë 31.12.2014, ishin kryer një sërë pagesash për blerje pajisjesh dhe instalime në favor të HEC-it të Ulzë-s dhe Shkopet-it, të cilat në vlerë totale shkonin në 85,396,083 lekë.
Më konkretisht, për HEC-in e Ulzës ishin paguar gjithsej 67,990,573 lekë (31,996,511 lekë për blerjen e pajisjeve dhe 35,994,062 lekë për instalime), ndërsa për HEC-in e Shkopet-it ishin paguar gjithsej 17,405,510 lekë (8,609,873 lekë për blerjen e pajisjeve dhe 8,795,637 lekë për instalime).
Në kushtet kur HEC-et e Ulzë-s dhe Shkopet-it u privatizuan, dhe shteti Shqiptar nuk zotëronte më aksione në lidhje me to, NJZP nuk duhet të kryente asnjë pagesë për blerje pajisjesh apo instalime, për të cilat tashmë përfitues nuk ishte më Qeveria Shqiptare por subjekti privat i cili kishte privatizuar këto HEC-e.
Madje në kryerjen e këtyre pagesave dhe këtij investimi, NJZP nuk ka iniciuar asnjë procedurë negocimi paraprak apo post faktit me subjektin privat, për ti kërkuar atij pagimin e gjithë këtij investimi, të cilin ai po e përfitonte falas dhe pa asnjë detyrim karshi shtetit.
Kryerja e këtyre pagesave nga ana e NJZP për dy HEC-e të cilat nuk ishin më në pronësi të shtetit Shqiptar, është kryer në kundërshtim të plotë dhe flagrant me përcaktimet e bëra në Marrëveshjen e Financimit (të miratuar me Ligjin nr. 9801, datë 13.09.2007), me PAD-in dhe Ligjin nr. 8379, datë 29.07.1998, “Për buxhetin e shtetit”, duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 85,396,083 lekë.
Sa më sipër, në lidhje me këtë shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit, depozitoi pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal nr. 106/11, datë 30.06.2015 për M.Ç. me detyrë ish-Drejtor i Njësisë së Zbatimit të Projektit në KESH sha, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, e cila në dijeni të plotë të këtyre fakteve ka favorizuar subjektin privat, pronar të HEC-eve të Ulzë-s dhe Shkopet-it, duke investuar në pronën e tij, vlerën prej 85,396,083 lekë nga fondet e projektit, dhe duke mos i kërkuar atij asnjë kompensim karshi këtij detyrimi.
Gjithashtu, nga auditimi rezultuan edhe një sërë shkeljesh të tjera në drejtim të keqmenaxhimit nga ana e NJZP të këtij projekti dhe fondeve të caktuara për realizimin e tij, si më poshtë:
Raportimet e NJZP në Ministrinë e Financave në lidhje me financimin e projektit nuk ishin bërë në përputhje me Udhëzimin përkatës të Ministrisë së Financave; nuk ishte ngritur Komiteti Drejtues për programin e sigurisë së digave, nuk ishte hartuar Raporti për Zbatimin e Projektit, plani përkatës që kërkohet në zbatim të tij, si dhe plani institucional i sigurisë së digave.
Procesi i rivlerësimit të aseteve për projektin, ishte kryer pa bërë më parë transferimin e vlerave të inventarit në shumën 1,862,870 lekë (nga inventari i projektit në inventar të aparatit të KESH sha); mungonin urdhrat e titullarit për ngritjen e komisioneve për asgjësimin e pajisjeve të dala jashtë përdorimit; si dhe mungonin procesverbalet për asgjësimin e pajisjeve të nxjerra jashtë përdorimit me komision, një pjesë e të cilave gjendeshin ende në ambientet e NJZP.
Nuk ishin kryer pagesat për detyrimet për shumat e kredisë së padisbursuara (për periudhën Qershor 2013 – 6 mujori i dytë 2014), për normën e interesit dhe tarifës së angazhimit, në shumën prej 170,629 euro, të cilat japin efekte negative financiare duke rënduar koston e projektit.
Në përbërje të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për të gjitha procedurat e zhvilluara, nuk kishte asnjë anëtar nga departamentet teknike të KESH sha, dhe në disa raste fondet e vlerësuar për prokurime ishin rreth dy herë më të mëdha se vlerat e ofruara dhe se shumat e kontratave të nënshkruara.
Nga ana e NJZP ishin kryer një sërë pagesash ndaj firmave kontraktore, për punime të pakryera. Kështu, nga auditimi mbi zbatimin e kontratës së datës 30.04.2013 me vlerë 2,134,205 CHF (franga Franceze) pa TVSH, për vendosjen e masave mbrojtëse në Hidrocentralin e Fierzës, rezultoi se ishin kryer pagesa të tepërta përsa i përket sasisë së rrjetës dhe numrit të shtyllave të përdorur, në vlerën totale prej 10,788 CHF (franga Franceze).
Njëkohësisht, nga auditimi rezultoi që nuk ishin llogaritur siç duhet dhe nuk ishin depozituar pranë Drejtorisë së Tatimeve, detyrimet tatimore të ekspertëve të huaj (tatimi në burim) të kontraktuar për shërbimet e asistencës teknike, në shumën totale prej 20,197 euro.