KLSH kallëzon në Prokurori, drejtoreshën e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme

558
Sigal

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori drejtoreshën dhe 11 zyrtarë të Zyrës së Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme.

KLSH bëri të ditur se, zyrtarët e kallëzuar të MPB akuzohen për shkelje të barazisë në tenderë. Ata i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 607 mijë eurosh.

Kallëzimi është kryer pas një auditimi për periudhën shtator 2013-dhjetor 2014.

Njoftimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit 

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1074/1, datë 17.11.2015 dhe nr. 1074/4 datë 26.02.2015, ka përfunduar auditimin në Ministrinë e Punëve të Brendshme me objekt “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko-financiare” për periudhën shtator 2013 deri në dhjetor 2014. Rezultatet e këtij misioni auditimi janë miratuar me Vendimin nr. 72 të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe i janë përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme me shkresën nr. 1074/11, datë 8.6.2015 së bashku me Raportin Përfundimtar të Auditimit.
* * *
Në raport janë evidentuar një sërë parregullsish dhe shkeljesh në procedurat e prokurimeve publike të realizuara të cilat kanë sjellë një dëm për buxhetin e shtetit në vlerën 85,038,494 lekë (607 500 euro). Nga auditimi u konstatua se nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në procesin e vlerësimit dhe kualifikimit të dokumentacionit të operatorëve ekonomikë (OE) është përdorur standard i dyfishtë në vlerësimin e pjesëmarrësve në tender. Për të njëjtat parregullsi në dokumentacion, KVO ka kualifikuar dhe shpallur fitues OE me ofertë më të lartë ekonomike dhe ka s’kualifikuar OE me ofertë më të ulët, ndërkohë që bazuar në kërkesat ligjore duhet të anulonte dhe të përsëriste procedurën e tenderit. Gjithashtu në disa prej procedurave të tenderimit të audituara, Njësia e Prokurimit, në formulimin e kritereve për cilësinë dhe origjinën e mallrave, ka lënë vend për interpretime të gabuara nga KVO, ku OE kanë paraqitur deklarata personale duke u shprehur “… mallrat e ofruar nga ne janë të cilësisë së parë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e DT. Origjina e mallrave është nga Italia, Turqia dhe Kina”. Pavarësisht faktit që deklarimet personale nuk ishin Certifikata Origjine, KVO i ka pranuar dhe i ka konsideruar si të rregullta këto deklarime personale të OE. Njësia e prokurimit ka qenë e pranishme në vlerësimet që ka bërë KVO, por nuk ka ndërhyrë për korrigjimin e kësaj pasaktësie, e cila ka ndikuar në kualifikimin apo s’kualifikimin e OE. Nga auditimi u konstatua që në procedura të caktuara prokurimi ishin vendosur kritere diskriminuese, në kundërshtim me pikën 3 të Kap. III të VKM nr. 1, datë 10.01.2014 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar, duke paracaktuar kështu dhe OE fituese në tender. Këto parregullsi u konstatuan:
Në tenderin me objekt “Blerje pjesë ndërrimi për automjete për shërbimet profilaktike” loti i II, ku nga s’kualifikimi padrejtësisht i një OE, buxheti i shtetit ka patur një dëm në vlerën 7,526,666 lekë. 
Në tenderin me objekt “Blerje tonerë” me fond limit 104,674 mijë lekë, nga s’kualifikimi i një OE, ka lënë fitues OE oferta e të cilit ishte 16,102,785 lekë më e lartë, pavarësisht se të dy operatorët kishin mungesa dokumentare. Në këtë mënyrë buxheti i shtetit ka patur një dëm në vlerën 16,102,785 lekë. 
Në tenderin me objekt “Blerje uniformash, veshmbathje dhe elementë të tjerë, përbërës të tyre” loti I, me fond limit 50,714 mijë lekë, u konstatua se KVO ka s’kualifikuar OE me ofertë 15,241,292 lekë më të ulët se sa fituesi i kësaj gare, vlerë që përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. 
E njëjta problematikë u konstatua edhe në tenderin “Blerje automjete speciale për Ministrinë e Mbrojtjes” me fond limit 25,833 mijë lekë. Në tenderin me objekt “Blerje pajisje elektronike dhe telekomunikacioni-loti VI”(blerje kompjuter, desktop, workstation, laptop) me fond limit 140,240,040 lekë, nga s’kualifikuar OE me ofertë 3,174,077 lekë më të ulët se sa OE që është shpallur fitues, buxheti i shtetit ka patur një dëm në po të njëjtën vlerë. 
Në tenderin me objekt “Blerje Certifikatash për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile”, me fond limit 14,999,999 lekë, konstatohet se është s’kualifikuar OE, me ofertë ekonomike 1,605,706 lekë më të ulët se sa OE i shpallur fitues, ndërkohë që të dy operatorët nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit. Në procedurat e audituara, kriteri i vlerësimit të miratuar nga Njësia e Prokurimit, është çmimi më i ulët dhe në kushtet kur operatorët ekonomikë të paraqitur në konkurim nuk i plotësojnë 100% të kërkesave kualifikuese, atëherë KVO-ja duhej të anulonte procedurën ose të kishte shpallur fitues konkurentin që është paraqitur me çmim më të ulët.
Ndërsa në tenderin me objekt “Blerje Fuoristrada & Mikrobusë” për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (DPPSH), loti i parë, me fond limit 169,596 mijë lekë, u konstatua se njësia e prokurimit me kriteret e vendosura në KVK, ka lënë jashtë gare një OE me ofertë ekonomike 40,795,628 lekë më të ulët duke paracaktuar fituesin e tenderit pavarësisht vlerës së ofertës së paraqitur. Në këtë tender konstatuam mungesë të plotë të konkurencës.
* * *
Shkeljeve dhe problematikave në procedurat e prokurimeve i shtohet edhe konstatimi se gjatë realizimit të buxhetit të vitit 2014, është cënuar rëndë parimi kryesor i realizimit të buxhetit, parimi i annualitetit, pasi janë përdorur Letër Kredi për të realizuar investime dhe për shpenzime operative nëpërmjet likuidimit të kontraktorëve të ndryshëm për njësi të varësisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përdorimi i Letër Kredisë në këtë institucion, është bërë në Programin “Policia e Shtetit” për “Blerje automjete për QFMT”, në vlerë 372,340,000 lekë dhe në Gardën e Republikës në vlerë 6,995,000 lekë, por jo vetëm. Gjatë vitit 2014 është realizuar me këtë formë likuidimi i 30% të fondeve për investime në programin e Policisë së Shtetit, ndërkohë në të gjitha përdorimet e Letër Kredisë nuk kishte një marrëveshje të qartë midis palëve, për kushtet dhe vlerat e komisioneve që detyrohen të paguajnë palët për këto “ngurtësime të fondeve buxhetore” në bankat e nivelit të dytë.
Ndërkohë nga auditimi i PBA dhe projekt buxhetit të vitit 2014 rezultoi se nga Ekipet e Menaxhimit të Programeve në Ministrinë e Brendshme, për disa produkte, është bërë një përcaktim formal i emërtimit dhe llogaritjes së tyre. Këto produkte janë programuar me emërtime abstrakte dhe jo në mënyrë të qartë e të detajuar, çka vështirëson ndarjen e shpenzimeve në programim, por sidomos ndarjen dhe përcaktimin nëpër produkte të shpenzimeve faktike për çdo produkt dhe llogaritjen e kostos së tyre. Ky fenomen është më i prekshëm tek programi “Policia e Shtetit”, ku produkte si “Forca Speciale dhe e Ndërhyrjes së Shpejtë në Gatishmëri…” kanë të përfshirë në vlerën e tyre edhe blerjen e automjeteve me LC, të cilat nuk kanë qenë të programuara në fillim të vitit. Gjithashtu, në produktet e programeve të tjera si “Shërbime të patrullave të përgjithshme”, kosto për njësi si në plan edhe në fakt është shumë e vështirë të përcaktohet saktë; produkti “Raporte financiare për menaxhimin e lartë” dhe “Planifikim, menaxhim administrim”, në të cilët vlera e produktit në fakt është rritur me 12 herë, etj. Nga analiza krahasimore të treguesve të buxhetit 2014, konstatohet se shpenzimet për investime ndryshojnë nga faza e programimit deri në realizimin e tij, me rreth 2.8 herë, çka tregon se kërkesat dhe programimi i PBA nga grupet e menaxhimit të programeve, nuk i nënshtrohet një analizë të hollësishme e të argumentuar, për domosdoshmërinë e investimeve që në fazat e para të programimit deri në fazën e aprovimit, apo ndryshimet e këtij plani gjatë vitit.
* * *
Nga auditimi rezultoi që Ministria e Punëve të Brendshme paguan si pasojë e shkurtimeve për shkak të ndryshimeve strukturore, 38 nëpunës civilë në listë pritje, për një periudhë 1 vjeçare, duke shkaktuar kështu një efekt financiar në buxhetin e shtetit që shkon rreth 38,1 milion lekë. Ndërkohë nga auditimi i procedurave të zbatimit të vendimeve gjyqësore konstatuam se shumica e pagesave nuk është kryer vullnetarisht, por me ndërmjetësinë e Zyrave Përmbarimore, për të cilat janë paguar edhe vlera të konsiderueshme tarifash përmbarimore, çka përbën një shpenzim joefektiv të fondeve të buxhetit të shtetit. Nga auditimi i praktikave dokumentare rezultoi se për shumë vendime gjyqësore (të cilat nuk i referohen shpërblimit të dëmit), kur janë ekzekutuar nuk është kryer ndalesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Nga auditimi rezultoi se skemës së sigurimeve i mungon një vlerë prej 5,132,135 lekë, për vendimet e ekzekutuara.
Në funksion të auditimit të nivelit të detyrimeve të cilësuara si borxh dhe të përfshira në strategjinë e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, rezultoi se nga strukturat menaxhuese është punuar për shlyerjen e detyrimeve ndaj furnitorëve, por nuk është punuar, në asnjë drejtim për arkëtimin e detyrimeve trashëguar në vite. Shuma që i detyrohen subjektet Aparatit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pa mundur të arkëtohen në buxhetin e shtetit për vite me radhë, është në vlerë 32,528,754 lekë.
* * *
Për të gjitha, parregullsitë e konstatuara në procedurat e prokurimit referuar dëmit ekonomik 85,038,494 lekë (607 500 euro), shkaktuar buxhetit të shtetit nga shkelja e barazisë në tender, KLSH nëpërmjet shkresës nr. 1074/14, datë 10.06.2015, i ka përcjellë organit të Prokurorisë kallëzimin penal për zj. V K me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Prokurimeve Publike të Përqendruara, në cilësinë e kryetares së KVO dhe zj. E P, zj. E S, zj. E S, z. Y P, znj. A N, z. A G, z. M P, z. A J, z. E Gj, z. A Z, zj. E S, në cilësinë e anëtarëve të KVO, pasi kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. 
Në përfundim të auditimit, në analizë të shkeljeve të trajtuara gjerësisht në Raportin Përfundimtar të Auditimit, i është kërkuar Titullarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që mbështetur në nenet 57 dhe 58 të ligjit nr. 152, datë 2013 “Për nëpunësin civil” të fillojë procedurat e dhënies së masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil” për personat përgjegjës për shkeljet që i kanë sjellë buxhetit të shtetit dëmin e konstatuar.
Nisur nga konstatimet dhe rëndësisë që duhet ti kushtohet forcimit të kontrollit por dhe ngritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore, të cilat do të ndikonin në rritjen e vlerës së çdo paraje të shpenzuar në fondet publike, ky Raport do ti dërgohet për dijeni edhe Kryeministrit.