KLSH kallëzon në Prokurori 5 specialistë të ZVRPP Kuçovë, dhanë certifikata pronësie më tepër se në dokumente

506
Sigal

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të
auditimit nr. 529/1, datë 08.05.2016, ka ushtruar auditim në Zyrën Vendore të
Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Kuçovë, për periudhën  01.01.2014
deri më 31.12.2015.  Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë
shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse
për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me
Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me nr. 99, datë 06.09.2016.

Nga auditimi i dokumentacionit të
vënë dispozicion në lidhje me regjistrimet e pasurive të paluajtshme, u
konstatuan një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret janë:

1. Në 8 raste janë regjistruar 4577
m2 tokë më tepër se sipërfaqja e përcaktuar në Aktet e Marrjes së Tokës në
Pronësi (AMTP), nga të cilat 3777 m2 tokë “arë” dhe 800 m2 tokë “truall”, në
kundërshtim me Ligjin 7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën” i ndryshuar.

2. Nuk kanë bërë bilancin Libri i
Ngastrave (LN) – AMTP dhe nuk kanë veçuar në pronësi “Shtet” sipërfaqen prej
399308 m2 tokë, nga të cilat 48 pasuri me sipërfaqe 20851 m2 tokë “arë” në
Komunën Ferras, 148 pasuri me sipërfaqe 72154 m2 tokë “arë” në “Rreth-Tapi” dhe
522 pasuri me sipërfaqe 306303 m2 tokë “arë” në fshatin Polovinë, duke lëshuar
certifikata pronësie në kundërshtim me Ligjin nr. 7501, datë 17.09.1991 “Për
tokën”, i ndryshuar dhe Ligjin nr. 33, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e
pasurive të paluajtshme.

3. Në 19 raste, në ZK 1699 (fshatin
Gegë), janë regjistruar dhe kanë përfituar certifikatë pronësie 38 pasuri me
sipërfaqe 90273 m2, duke përdorur AMTP-të në përdorim, në kundërshtim me ligjin
7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën” i ndryshuar dhe me nenin 2, pikat 4, 5, 6 dhe
neni 3, të ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa
shpërblim të tokës bujqësore”.

4. Në dy raste, për regjistrimin e
pasurive me leje ndërtimi, janë regjistruar dhe është përfituar certifikatë
pronësie për 100 m2 ndërtesë më tepër se sipërfaqja e përcaktuar në lejen e
ndërtimit, në kundërshtim me Ligjin nr. 33, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e
pasurive të paluajtshme” dhe UKM nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e
elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të
paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të Regjistruesit”.

5. Nga auditimi i dosjeve janë
konstatuar mangësi në plotësimin e dokumentacionit për regjistrim, korrigjime
shifrash në dokumentacion, mungojnë Urdhrat e Regjistruesit për ndarjen e
pasurive të paluajtshme dhe lëshimin e certifikatave, nuk ndodhet kërkesa me
shkrim e pronarit për ndarjen e pasurive, si dhe nuk janë plotësuar shtojcat
përkatëse, në kundërshtim me UKM nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e
elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme
dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”.

Për shkeljet e konstatuara, KLSH ka
kryer kallëzim penal për ish-Regjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të
Pasurive të Paluajtshme Kuçovë K.B., ish-specialistët hartografë D.G., P.T. dhe
M.M., specialistin hartograf V.M. dhe specialistin jurist të  ZVRPP Kuçovë
E.C., të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje
të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të
“Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke i
përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat  të gjitha provat dhe
dokumentet përkatëse.