KLSH kallëzon në Prokurori 3 zyrtarë të bashkisë së Kukësit

96
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 267/1, datë 16.03.2015 dhe nr. 267/2, datë 30. 04.2015, ka audituar Bashkinë Kukës, për periudhën nga Janar 2013 deri më 31 Dhjetor 2014. Raporti Përfundimtar i Auditimit të kryer në Bashkinë Kukës dhe masat për përmirësimin e gjendjes, janë miratuar me vendimin e Kryetarit të KLSH nr. 98, datë 24.07.2015 dhe janë përcjellë në subjekt me shkresë nr. 267/13, datë 25.07.2015. Nga auditimi, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, mbi bazën e të cilave KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, për B.B, Drejtor i Drejtorisë Juridike, R.M, Drejtor i Drejtorisë Planifikimit Urban dhe A.B, përgjegjëse e Sektorit të Kadastrës dhe Privatizimit, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, konkretisht: shkele ligjore në shitjen e pronës publike dhe objekteve të banimit në tejkalim të kopetencave ligjore.

 Në 2 raste kanë lejuar e kryer shitjen e trojeve funksional edukativo-kulturor të shkollave, duke shitur sipërfaqe trualli pronë shtetërore dhe publike dhe konkretisht sipërfaqen prej 41 m2 e cila rezulton sipërfaqe funksionale e truallit të shkollës “Bajram Curri” dhe sipërfaqen prej 297 m2 e cila rezulton sipërfaqe funksionale e truallit të shkollës “Lidhja e Prizrenit”, brenda murit rrethues te saj, veprim në cenim të territorit funksional të shkollës dhe në kundërshtim me ligjin nr. 7980, datë 27.07.1995 dhe VKM nr. 167, datë 10.03.2010. Në 3 raste kanë lejuar kryerjen e shitjeve të trojeve funksionale publike me sipërfaqe 300.2 m2 , të cilat kanë qenë pronë shtetërore dhe publike për subjekte private, duke cënuar territorin funksional publik të Bashkisë dhe pa i pasur më parë të regjistruar në ZVRPP pasurinë, pa vendim të Këshillit Bashkiak dhe pa Konfirmim të ligjshmërisë së aktit nga Prefekti i Qarkut Kukës. Janë konstatuar shkelje ligjore me dëm ekonomik në vlerën 20,101 mijë lekë, nga: vlera 11,782 mijë lekë është kryer nga shkelje të disiplinës financiare, në fushën e prokurimit , vlera 8,319 mijë lekë për shkeljet në fushën e administrimit të aseteve të qëndrueshme. Po kështu, janë konstatuar shkelje financiare në fushën e të ardhurave, duke shkaktuar të ardhura të munguara në vlerën 51,604 mijë lekë nga mos përdorimi i aseteve dhe lënia në përdorim të paligjshëm personave të tretë. Është paguar qira padrejtësisht nga Bashkia Kukës në vlerën 7,200 mijë lekë për Tregun agro-ushqimor, ndërkohë që i përket shoqërisë “Tregu agro ushqimor i shitjes me pakicë e shumicë” sh.a. Kukës, ku Bashkia nuk është aksioner i kësaj shoqërie. Janë zhvilluar proçedura prokurimi me shkelje nga KVO, duke sjellë një dëm ekonomik në vlerën 957 mijë lekë, për të cilën është kërkuar zhdëmtimi nga personat përgjegjës.

 Nuk është bërë konfiskimi i sigurimit të ofertës së operatorit “N…..” në vlerë 501 mijë lekë, pasi është tërhequr nga gara si fitues, pa dhënë asnjë sqarim dhe po kështu nga mos vlerësimi i drejtë i ofertave ekonomike nga KVO, është skualifikuar subjekti “XH….”, që realizonte të gjitha kriteret e kualifikimit, nga kjo papërgjegjshmëri është shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 801 mijë lekë, për të cilën kemi kërkuar zhdëmtimin në rrugë administrative e ligjore nga anëtarët e KVO-së z. L.D, A.C dhe F.T. Në një rast janë konstatuar pagesa tepër për punime të pakryera nga subjekti “O…” në vlerën 876 mijë lekë dhe mos arkëtim takse nga përdorimi i objekteve të Bashkisë në 4 objekte me vlerë 403 mijë lekë. Është vepruar në kundërshtimme ligjin në përdorimin e aseteve, duke lejuar përdorimin e paligjshëm nga persona të tretë, pa paguar detyrimet Bashkisë me efekte negative financiare në buxhetin e bashkisë, si të ardhura të munguara në vlerën 51,604 mijë lekë. Në 20 raste për sipërfaqen prej 3925 m2, kanë lejuar e kryer shitjen e pronës publike e shtetërore për troje të zëna nga objekte ndërtimore të ngritura plotësisht apo pjesërisht mbi pronë shtetërore, ku qëllimi i përdorimit të objekteve të ngritura është për “ambiente shërbimi” dhe jo me destinacion banimi, veprim ky që ka cënuar territorin funksional publik të Bashkisë. Këto veprime janë kryer pa pasur më parë të regjistruar në ZVRPP pasurinë, pa vendim të Këshillit Bashkia dhe pa Konfirmim të ligjshmërisë së aktit nga Prefekti i Qarkut Kukës, në kundërshtim me ligjin nr. 8972, datë 25.07.2002 “Për Prefektin”. Në 11 raste të tjetërsimit “Pa pagesë” të apartamenteve të banimit, për objekte të cilat janë në proces privatizimi apo të zëna forcërisht, për të cilat pjesërisht janë lidhur kontratat e qirasë para vitit 1990, ku edhe pse përdoruesit e tyre gëzojnë të drejtën e privatizimit të tyre, nga Bashkia Kukës privatizimi i tyre është bërë në kundërshtim me VKM nr. 97, datë 03.2.2008 “Për procedurat e privatizimit të banesave, objekt i ligjit nr. 7652, datë 23.12.1992 dhe i ligjit nr. 9321, datë 25.11.2004”, pasi kalimi i pronësisë është bërë “Falas”, pra pa u kryer më parë përllogaritja e vlerës të objektit dhe shlyerja e plotë e detyrimit.